Minishengeni – i mirë apo i keq?

04 shkurt 2020 11:29

Problemet kryesore me Minishengenin janë tri. Së pari, ai nuk kufizohet vetëm te lëvizja e lirë e udhëtarëve (që do të ishte në rregull), por zgjerohet në lëvizjen e lirë të mallrave e kapitalit. Së dyti, ai rrezikon të shndërrohet në zëvendësim për anëtarësim në BE. Dhe së treti, Minishengeni e ekspozon ekonominë e vendeve të rajonit ndaj industrisë serbe që është disa herë më e fortë. Pra ai është një Bashkim Ballkanik që nuk i ofron të mirat e BE-së por që na detyron t'i paguajmë kostot ekonomike të anëtarësimit në BE. Nuk e faktorizon Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë Veriore përmes anëtarësimit në BE, por i ekspozon ekonomitë e tyre ndaj një shteti më të industrializuar, Serbisë. Më poshtë do të shohim se pse nga Minishengeni përfiton vetëm Serbia për shkak të strukturës ekonomike e tregtare të rajonit. 

Industria e dobët

Serbia ka BPV (GDP) total 105,700 milionë dollarë, me përbërje: 9.8% bujqësi, 41.1% industri, dhe 49.1% shërbime. Shqipëria ka BPV (GDP) total 36,010 milionë dollarë, me përbërje: 21.7% bujqësi, 24.2% industri dhe 54.1% shërbime. Kosova ka BPV (GDP) total 19,600 milionë dollarë, me përbërje: 11.9% nga bujqësia, 17.7% nga industria, dhe 70.4% nga shërbimet. Maqedonia ka BPV (GDP) total 31,030 milionë dollarë, me përbërje: 10.9% nga bujqësia, 26.6% nga industria dhe 62.5% nga shërbimet.

Më e keqja është se sektori i prodhimit nuk tregon shenja serioze rritjeje. Nëse i krahasojmë të dhënat e tregtisë së mallrave për eksportet e vitit 2015 me ato të vitit 2014, pjesëmarrja e eksporteve mbetet pothuajse në nivel të njëjtë nga viti i kaluar, me një rritje vjetore rreth 0.2%. Dobësia e këtij sektori u pa edhe pas vendosjes së tarifës 100% ndaj Serbisë, ku prodhuesit e Kosovës nuk ishin në gjendje t'i zëvendësojnë sa duhet produktet serbe dhe shtetet e huaja përfituan më shumë nga kjo tarifë. As industria e Shqipërisë nuk qe në gjendje të zgjerohet në Kosovë për të garuar me atë serbe apo tjera.

Bilanci tregtar

Tregtia e mallrave kosovare në vitin 2018 kishte deficit tregtar në vlerë prej 2,979,5 milionë euro, që tregon për një deficit tregtar më të lartë për 11.6% krahasuar me 2017, ku edhe në këtë vit kemi bilanc negativ. Totali i eksporteve në këtë vit ishte 367,5 milionë euro, ndërsa importi 3,347,0 milionë euro. Eksporti mbulon importin vetëm për 11.0%.

Në periudhën katërvjeçare 2015-2019, vlera e eksporteve kosovare drejt vendeve të rajonit/CEFTA-s nuk bën as sa gjysma (48.75%) e vlerës së importeve nga ato vende. Raporti është 659,750,762.45 euro eksporte për 1,353,237,791.40 euro importe. 

Bilanci tregtar me vendet e Ceftës ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i keq. Në vitin 2015, importet nga vendet e Ceftës kishin vlerë, 779.3 milionë euro, kurse eksportet e Kosovës në ato vende kishin vlerë vetëm 123.7 milionë euro. Pra vlera e eksporteve ishte vetëm 16% e vlerës së importeve.
Domethënë për çdo euro që qesim jashtë vendit te shtetet fqinje vetëm 16 centë i fusim brenda.

Kjo ka ndikuar që në përgjithësi bilanci tregtar i Kosovës të jetë i tepër negativ. Importet nga vendet e Ceftës përbënin, 29.2% të importeve të përgjithshme në vitin 2015. Përqindja e mbulimit të importit me eksport zakonisht sillet rreth 10-12%. Totali i eksporteve në vitin 2015 ishte 325,2 milionë euro, ndërsa i importeve 2,634,6 milionë euro. Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me vetëm 12.3% në vitin 2015. Pra për çdo euro që qesim jashtë vendit, vetëm 12 centë na kthehen.

Për më tepër, statistikat tregojnë se deficiti tregtar po rritet. Në vitin 2015, deficiti tregtar ishte më i lartë për 4.3% krahasuar me vitin 2014. Kjo rritje e deficitit brenda një viti është shumë e lartë.

Ky bilanc tepër i keqtregtar, pasqyron politikat e gabuara. Këtu e kam fjalën për politika tregtare por edhe për ato investive, fiskale e monetare. Për më tepër dihet se shtetet e anëtare të CEFTA-s shpeshherë e kanë shkelë atë duke dëmtuar eksportet e Kosovës. Kurse Kosova ka vazhduar ta respektojë atë në mënyrë religjioze, pavarësisht prej sjelljes së anëtarëve tjerë. 

E ardhmja e Minishengenit

Nëse nisemi nga përvoja me shtetet e rajonit, e ardhmja e pjesëmarrjes në një treg të përbashkët (Minishengeni, apo sido që quhet) nuk duket shpresëdhënëse. Integrimi më i thellë me Serbinë, me strukturën ekzistuese ekonomike, do të ishte i dëmshëm pasi për Shqipërinë edhe për Kosovën. Për të përmirësuar bilancin tregtar me këto shtete, duhet që fokusi të zhvendoset te prodhimi/manufaktura dhe eksporti. Në gjendjen e tanishme, brenda një Minishengeni, industria serbe do t'i gllabëronte ato shqiptare. Dhe rajoni do të shndërrohej në terren të zgjerimit të kapitalit serb duke sjellë kështu një kolonizim të ri. 

 

04 shkurt 2020
11:29

Seb Bytyçi