Qeveria LVV-LDK – çfarë programi?

27 shkurt 2020 12:01

Tashmë ka filluar punën qeveria e re dhe asaj i duhet një program me objektiva të qarta për t’i realizuar premtimet dhe marrëveshje mes dy partnerëve. Pikat e përmendura në marrëveshje përfshijnë shumë gjëra për t’u lavdëruar, por ka disa fusha me mangësi. Disa pika duken si synime të përgjithshme dhe disa tjera janë të ndjeshme në kuptimin se mund të shëndrrohen në politika të gabuara nëse zbatohen keq.

Votuesit i dhanë mandat LVV-së dhe LDK-së për të formuar qeverinë e re. Duke qenë se LVV vie nga qendra e majtë dhe LDK nga qendra e djathtë, kjo qeveri mund të quhet Qeveria e qendrës. Ka shumë mundësi për të bashkëpunuar këto parti nisur nga programet e shpalosura gjatë fushatës, dhe kjo vërehet në marrëveshjen mes tyre.

Pikat më të ngutshme janë ato fusha që nuk janë ideologjike, si reforma institucionale dhe lufta kundër korrupcionit. Do të ishte hap i mirë po të ishte përmendur në mënyre më eksplicite si pjesë e marrëveshjes së koalicionit përkushtimi për reformë administrative të shtetit (duke filluar me testin e shërbyesve civil). Gjithashtu duhet theksuar se fakti që këto dy parti nuk bënë marrëveshje për ndarjen e posteve jo politike nëpër borde e universitete, është fillim i mirë. LDK ka një të kaluar jo të mirë në këto fusha dhe duhet të dëshmohet se është e gatshme të jetë pjesë e ndryshimeve. Dhe si politikë jo-ideologjike janë ligjet kundër korrupcionit “me dhëmbë” si Ligji mbi pasurinë e pajustifikueshme, që është përmendur në marrëveshje..

Pika tjetër e bashkëpunimit janë programet kuazi universale si p.sh. ndihma për familjet (LDK) dhe ndihma për banim për çifte të reja (LVV). Këto lloj programe, edhe pse nuk janë universale ndikojnë pozitivisht në mirëqenie.  Këtu duhet gjetur pajtim se cilat premtime do të bëhen pjesë e programit qeveritar dhe deri në çfarë mase, sidomos pasi që si duket marrëveshja nuk përmban një pjeësë mbi çështje sociale.

Pastaj janë premtimet që nuk do të duhej të ishin ideologjike por që në ligjërimin tonë bëhen të tilla si psh politikat financiare si Fondi sovran e Banka zhvillimore. Këtu partitë mund ta kontrollojnë njëra tjetrën, gjë që mund të rezultojë në institucioneve të mirëbëra ku ka siguri që fondet nuk do të keqpërdoren për qëllime buxhetore por për zhvillim. Rrjedhimisht ndoshta do të ishte më mirë të krijohet një Bankë zhvillimore e jo Fond zhvillimor siç është përmendur në marrëveshje. Nuk do të ishte keq që të ketë një proces “brainstorming” të shkëmbimit të ideve ku do të buronin ide ndoshta pak më ndryshe se sa ato që janë premtuar në fushatë me ndërhyrjen e të dy partive e pse jo edhe të shoqërisë civile. Këtu e kam fjalën edhe për ide që kanë të bëjnë me krijimin urgjent të vendeve të punës, siç do të ishin garantimi i pagesave për puntorë të rinjë për firmat e mesme, gjë që e ka bërë UNDP më herët, apo edhe ndërtimi i një institucioni të ri të Mbrojtjes së parqeve nacionale.

Rreziku për vazhdim të politikave të dëmshme

Problemi me “qendrën” është se qendra ka lëvizur aq shumë djathtas sa që tashmë nuk mund të flitet për qendër të mirëfilltë, por për një qendër të djathtë. Psh. LVV shkallën më të lartë të tatimit që e propozon është 30% që nuk është fare politikë e majtë. Pra duhet të kihet kujdes që qendra mos të definohet në raport me pikën e ekstremit të djathtë ku jemi tani dhe politikat të dizajnohen sipas nevojave të vendit e jo sipas dogmave. Rrjedhimisht duhet pasë kujdes që programi të mos përfundoj një program djathtist që do ta vazhdonte frymën e deritashme të politikave të djathta.

Një pikë mjaft e rëndësishmë është infrastruktura. Është për t’u mirëseardhur fakti që partnerët premtojnë se nuk do të ndërtohet një autostradë e re si këto që janë ndërtuar deri tash. Mirëpo projekte tjera mund të devijojnë në projekte me kosto të lartë që ia pamundësojnë qeverisë realizimin e synimeve investive në ekonomi. Një nga ato projekte është ai për rrugën me tunel Prizren-Tetovë, që rrezikon të hajë shumë buxhet.

Gjithashtu, programi duhet të jetë më i detajizuar me objektiva më të qarta, sepse në marrëveshje vërehen mangësi në disa fusha, sidomos në administratë, arsim, bujqësi, çështje sociale dhe kulturë. Për shembull në bujqësi duhet të bëhet e qartë se investimet do të bëhen me synim kalimin në nivele më të larta të vargut të vlerës, e të iket nga prodhimi i lëndëve të para për tregje të huaja. Një program i mirëfilltë qeveritar do të ua mundësonte partnerëve t’i mbajnë premtimet si dhe qytetarëve që të kërkojnë më lehtë llogari nga qeveria.

 

27 shkurt 2020
12:01

Seb Bytyçi