Prioriteti kryesor

31 mars 2021 15:12

Pas fitores së LVV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka pasë shumë debate për prioritetet e qeverisë së re. E verteta është se ekziston një prioritet kryesor mbi të gjitha, që është krijimi i institucioneve efektive që do të jenë në gjendje të merren me disa probleme në të njëjtën kohë.

Cilat janë prioritetet?

Janë bërë diskutime të shumta për atë se cili duhet të jetë prioriteti i parë i qeverisë. Në fakt shumë nga vetë këto debate si dhe “sugjerimet” nuk duken organike dhe injorojnë opinionin publik. Me vite të tëra, problemi kryesor për qytetarët, sipas sondazheve të ndryshme, e sidomos ato të UNDP-së, është papunësia. Pastaj, afër papunësisë është varfëria si problem për qytetarët. Dhe i treti problem është korrupsioni. Në këtë renditje janë paraqitur prioritetet e qytetarëve rregullisht, kurse debatet në studio televizive fokusohen te dialogu me Serbinë. Në fakt dialogu nuk është ndonjë brengë e rëndësishme për qytetarët. Një sondazh i vonë nga kompania Pyper gjeti se prioritetet kryesore për qytetarët janë krimi dhe korrupsioni, pandemia, ekonomia dhe dialogu me Serbinë. Sigurisht se kjo renditje është e ndikuar nga zhvillimet e fundit, pra gjendja shëndetësore në vend, fokusi i qeverisë në ardhje te krimi e korrupsioni si dhe debatet mbi dialogun.

Institucionet efektive

Vetë debatet se cili duhet të jetë prioriteti i qeverisë së re shpërfaqin një problem të madh në shoqërinë tonë. Problemi është se publiku tashmë është mësuar me faktin se qeveria fokusohet vetëm një prioritet. Kjo nuk është befasi, sepse qeveri të njëpasnjëshme kanë bërë pikërisht këtë, janë fokusuar në një prioritet duke injoruar tjerat probleme.

Edhe kapaciteti i qeverive nuk ka qenë për lavdatë, por edhe ka munguar vullneti politik për t’u marrë me probleme të ndryshme si korrupsioni e papunësia. Politikanët kanë preferuar të merren me sllogane duke injoruar problemet reale. Këshilltarët nuk janë punësuar për shkak të kapaciteteve të tyre e bagazhit të njohurive e përvojës që do të ndihmonte në ballafaqimin me problemet, por thjeshtë për shkak të afërsisë partiake, personale, e parokiale si dhe servilizmit.

Problemi nuk është vetëm te niveli politik, kalbja është futur thellë edhe te shërbimi civil e të gjitha institucionet. Ato kapacitete administrative që ekzistojnë, shtypen nga politika. Ndërhyrja e politikës në institucione ka bërë që të kemi institucione joefektive. Prandaj nuk është për t’u befasuar se nuk ka as kapacitet institucional për t’u marrë me më shumë se një prioritet. Unë kam parë, në studimet e mia krahasuese të institucioneve, se ekziston një lidhje e fortë mes ndërhyrjes politike dhe efikasitetit institucional. Sa më shumë të ketë ndërhyrje politike, aq më pak efikas është një institucion.

Për shkak të kësaj gjendje të keqe institucionale, prioriteti kryesor i vendit është krijimi i institucioneve efektive! Vetëm kjo gjë ia mundëson qeverisë të merret me më shumë se një prioritet në të njëjtën kohë. Pra të bëjë atë që do të duhej ta bënte një qeveri normale. Vetëm ashtu mund të ballafaqohemi me problemet të cilat janë të shumta, sidomos ato më urgjentet, pra pandemia, kriza ekonomike, korrupsioni si edhe dialogu. Pandemia ka zmadhuar pasojat e secilit problem kronik, prandaj nuk kemi komoditet që të vazhdojmë me stilin e vjetër të marrjes vetëm me një problem. Duhet reformë institucionale për të krijuar institucione efektive sa më shpejtë që është e mundur.

Si do të ndikojë efektiviteti institucional në katër prioritetet kryesore?

Së pari, vetë reforma institucionale do të jetë një goditje ndaj korrupsionit si edhe krimit. Reforma do të mundësonte luftimin e korrupsionit administrativ që paraqitet në forma të ndryshme. Byrokracia është fryrë për shkak të punësimeve politike, që kanë instaluar praktika e persona korruptiv në institucione. Për shembull një praktikë korruptive e përhapur është punësimi i personave të mbikualifikuar për një pozitë të ulët, me qëllim që pastaj ai person te transferohet në një pozitë tjetër më të lartë. Ka raste kur një drejtor i një institucioni hap konkurs disa herë për shofer e asistent, për të futur në sistem sa më shumë njerëz me këtë metodë. Problem tjetër madhor është demotivimi i stafit për shkak se në pozita kyçe janë instaluar persona politikë, të cilët, mes tjerash, tregojnë favorizim edhe në vlerësim të stafit. Një reformë që i eliminon problemet të tilla të identifikuara në institucione, do të ndikonte drejtëpërdrejtë në rritjen e efikasitetit të tyre dhe në luftimin e krimit e korrupsionit.

Nëse dalim te gjendja shëndetësore, pandemia nuk mund të menaxhohet mirë pa shërbim mjekësor të menaxhuar mirë, si dhe pa polici të menaxhuar mirë. Masat nuk zbatohen nëse institucionet përgjegjëse për zbatimin e tyre janë joefikase. Tashmë e dimë se vetëm nxjerrja e një ligji nuk mjafton për ta zgjidhë një problem, por duhen edhe institucione adekuate.

E njëjta vlenë edhe për ekonominë, programet ekonomike nuk mund të jenë as të dizajnuara mirë e as të implementuara mirë pa njerëz me dije e përvojë profesionale të nevojshme për t’u ballafaquar me një krizë të paprecedent. Programet ekonomike që duhet ta nxjerrin vendin nga kriza duhet të menaxhohen nga profesionistë dhe institucione efektive. Pastaj, kompanitë e mëdha publike nuk mund të jenë të sukseshme nëse udhëhiqen nga njerëz partiakë e joprofesional. Përndryshe do të kemi vetëm përhapje të fenomenit korruptiv të përhapur te subvencionet bujqësore. 

Dialogu me Serbinë poashtu kërkon pregatitje efektive. Duhet platformë e mirëfilltë dialogu, me përkrahje faktuale si dhe mbështetje akademike të qëndrimeve të Kosovës. Për këtë si edhe për problemet më lartë duhen njerëz dhe institucione efektive. Rrjedhimisht, nuk duhet humbur kohë në krijimin e institucioneve që na mundësojnë të ballafaqohemi me këto probleme.

31 mars 2021
15:12

Seb Bytyçi