02 mars 2021
14:55

Ndryshimet elektorale në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, sa do që ishin shokuese për disa, nuk janë edhe aq befasuese. Për t’i kuptuar këto ndryshime duhet t’i kuptojmë lëvizjet tektonike të politikës kosovare që nga paslufta. Këtu do të shohim pse fitoi aq bindshëm koalicioni LVV-Lista Guxo dhe pse humbën përkrahjen partitë e vjetra.
Nacionalizmi i majtë
Para se të flas për partitë dhe fatet e tyre, do ta shtjelloj këtu shkurtimisht konceptin e nacionalizmit të majtë në të cilin bazohet fituesja e zgjedhjeve LVV. Vetë togfjalëshi Naconalizëm i majtë dikuj mund t’i duket kundërthënës në vetvete, sepse nacionalizmi shihet si diçka e djathtë, mirëpo ky është një fenomen mjaft i përhapur në Europë dhe botë. Si fenomen është i ndërlidhur me lëvizjet çlirimtare dhe anti-koloniale. Tiparet kryesore të nacionalizmit të majtë janë kërkesat për vetë-vendosje, sovranitet popullor dhe barazi sociale. Pra nuk është e rastësishme që Lëvizja Vetëvendosje quhet e tillë. Shembulli më interesant i nacionalizmit të majtë është në Irlandë, ku pothuajse të gjitha lëvizjet nacionaliste kanë qenë të majta, kryesisht për shkak të konservatizmit social dhe monarkizmit të elitave angleze kundër të cilit drejtohej nacionalizmi irlandez. Raste tjera të nacionalizmit të majtë janë lëvizjet në Skoci, Kataloni dhe shtetin Bask, kurse partia themeluese e shtetit Turk, Partia Popullore Republikane, po ashtu llogaritet si nacionaliste majtiste. Gjithashtu nacionalizmi i majtë ka qenë prezent historikisht edhe në Poloni e Francë, mes tjerash. Jashtë Europës, rasti më interesant është në Kanada, ku edhe nacionalizmi kanadez edhe ai kebekian i komunitetit frangjisht-folës kanë rryma të forta të majta. Kurse gjetiu rasti më i famshëm është i Kongresit Naconal Afrikan, partia e Nelson Mandelës, si dhe në Azi kemi nacionalizëm të majtë mjaft të zhvilluar në Taivan. Pra në të gjitha këto raste kemi të bëjmë me vende ku çështje të rëndësishme jane çlirimi nga sundimi kolonial, ndërhyrja e jashtme, bashkimi kombëtar, dhe vetë-vendosja e popujve, si edhe nevoja për zhvillim e mbrojtje të industrisë vendore.
Nacionalizmi i majtë: rasti i Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje
Lëvizja e cila kulminoi në themelimin e UÇK-së, e që i kishte rrënjët në dekadat e fundit të ish-Jugosllavisë mund të thuhet se i takonte nacionalizmit të majtë. Kjo lëvizje emri i së cilës ndryshoi disa herë por më në fund u njoh si LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës), si dhe organizata simotër LKÇK (Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës) ishin majtiste dhe në të njëjtën kohë kërkonin avancimin e popullit shqiptar në Jugosllavi. Më vonë, gjatë viteve të 1990a kërkesat ndryshuan në bashkim me Shqipërinë.
Në të njëjtën kohë edhe LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës), që njihet si e djathtë i ka rrënjët në një organizatë të majtë, Frontin Popullor që ishte organizatë mbështetëse e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Mbase kjo është një arsye pse edhe në LDK ka pasë vazhdimisht një aspekt social në ideologjinë e tyre. Duke ditur se partitë tjera si PDK, AAK e NISMA kanë dalur nga persona të kyçur në UÇK, mund të thuhet se i gjithë spektri politik në Kosovë ka një të kaluar me nacionalizëm të majtë. Për dallim prej partive tjera është Lëvizja Vetëvendosje ajo që mban flamurin e nacionalizmit të majtë. Siç do të shohim më poshtë, kjo është një nga arsyet e rritjes së saj. T’i shohim më poshtë arsyet e rritjes së LVV-së.
