Dridhja e shtetit

24 dhjetor 2019 14:44

Tërmeti që e goditi Shqipërinë ka shfaqur dobësitë institucionale në menaxhim të emergjencave si në Shqipëri edhe në Kosovë. Për më tepër tërmeti ka ekspozuar vendin ndaj shkeljeve qeveritare si dhe ndaj ndikimit të tepërt të huaj.

Tërmet institucional

Tragjedia që shkurtoi 51 jetë në Shqipëri, i vuri në pah mangësitë institucionale në menaxhim të emergjencave e më gjerë, me përjashtim të Shërbimit vullnetar në Shqipëri dhe FSK-së. Tashmë janë publikuar në media shifra të ndryshme të stafit e të fondeve për këtë lëmi që dëshmojnë se kjo fushë është e neglizhuar dhe ka nevojë për investime të mëdha. Për më tepër u panë mangësitë edhe në fushën ushtarake por edhe në sundim të ligjit. Ekziston shprehja se nuk ka “fatkeqësi natyrore”, sepse të gjitha fatkeqësitë shkaktohen nga pakujdesia e njerëzve në raport me natyrën. Ky tërmet e dëshmoi të vërtetë këtë shprehje sepse vuri në pah ndërtimet e dobëta dhe nevojën për të dhënë përgjegjësi për ndryshimin e ligjeve si dhe moszbatimin e ligjeve që do të parandalonin një tragjedi të tillë. Dobësia në reagim u vërejt edhe në moskoordinimin e pranimit të ndihmave, sidomos atyre nga Kosova.

Probleme në reagim u vërejtën edhe në Kosovë. Nuk pati asnjë përpjekje për koordinim të ndihmave që qytetarët po jepnin vazhdimisht për Shqipëri. Vetëm në ditën e gjashtë pas tërmetit një portal mediatik krijoi një bazë të dhënash për ndihmat. Kurse Agjencia e menaxhimit të emergjencave, nuk u vërejt fare në publik.

Mungesa e profesionalizmit në institucionet përkatëse nuk është rastësi. Gjatë studimeve të mia të specializimit kam gjetur se institucionet kanë mangësi të mëdha në punë, për shkak të ndikimeve politike, nepotizmit e parokializmit (provincializmit), ku simptomat janë të ndryshme si moskryerja e punës, favorizimi (p.sh. për udhëtime jashtë vendit), mungesa e përshkrimeve të qarta të punës, sabotazhi etj.

Dobësia e institucioneve vjen kryesisht nga faji i politikës. Partitë politike luajnë rol kyç në “rrjetet e punësimit dhe avancimit” në institucione, ku ndërveprojnë me nepotizmin dhe provincializmin. Kryesisht punësimi është bërë përmes partive dhe kjo ka betonizuar marrëdhënie klienteliste ku partitë presin vota nga të punësuarit dhe familjet e tyre si kompensim për punësim. Partitë kanë dështuar të krijojnë vende punë në sektorin privat dhe kështu e përdorin sektorin publik për punësim direkt dhe për vota.

Një trup koordinues Shqipëri-Kosovë

Le të shërbejë kjo dridhje institucionale si përkujtues se duhet të forcohen institucionet e shteit. Duhet një reformë e përgjithshme që e instalon profesionalizmin dhe meritokracinë. Fatmirësisht, unë kam gjetur se kjo është e mundur të bëhet nëse izolohen institucionet nga ndikimet e jashtme dhe nëse instalohen rrregullat e duhura meritokratike. Ka “ishuj të efektivitetit” në Kosovë (siç e dëshmoi FSK) por edhe në vende tjera me probleme të ngjashme. Nëse është e mundur që këta ishuj të ekzistojnë atëherë, me vullnet politik, mund të reformohen të gjitha institucionet e shtetit.  Po ashtu u pa nevoja e krijimit të një institucioni koordinues Shqipëri-Kosovë për emergjenca, gjë që është dëshmuar e nevojshme edhe më herët me ndërhyrjet gjatë vërshimeve ose ngujimeve për shkak të borës.

Autoritarizmi i katastrofës

Por, fatkeqësisht, deri më tash qeveria në Shqipëri ka nuk ka treguar se ka marrë mësimet e duhura nga tragjedia. Mangësitë e reagimit institucional janë kompensuar me performanca mediatike të kryeministrit Rama. Por ç‘është me e keqja katastrofa po shërben si shkas për të rritur autoritarizmin. Tashmë në ekonomi njihet koncepti i “kapitalizmit të katastrofës”, ku qeveritë shfrytëzojnë katastrofat për të zbatuar politika të dëmshme për popullsinë të cilat nuk do të ishin pranuar nga popullsia në kushte normale. Ajo që po ndodh në Shqipëri është instalimi i politikave autoritare gjatë kohës së katastrofës, siç u dëshmua me ligjin për shpifje.

Neokolonializmi i katastrofës

Gjithashtu, tërmeti e ka lënë të hapur vendin ndaj rritjes së ndikimit nga vendet tjera. Si dëshmi, marrëdhënia klienteliste mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Turqisë Erdogan u thellua, ku ky i fundit ishte adresë e KM Ramës për ndihmë dhe “ndërmjetësues” i panevojshëm me shtetet tjera. Këtu mund të shtohen edhe performancat fetare për t’iu përshtatur shijeve të patronit në këtë marrëdhënie patron-klient. Një fryt i kësaj marrëdhënie ishte vendimi për të blerë shtëpi të prodhuara nga firmat turke. Kjo është dëshmi se tërmeti vetëm se po i thellon marrëdhëniet neokoloniale të Shqipërisë me shtetet përreth. Sa për krahasim, nuk pati asnjë iniciativë që Shqipëria të blejë materiale ndërtuese nga Kosova, ose të bashkëpunojë me ndërmarrjet publike banesore në Kosovë për ndërtimin e shtëpive të reja, me gjithë ndihmën e madhe që dha Kosova.

Në vend se tërmeti të shërbejë për të forcuar kapacitetet vendore institucionale e ekonomike, e kundërta po ndodh. Qeveria po e thellon dobësimin e shtetit në favor të disa individëve e të rritjes së ndikimit të shteteve të huaja. Në rast të katastrofës së ardhshme, po krijohen kushtet për një tragjedi edhe më të madhe njerëzore dhe politike.

 

24 dhjetor 2019
14:44

Seb Bytyçi