Episodi 9: "Rritja e Kinës dhe raportet me Evropën" - Mysafir: Leon Malazogu

06 prill 2021 10:14

Rritja ekonomike e Kinës në dekadat e fundit ka trazuar jo pak botën perendimore. Pyetja që shtrohet çdo ditë e më shumë në shtetet evropiane, e pa dyshim edhe në ShBA është se, si do të ndikojë kjo fuqi ekonomike e Kinës në sistemin ndërkombëtar? Para së gjithash, çfarë raporti do të ndërtojë Kina me fqinjët në Azinë e Largët? Çfarë synimesh ka kjo fuqi ekonomike e politike në Evropën, Lindjën e Mesme dhe Afrikën? Çfarë marrëdhëniesh do të ndërtojnë dy fuqitë më të mëdha ekonomike të botës-ShBA dhe Kina? Dhe më e rëndësishmja, si do të balancohet në sistemin ndërkombëtar kjo rritje e Kinës?

Siç e dimë, Kina është një shtet i deklaruar komunist, ku i gjithë pushteti politik ushtrohet nga Partia Komuniste Kineze, por që, nga fundi i viteve të 70-ta të shekullit të kaluar ka aplikuar një politikë të çuditshme të kapitalit privat. Sot, kur po flasim, Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, pas asaj të ShBA, me një projeksion të mundshëm që të kalojë në vendin e parë brenda një dekade. Megjithatë, ka një hezitim dhe përmbajtje në lidhje me tejkalimin e ekonomisë amerikane nga ajo kineze. Sipas The Wall Street Journal Kina nuk do të tejkaloj me aq lehtësi ekonominë e ShBA për një varg faktorësh, e ku njëri prej tyre është tkurrja e fuqisë punëtore, për dallim me atë të ShBA.

Sidoqoftë, edhe si ekonomia e dytë në botë, Kina sot paraqet një sfidë të madhe për ShBA dhe përgjithësisht për shtetet perendimore. Një garë politike, ekonomike e ushtarake në mes të ShBA dhe Kinës, natyrshëm që do të përfshihte edhe Bashkimin Evropian, sado që ky i fundit mund të mos e pëlqej një gjë të tillë. Kemi parë që në katër vitet e fundit, kur nën administratën Trump, ShBA kishte aplikuar një ‘luftë tregtare” për mallrat kineze, BE nuk kishte një pozicion të qartë. BE në këtë kohë kërkonte një qasje neutrale në garën ShBA-Kinë.

Megjithatë, vetëm pak javë para inagurimit të presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, BE dhe Kina arritën në parim një marrëveshje për investime. Qartazi, kjo dakordësi ishte nënshkruar në një klimë presioni në mënyrë që administrata e re në Shtëpi të Bardhë ta shihte si fakt të kryer një gjë të tillë me ç’rast do t’i duhej energji e shtuar angazhimi me BE-në për të rimenduar raportin me Kinën.

Për të analizuar raportet BE-Kinë, pastaj, për rritjen e influencës kineze në Azi dhe Paqësor si dhe reflektimet që kjo garë do të kishte në Ballkan dhe Kosovë, kësaj radhe në podcastin Rendi Botëror, kemi të ftuar ambasadorin Leon Malazogu. Në një mandat prej katër viteve, Leoni ka qenë ambasador i Republikës së Kosovës në Japoni. Para këtij angazhimi, Leoni ka qenë i përfshirë në shumë organizata vendore e ndërkombëtare. Është autor i studimeve të ndryshme në fushën e politikëbërjes. Ligjërues universitar dhe i angazhuar për më shumë se dy dekada në shoqëri civile e media në Kosovë. 

Pjesa e parë e diskutimit me Leonin ndalet tek një pasqyrë më e përgjithshme e gjeopolitikës në Lindjen e Largët; raportet që Kina ka me shtetet si Japonia, India e Australia, ku bashkë me ShBA kanë krijuar aleancën jo-formale të quajtur Quad. Më tutje, diskutimi zbërthen relacionet e Bashkimit Evropian dhe Kinës, rrjedhimisht marrëdhëniet e tyre ekonomike e tregtare. Pjesa tjetër fokusohet tek zhvillimet në Ballkanin Perendimor dhe prezenca kineze në rajon, si dhe në fund, diskutojmë për potencialin e politikës së jashtme të Kosovës në Lindjen e Largët. Cilat do të ishin opsionet më të përshtatshme për Kosovën për t’u zgjeruar në raportet bilaterale me shtetet në atë pjesë të botës?

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

 

06 prill 2021
10:14

Sbunker Podcast