Koronavirusi si fund i neoliberalizmit?

30 mars 2020 15:38

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar pengesa të mëdha në funksionimin e ekonomisë globale. Tashmë janë regjistruar miliona vende pune të humbura. Në shumë vende industria u detyrua të ndalojë punën, duke rezultuar në rënie drastike të emetimit të karbondioksidit. Tregtia botërore dhe vetë globalizimi ka marrë një goditje të rëndë.

Goditja globale

Në aspektin ekonomik dhe atë politik, ndikimi i pandemisë së koronavirusit është mjaft i madh. Kjo pandemi përbën një pikë kritike në kohë dhe shënon ndarjen e epokave para saj dhe pas saj. Për shkak të ndikimit të fortë në ekonomi, pandemia ka detyruar qeveritë e ndryshme të intervenojnë për ta parandaluar kolapsin ekonomik.

E veçanta e kësaj pandemie është se i ka prekur gjitha rajonet, dhe gati të gjitha shtetet e botës, edhe pse vdekshmëia nga virusi Kovid-19 nuk është aq e lartë. Kjo përhapje e gjërë ka bërë që ekonomia globale të ndikohet në mënyra qysh nuk ishte ndikuar nga pandemi tjera. Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit, shumica e qeverive kanë marrë masa të izolimit social që kërkon mosshkuarjen në punë në shumë sektorë ekonomikë. Kjo gjë ka ndikuar në rënien e aktivitetit ekonomik dhe humbjen e vendeve të punës.

Për t’u siguruar që këto dëme nuk janë permantete shumë qeveri kanë marrë masa ekonomike për ta mbajtur gjallë ekonominë. Disa nga masat janë ulja e ratave të interesit, ndihma për firma, por edhe pagesa të pagave për individë të punësuar në firma dhe të vetëpunësuar. Po ashtu masat tjera përfshijnë pezullimin e pagesave të kredive si dhe qirave e faturave të ujit e energjisë.

Fundi i neoliberalizmit?

E përbashkëta e këtyre masave është se janë në kundërshtim të plotë me koncensusin neoliberal që kërkon tkurrje sa më të fortë të shtetit. Në të njëjtën kohë pandemia ka vënë në pah rolin e madh që e kanë shërbimet publike në ekonomi dhe në funksionimin e shoqërisë, duke ofruar dëshmi kundër pikëpamjeve neoliberale që i japin rëndësi sektorit financiar dhe korporatave si aktorë kyç në shoqëri.

Pra janë tri goditje kryesore që ka marrë neoliberalizmi, e para vetë ndalimi i tregtisë globale për shkak të virusit, e dyta masat pro-shtetërore të ndërmarra nga qeveritë dhe e treta vënia në pah e rëndësisë së shërbimeve publike. Këto janë arsyet pse kjo pandemi duhet të përbëjë fundin e epokës së neoliberalizmit.

Por kjo gjë nuk është e garantuar se do të ndodhë, vetë pandemia i ka përkeqësuar pasojat e neoliberalizmit. Pabarazia veçsa rritet në kriza të tilla. Pamjet e njerëzëve që detyrohen të shkojnë në punë, edhe pse qeveritë bëjnë thirrje për të qëndruar në shtëpi, janë sa të dhimbshme aq edhe treguese për pabarazinë që ekziston. Pra virusi nuk i ka prekur të gjitha shtresat njejtë, dhe sigurisht se shtresat e mesme e të varfëra do të pësojnë më shumë. Prandaj, kjo pandemi ka rrezik që do të shfrytëzohet për të forcuar edhe më tej neoliberalizmin ashtu siç shfrytëzohet për ta forcuar autoritarizmin. Rreziku i zbatimit të kapitalizmit të katastrofës është i lartë.

Hapat urgjentë

Sikur në shtetet tjera edhe në vendin tonë, pandemia do të ketë efekt ekonomik. Pasojat ekonomike të saj mund të jenë shumë të rënda. Rreziku është i madh që të thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve. Por, çfarë mund të bëhet për të zbutur efektet e pandemisë?

Në afatin e shkurtë masat që duhet t’i merr qeveria për ta mbrojtur mirëqenien e qytetarëve janë: pezullimi i pagesave të kredive, faturave dhe qirave, dhe pagesa e një përqindje të pagave për puntorët e firmave të vogla e të mesme dhe të vetëpunësuarit që janë detyruar të mos punojnë. Gjithashtu duhet të krijohen pako me produkte kryesore ushqimore dhe higjienike dhe t’u shpërndahen qytetarëve. Këto duhet të jenë prodhime vendore për të parandaluar kolapsin e industrisë vendore. Poashtu, duhet të ofrohet transporti falas për punëtorët e sektorëve që janë të detyruar të dalin në punë.

Ndërkohë qeveria duhet të mendojë për pasojat më afatgjata të krizës dhe t’i zbusë ato. Duhet të transferohen të ardhura themelore, një shumë e caktuar për secilin individ, që ua mundëson familjeve ta përballojnë krizën. E më vonë, duke pasë parasysh edhe mundësinë e rikthimit të virusit, duhet të kufizohen importet e produkteve finale nga shtetet më të prekura, në mënyrë që t’i jepet hapësirë industrisë vendore t’i merr këmbët.

Këto janë vetëm disa nga masat që duhet t’i merr qeveria për ta ringjallur ekonominë. Se vend me ekonomi të dobët, masa të ngjashmë do të duhej të merreshin edhe ashtu. Mirëpo pandemia i bën këto masa urgjente. Ashtu siç në aspektin global pandemia po e godit fortë qasjen neoliberale në ekonomi, edhe brenda vendit duhet të instalohet një qasje e re ku realizohet roli adekuat i shtetit në ekonomi.

30 mars 2020
15:38

Seb Bytyçi