Kriza e sigurisë në Ballkan

22 dhjetor 2021 10:20

Serbia dërgon ushtrinë në kufi me Kosovën, bombardon në mënyrë tinëzare zyrat e institucioneve të Kosovës në veri, kurse Republika Srpska kërcënon me secesion në Bosnjë. Mali i Zi, në anën tjetër, gjithashtu po kalon një periudhë me tensione etnike ku vërehet dora e Serbisë. Është e qartë se kemi të bëjmë me një krizë sigurie rajonale. 

Bota serbe

Tri shtete që kufizohen me Serbinë rrezikohen në aspektin e sigurisë. Ato ose kërcënohen direkt nga Serbia (Kosova), ose kalojnë nëpër tensione të shkaktuara nga akterët pro-serbë (Mali i Zi), ose rrezikojnë të shpërbëhen (Bosnjë-Hercegovina). Në Kosovë, për shkak se Qeveria e saj implementoi reciprocitetin sa u përket targave, Serbia me strukturat paralele të saj brenda Kosovës reagoi ashpër duke bllokuar rrugët, duke sulmuar me mjete eksplozive zyrat e institucioneve të Kosovës, si dhe duke dërguar ushtrinë afër kufirit. Një reagim kaq agresiv ishte i papritur nga të gjithë, por nuk është edhe aq befasues kur shikohet konteksti rajonal dhe evropian. 

Në rajon Serbia ka dalë tashmë hapur me idenë e krijimit të Botës Serbe (Srpski Svet), që mund të quhet një rietiketim i projektit të Serbisë së Madhe. Nuk është e qartë se a përfshihet unioni Open Balkan në këtë ide apo jo, por ajo që mund të konkludohet është se përmes Botës Serbe, Serbia synon ta dominojë Ballkanin Perëndimor si rajon. Rrjedhimisht bëhen më të kuptueshme lëvizjet desabilizuese në rajon dhe përkrahja e Serbisë për to. 

Kuvendi i Republika Srpskas mori vendim që të krijojë institucione paralele brenda Bosnjë-Hercegovinës. Kjo mund të shihet si një hap larg secesionit. Kjo lëvizje është e paimagjinueshme të kuptohet pa përkrahjen e Serbisë dhe Rusisë për liderin ultranacionalist të Serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Dodik. 

Gjithashtu, Mali i zi po kalon në një periudhë tensionesh për shkak të konfliktit lidhje me statusin e Kishës Ortodokse. Pikërisht për shkak të ndërhyrjes së Kishës Ortodokse Serbe në politikë dhe fushatë zgjedhore, partitë pro-serbe fituan zgjedhjet dhe ishin në gjendje të formojnë qeverinë. Edhe pas zgjedhjeve nuk mund të thuhet se tensionet janë ulur dukshëm. Dhe ndikimi i Beogradit në Mal të Zi mund të thuhet se është në rritje.

Lëvizjet e Rusisë

Për ta kuptuar më mirë situatën në Ballkan duhet shikuar më tutje. Rusia ka grumbulluar ushtrinë në kufirin me Ukrainën dhe tashmë dihet se ka aneksuar Krimenë dhe vazhdon t’i përkrahë separatistët në Ukrainën Lindore. Në të njëjtën kohë, Rusia i ka zvogëluar rezervat e gazit në depot e Gazpromit në Evropën Perëndimore dhe e ka rritur çmimin e gazit në periudhën dimërore. 

Sjellja e Serbisë dhe Republika Srpskas duhet të shikohen në prizmin e nxitjes dhe përkrahjes së tyre nga Rusia, përderisa Rusia synon ta dobësojë më tutje Ukrainën dhe potencialisht ta invadojë atë apo një pjesë të saj. Në këtë mënyrë, vëmendja e perëndimit është e shpërqendruar duke u ballafaquar me kriza në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë në të njëjtën kohë. Kjo e bën më pak të mundshëm një reagim të fortë perëndimor në Ukrainë.

Reagimi

Sa i përket reagimit të Perëndimit, nuk mund të thuhet se ai ka qenë i fortë deri më tani. Paralajmërimet për sanksione kanë qenë mjaft të vakëta, kurse nuk është folur për reagime të tjera. Në BE mungon uniteti dhe shtetet si Hungaria veprojnë si kalë i Trojës i Rusisë brenda BE-së. Ndërkohë Franca është e shpërqendruar me zgjedhje dhe Gjermania po kalonte në periudhë zgjedhore dhe të formimit të qeverisë. Një lajm i mirë është se si duket qeveria e re në Gjermani është më e gatshme t’i dalë ballë Rusisë. Pozita e fuqishme e të Gjelbërve në qeverinë gjermane nënkupton dobësim të rolit të naftës dhe gazit në sektorin e energjisë dhe, rrjedhimisht, dobësim të ndikimit të Rusisë.

Britania e Madhe

Një rol të veçantë në kundërshtimin e politikave destabilizuese po luan Britania e Madhe. Si në Evropën Lindore, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, Britania ka qenë aktive me prezencën e saj me shpresën se kjo prezencë zmbraps Rusinë dhe Serbinë në veprimet e tyre. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Britania ka caktuar një të dërguar të veçantë, i cili ka përvojë ushtarake. Kjo nënkupton se Britania e sheh rrezikun e destabilizimit të rajonit si rrezik real. Në kohën kur reagimi nga BE dhe SHBA nuk ka qenë i fortë sa duhet, reagimi mjaft i fortë i Britanisë është i mirëseardhur. Përderisa Britania e Madhe po kërkon ta definojë rolin e saj pas Brexit-it, rritja e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor si duket është një aveny ku ajo mund ta gjejë veten jashtë BE-së. Tashmë, përveç BE-së dhe SHBA-së, Britania është akteri i tretë i pavarur perëndimor me peshë të madhe në Ballkan. Për ata që dëshirojnë përfshirje më të madhe të Perëndimit në Ballkan, ky është lajm i mirë.

22 dhjetor 2021
10:20

Seb Bytyçi