Mungesa e së majtës dhe Neoliberalizmi
Arsyeja e parë është, pra, mungesa e një partie të majtë. Pas vitit 2005, PDK, partia e dytë, e braktisi edhe formalisht ideologjinë e qendrës së majtë dhe përqafoi të djathtën. Pra, LVV lindi në një kontekst ku nuk kishte parti të madhe të majtë. Në periudhën e rritjes së LVV-së ishin vetëm tri parti të vogla që identifikoheshin me të majtën, LPK, PSK (Partia Socialiste e Kosovës), dhe PSD (Partia Socialdemokrate). Kjo gjë është me rëndësi sepse në atë kohë po zhvillohej privatizimi dhe kishin filluar të ndihen pasojat e tij. Në të njëjtën kohë, ishte krijuar një klasë oligarkësh pas lufte që vetëm po forcoheshin bashkë me grupin e biznismenëve të krijuar para luftës. Pabarazia sociale po rritej dita ditës me hapa të shpejtë. Politikat neo-liberale të zbatuara nga qeveritë e njëpasnjëshme, vetëm sa e përkeqësuan gjendjen ekonomike. Fokusi në investime të jashtme, infrastrukturë dhe bujqësi, nuk solli punësim, por vetëm krijoi mundësi të mëdha për korrupsion.
Korrupsioni
Një kauzë shumë e rëndësishme për rritjen e LVV-së është prania e madhe e korrupsionit. Buxhetet e njëpasnjëshme tregojnë se shpenzimet publike ishin fokusuar në projekte infrastrukturore (ndërtimin e rrugëve) dhe paga, e më vonë këtu u shtua subvencionimi i bujqësisë. Miliarda euro u shpenzuan në projekte megalomane autostradash. Këto bashkë me shpenzimet tjera në asfalt në përgjithësi krijuan mundësi të mëdha për abuzim me tendere dhe korrupsion. Më vonë grantet dhe subvencionet në bujqësi poashtu krijuan mundësi të arta për korrupsion për një grup të vogël njerëzish. Kurse pagat përdoreshin për të siguruar lojalitetin e punëmarrësëve në sektorin publik. Paga mesatare në sektorin publik vazhdimisht ishte më e lartë se në sektorin privat dhe një vend pune në sektorin publik është shumë atraktiv. Kjo mundësoi kapjen e shtetit ku njerëzit partiak dhe familjarët e disa politikanëve janë vendosur në të gjitha institucionet e shtetit, kështu duke krijuar institucione përgjithësisht joefektive. Në këtë ambient mesazhi i LVV-së për çkapjen e shtetit rezonoi me qytetarët.
Anti-kolonializmi dhe e drejta e vetë-vendosjes
Nuk duhet injoruar as aspektin anti-kolonial të rritjes së LVV-së. Dihet se fillimisht LVV doli në skenë duke kundërshtuar sundimin e UNMIK-ut në Kosovë. Në të njëjtën kohë LVV kundërshtoi negociatat me Serbinë duke u thirrë në të drejtën e Kosovës për vetë-vendosje. Në atë kohë ndodhi edhe procesi i decentralizimit që krijoi disa komuna të reja me shumicë serbe, proces të cilin e kundërshtoi fort LVV. Ishte pikërisht në ato zona (në Anamoravë), ku LVV së pari krijoi bazë të mbështetjes popullore jashtë Prishtinës. Më vonë e kemi procesin e vazhdueshëm të negociatave me Serbinë, nga i cili proces Kosova nuk fitoi diçka që ia vlenë të theksohet, që e energjizoi LVV-në. Kësaj duhet shtuar edhe ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në Kosovë, sidomos pas formimit të Listës Srpska, si dhe qasja e papenguar e industrisë serbe në tregun e Kosovës. Të gjitha këto rikujtojnë pozitën e nënshtruar të Kosovës në ish-Jugosllavi, ku trajtohej si koloni e brendshme. Rrjedhimisht edhe thirrjet për reciprocitet me Serbinë gjetën simpati te qytetarët.
Diaspora
Përfundimisht duhet vënë në pah rolin e diasporës. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, diaspora është rritur vazhdimisht, sidomos pas vitit 2015. Në të njëjtën kohë ajo është politizuar dhe emancipuar, sepse në momentin e daljes jashtë vendit, një qytetar del edhe nga rrjetet klienteliste partiake. Pra mërgimi në të njëjtën kohë nënkupton edhe emancipim politik për shumicën e atyre që mërgojnë. Në këtë kontekst diaspora e ka më lehtë të mbështesë partitë që nuk janë në pushtet. Pra ishte pikërisht diaspora ajo që i dha coup de gras partive të vjetra.
I pamë pra arsyet kryesore të rritjes së mbështetjes për LVV-në. Qysh në 2017-ën, kjo parti kishte dalë si partia më e madhe. Prandaj fitorja nuk ishte befasi, por marrja e mbështetjes te mbi gjysma e elektoratit ishte shokuese për disa vëzhgues. Konteksti i vitit 2021, ku patëm një gjendje të rëndë në terren, partitë tjera me lidership të paqartë, pjesëmarrje të lartë të diasporës dhe koalicionin mes LVV-së dhe krahut rugovist të LDK-së (Listës Guxo), pothuajse do të garantonte një rezultat të tillë.
02 mars 2021
14:55