Ajo ka ndodhur: Lufta në Serbi

10 qershor 2020 14:52

Pasi u lansua portali onllajn War in Serbia (“Lufta në Serbi"), nacionalistët e udhëhequr nga pasuesi i Millosheviqit Ivica Daçiq, të shoqëruar nga makina më e vjetër propaganduese e Serbisë së Madhe Večernje Novosti, sulmuan agresivisht Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut (Youth Initiative for Human Rights, YIHR)

War in Serbia nuk ka zbuluar ndonjë informatë që nuk ka qenë publike deri më sot — ato mund t’i gjeni në vendimet gjyqësore, në raportet e OJQ-ve dhe në media. Ky portal onllajn paraqet ngjarje dhe fakte në lidhje me konfliktet e armatosura në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë — të cilat kanë ndodhur në territorin e Serbisë.

Qëllimi i këtij portali është të paraqesë informata që janë shpërndarë në vende të ndryshme përgjatë viteve, të gjitha informatat që janë shtypur, janë fshehur dhe janë mohuar nga elitat nacionaliste të shoqërisë. Për të treguar që Serbia ka marrë pjesë në këto luftëra.

Kritika kryesore e Daçiqit është se kjo është shembull i ‘politizimit të krimeve të luftës’. Daçiq nuk ka nevojë për shpjegime, ai tashmë e di, por është me rëndësi të ketë kundërpërgjigje ndaj secilës gënjeshtër: krimet e luftës nga vitet e 90-ta nuk mund të politizohen sot, porse kanë qenë dëm ose pasojë e qëllimeve politike.

Luftërat kanë përfunduar para më se 20 vjetësh, por ende e ndiejmë fuqishëm ndikimin e tyre sot; retorika e konfliktit, armiqësia dhe urrejtja është aq e gjallë në publik, saqë duket se luftërat nuk kanë përfunduar fare. Termi ‘konflikt i ngrirë’ përdoret shpesh për t’i përshkruar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por ky përshkrim vlen edhe për rastet e marrëdhënieve të Serbisë me Bosnjën e Hercegovinën dhe me Kroacinë.

Në 20 vitet e fundit, marrëdhëniet rajonale janë përmirësuar dukshëm, kryesisht në fushat e ekonomisë dhe të tregtisë. Me procesin e Berlinit janë ndezur shumë iniciativa dhe bashkëpunimi rajonal është bërë vlera ku investojnë edhe komuniteti ndërkombëtar, edhe vendet e rajonit.

Sidoqoftë, lufta mbetet si elefant në dhomë. Duke i përafruar narrativat e luftës, përshtatja e të vërtetave kombëtare për atë se çfarë ka ndodhur jo vetëm që na bashkon, por edhe na mban larg njëri-tjetrit.

Çelësi për pajtimin është rindërtimi i besimit. Nuk mund ta ndërtojmë besimin duke e gënjyer njëri-tjetrin haptazi dhe paturpësisht — mohimi i krimeve është rrenë e paturp. Serbia nuk është e vetmja që bën këtë përpjekje, mirëpo është më e madhja dhe mban më së shumti përgjegjësi, pra duhet të jetë e para që duhet të fillojë me të vërtetën.

Brezi i ri në Serbi, ata që kanë lindur gjatë luftërave dhe pas tyre, nuk mund ta bartin stigmën e luftërave dhe përgjegjësinë për veprat e lidershipit të atëhershëm politik dhe ushtarak. Por vërtet kemi përgjegjësinë për ditën e sotme, për atë se si i sheh Serbia luftërat. Për atë se si mediat raportojnë dhe çfarë na mësojnë kurrikulat shkollore. Sa është i angazhuar shteti për kërkimin e njerëzve të pagjetur? Çfarë po bëjnë Zyra e Prokurorit dhe gjykatat për ndjekjen penale të përgjegjësve? Si po i trajtojmë viktimat?

Në ballinën e saj, Večernje Novosti akuzon YIHR-në se i ‘portretizon serbët si nazistë’ sepse flet për krimet. Është pretendim i vjetër që qëveritë e huaja dhe tradhtarët e brendshëm duan ta paraqesin serbinë si komb gjenocidal kur kërkohet përgjegjësia për krimet e kryera nga forcat serbe.

Kjo është gënjeshtra kyçe, ajo që shërben për t’i mbrojtur të gjitha fabrikimet dhe mitet e tjera nga vënia në pyetje e versioneve zyrtare.

