04 gusht 2021
12:18

Këtu do t’i shtjelloj qëndrimet e Serbisë përmes prizmit të vlerësimit të konfliktit. Pra do t’i përdorë dy koncepte të dobishme nga fusha e Studimit të Konfliktit dhe Paqes: pozicionet dhe interesat e palëve, koncepte që përdoren në analizën dhe vlerësimin e konflikteve.
Pozicionet dhe interesat
Me fjalën pozicion (anglisht, position) nënkuptojmë një qëndrim publik të palës mbi një çështje të caktuar ose mbi konfliktin. Kurse me fjalën interes (anglisht, interest) nënkuptojmë interesin e vërtetë të palës lidhje me atë çështje ose konfliktin, që mund të jetë edhe i fshehur. Pozicionet janë ligjërimi publik dhe deklarimet publike formale, por edhe joformale të palëve. Kurse, në anën tjetër, interesat janë qëllimet dhe synimet e vërteta të palëve, të cilat mund të ndodhë që nuk formulohen hapur e saktë.
Mund të thuhet se nënkuptohet që ka një largësi mes pozicioneve dhe interesave dhe këto nuk janë të njejta. Pozicionet janë më ekstreme dhe shkojnë më larg në kërkesat e tyre, por interesat janë më afër interesave vitale shtetërore apo përafrohen me ato që quhen “vija të kuqe” në gjuhën gazetareske. Studiuesit dhe ndërmjetësuesit e një konflikti kanë për qëllim që t’i definojnë interesat e vërteta të palëve duke anashkaluar pozicionet e tyre. Supozohet se zgjidhja e konfliktit është më e mundshme nëse propozohen marrëveshje që i adresojnë interesat e palëve duke i tejkaluar kështu pozicionet.
Në kontekstin e negociatave, kronologjikisht, pozicionet pritet të vijnë në fillim të negociatave, pastaj më vonë të zhvendoset fokusi te interesat reale. Palët janë të cytura të paraqesin pozicione fillestare më ekstreme. Për këtë arsye shpesh dëgjojmë kërkesa maksimale nga palët në konflikt.
Qëndrimet e Serbisë
T’i shohim qëndrimet publike të Serbisë në këtë fazë të konfliktit me Kosovën, pra dialogu për normalizim të marrëdhënieve:
Së pari, Serbia është konsistente në atë se deklaron se nuk do të ofrojë njohje për pavarëinë e Kosovës, gjë që e ka përsëritur disa herë presidenti i saj Vuçiq.
Së dyti, Serbia vazhdon të flet për “kompensim” dhe nevojën që “dy palët të fitojnë diçka”. Duke u nisur nga deklarata tjera dhe nga dokumentet joformale (non-papers) të qarkulluara mund të themi se këtu Serbia kërkon Asociacion/Bashkësi të Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive; autonomi për katër komunat në veri dhe status të veçantë per kishat serbe. Gjithashtu, mund të konkludojmë se ka kërkesa edhe nga BE, që ndërlidhen me anëtarësimin e Serbisë në BE.
(Mos)njohja
Pozicioni i Serbisë është që nuk ka njohje për Kosovën. Mirëpo interesi i Serbisë mund të jetë që në këmbim të njohjes të nxjerrë koncesione nga Kosova dhe nga BE. Përndryshe, nuk do të kishte kuptim pozicioni i saj i dytë që flet për kompensim, sepse duhet të definohet se në kompensim të çkafit i kërkon Serbia ato “fitime” për veten. Poashtu, toni dhe forma e deklaratave për mungesë të njohjes lënë të nënkuptojnë që Serbia është e gatshme të nënshkruaj një marrëveshje të njohjes de fakto dhe/ose njohjes së mëvonshme. Pra, një marrëveshje që i gjason asaj të dy gjermanive. Nga Serbia mund të kërkojnë njohje të Kosovës BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, ngjashëm siç kishin bërë presion shtetet e Organizatës së Konferencës Islamike (OKI) mbi Pakistanin që ai ta njohë pavarësinë e Bangladeshit (ish-Pakistani Lindor). Poashtu, Kina ishte detyruar ta njohë pavarësinë e Mongolisë, në shkëmbim të disa koncesioneve tjera nga Bashkimi Sovietik. Edhe Gjermania Perëndimore kishte pasë presion nga aleatët e saj që ta njohë Gjermaninë Lindore, sidomos nga SHBA-ja. Ngjashëm, Serbia mund të ketë presion nga Rusia të ofrojë një (gjysëm)njohje për Kosovë, për shkak të interesave të saj në Ukrainë. Rrjedhimisht, ka ca gjasa që Serbia të formësojë një “Sudpolitik” realiste ngjashëm më “Ostpolitik” të Gjermanisë.
Kompensimi?
Kërkesat kryesore të Serbisë ndaj Kosovës janë një Asociacion/Bashkësi (Zajednica) me kompetenca ekzekutive, autonomia për veriun, dhe statusi i veçantë i kishave serbe. Kurse kërkesat ndaj BE-së, logjikisht, kanë të bëjnë me përshpejtimin e anëtarësimit në BE. Këtu mund të themi se qëllimi kryesor është Asociacion/Bashkësia sa më e fortë dhe Serbia do të ishte më e gatshme ta pranojë gjendjen aktuale lidhje me autonominë për veriun dhe statusin e kishave. E mira e kësaj është se ka hapësirë që me kompensim për njohje të nënkuptohet jo vetëm kompromise nga Kosova por edhe nga BE-ja. Detyra e Kosovës është që ta bëjë Serbinë të heqë dorë nga Asociacion/Bashkësia e fortë. Kjo mund të bëhet përmes pozicioneve të vetë Kosovës dhe me propozime tjera siç janë një Euroregjion i komunave të brezit kufitar apo edhe marrëveshje ndërqeveritare që trajtojnë tema të ndryshme.
Serbia shpesh jep mesazhe të përziera duke lëvizur nga një pozicion te tjetri. Kështu le përshtypjen se lëshon pe në një çështje, për t’u kthyer në një pozicion më të fortë më vonë. Por një vështrim i kujdesshëm na lejon të shohim cilat janë interesat e saj dhe mundësitë për marrëveshje.
04 gusht 2021
12:18