Fakti që ushtria dhe policia serbe kanë kryer krime të luftës nuk e bën popullin serb një popull kriminal. Fajësia kriminale është individuale, kombet nuk mund të jenë kriminale, por politikat që planifikojnë, organizojnë dhe kryejnë krime për t’i arritur qëllimet politike janë kriminale.

Millosheviqi gëzonte mbështetje prej shumicës së qytetarëve për politikat e tij, edhe pse nuk ishte e qartë sa të gjera do të ishin krimet për të cilat regjimi i tij qe përgjegjës — karakteri i politikave të tij ishte i vetëkuptueshëm për shumë njerëz. Kjo nuk na bën ‘ne’ përgjegjës për këto krime, por na shtyn ta bëjmë në zgjedhje të cilës nuk mund t’i ikim. A i mbështesim apo i kundërshtojmë këto politika?

Nuk e kemi të drejtën t’i shmangemi kësaj dileme për shkak të shkallës së tragjedisë që kanë sjellë politikat e Millosheviqit. Më se 130,000 njerëz kanë humbur jetën në këto luftëra, miliona njerëz janë shpërngulur dhe janë shkatërruar shtetet. Nuk e kemi mundësinë të ikim nga kjo zgjedhje. Ajo do t’i ndikojë marrëdhëniet e Serbisë me fqinjët e saj, me BE-në madje edhe me Rusinë.

Zgjedhja është bërë tash e disa dekada nga elitat nacionaliste — ata që i lartësojnë Millosheviqin, Mlladiqin, Karaxhiqin, Arkanin, Llegijën dhe kapiten Draganin. Ka prej tyre që na paraqesin si komb që lartëson kriminelët e luftës, si komb që glorifikon gjenocidin. Nëse ti lartëson kriminelët e luftës si heronj, ti i imponon ata si përfaqësues të popullit dhe të shtetit, i promovon të vërtetat e tyre si versione zyrtare dhe ia jep mundësinë gjithë kombit të identifikohet me kriminelët.

Nuk mjafton që qeveria t’i kundërshtojë heshtazi këto politika. Vuçiqi ka ecur gjatë prej stikerëve të “Bulevardit Ratko Mlladiq” deri te toni pajtues i ditëve të sotme. Problemi është se ai ka bërë këtë udhë vetë, duke i lënë mbështetësit dhe shoqërinë mbrapa. Për ta ndërtuar besimin mes Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit nevojitet një lidership guximtar dhe i sinqertë, por duhet edhe mbështetja dhe angazhimi i tërë shoqërisë.

Kjo është rëndësia e iniciativave sikur portali War in Serbia. T’i ndihmojë individët në shoqëri të kuptojnë kontekstin dhe të vërtetat që nuk janë të qasshme në rrjedhën qendrore, por edhe t’ju tregojë fqinjëve që ka vullnet të fortë në Serbi për të ndërtuar besim mes shteteve që kanë dalë nga Jugosllavia. Prej prologut të shkatërrimit të Jugosllavisë, përmes kohëve të luftërave deri më sot — angazhimi i lëvizjes së paqes është një ndër gjërat më të rëndësishme. Aktivistët e paqes mbajnë njërën këmbë andej pragut në mënyrë që të mos prishen lidhjet mes shoqërive. Dhe roli i tyre për ballafaqimin me të kaluarën është vendimtar.

‘Mercenarët e huaj dhe tradhtarët e brendshëm’ janë të vetmit që luftojnë për ta damkosur Serbinë si komb kriminel. Së pari përmes njohjes së krimeve të kryera, sepse mohimi i krimeve paraqet formën më themelore të një gënjeshtre që s’mund ta bëjë për budalla askënd. Së dyti, përmes respektimit të viktimave, shprehja e respektit dhe empatisë për viktimat civile të të gjitha kombësive. Së treti, përmes individualizimit të fajësisë — nuk është kombi, por individët me emra. Ne nuk i shohim mëkatet e tyre si tona vetëm se i përkasim kombit të njëjtë.

Dhe së fundi, me një mesazh të qartë — këta nuk janë heronjtë tanë, këto nuk janë vlerat tona. Ligësia e Millosheviqit ende rron në aspekte të ndryshme të shoqërisë sonë — së pari në jetën politike — por këmbëngulja e vazhdueshme për t’i kundërshtuar plotësisht ato politika njëherë e mirë, na jep shpresë që e ardhmja mund të ndërtohet mbi vlerat e paqes, respektit për dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e liritë e njeriut.

----

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

-----

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

10 qershor 2020
14:52

Ivan Djuriç