27 nëntor 2019
14:57

Në këtë shkrim do të flas për shtetin zhvillimor dhe marrëdhënien mes tij dhe social demokracisë. Fillimisht do ta sqaroj konceptin e shtetit zhvillimor dhe më vonë do të diskutoj për raportin mes shtetit zhvillimor dhe social demokracisë.
Shteti zhvillimor
Shteti zhvillimor është shteti që ka kapacitet t’i mobilizojë resurset e vendit për ta transformuar vendin. Disa nga aspektet kryesore të shtetit zhvillimor janë profesionalizmi i administratës, prioritizimi i industrisë vendore (ose i prodhimit për eksport) dhe aleanca shtet-biznes-shoqëri civile. Pra për të mobilizuar resurset ekzistuese për të rritur prosperitetin e banorëve duhet një shtet zhvillimor. Këto janë shumë të rëndësishme për shtetet në tranzicion, sepse shtetet e Evropës lindore pas rënies së komunizmit kanë përjetuar shpeshherë edhe dështimin e shtetit (Amsden, Kokanovicz, Tejlor). Kjo nënkupton se së pari shteti zhvillimor duhet t’i forcojë institucionet e shtetit, që mes tjerash nënkupton se punësimet në burokraci nuk bëhen përmes nepotizmit ose lidhjeve klanore dhe nuk kemi ndërhyrje të politikës në administratë, pra duhet një byrokraci meritokratike neoveberiane.
Pos asaj, politikat ekonomike janë tepër të rëndësishme. Shteti zhvillimor e synon forcimin e industrisë vendore dhe prodhimin e produkteve që kanë vlerë të shtuar. Importimi i lëndës së parë promovohet në mënyrë që të përpunohet dhe pastaj produktet me vlerë të shtuar të eksportohen. Gjithashtu, makineria është shume e rëndësishme dhe importimi i saj duhet të nxitet.
Shumë autorë kanë dëshmuar se të gjitha shtetet që sot janë të modernizuara ose të industrializuara kanë ardhur në këtë nivel të zhvillimit me një rol shumë të fortë të shtetit, dhe jo vetëm me mbështetje te roli i sektorit privat ekonomik (Amsden, Evans, Xhonson, Leftuiç, Çang, etj). Domethënë vendet, nuk transformohen vetëm me agjencinë e agjentëve ekonomikë, por agjenti kryesor është shteti, sepse shteti luan një rol shumë te madh në ndihmën që iu jep edhe agjentëve ekonomik për transformimin e ekonomisë.
Demokracia
Me gjithë këtë, kur flitet konkretisht për konceptin e ‘shtetit zhvilllimor’ mendohet për mënyrën si është zbatuar nga Vendet e zhvilluara rishtasi (VZHR) pas Luftës së Dytë Botërore, ku përfshihen vende si Korea Jugore, Taivani e Singapori. Dhe një nga tiparet kryesore të zbatimit të shtetit zhvillimor në këto vende ka qenë fakti se ai është zbatuar nga qeveri djathtiste jodemokratike. Sidoqoftë, një nga pasojat e shtetit zhvillimor është se i rrit gjasat e dmokratizimit. Me zhvillim socio-ekonomik transformohen edhe marrëdhëniet politike nga marrëdhënie patron-klient në marrëdhënie meritokratike dhe demokratike. Dhe vetë përvoja e shteteve si Korea Jugore mund të mirret si evidencë për këtë. Sido që të jetë, edhe në këto vende është zbatuar një lloj social demokracie. Më poshtë do të shtjelloj më shumë këtë lidhje mes të dy koncepteve.
Social demokracia
Në praktikë social demokracia nënkupton zbatimin e politikave që zbusin pabarazinë dhe zbusin pasojat negative të kapitalizmit. Këto quhen edhe politika të shtetit të mirëqenies dhe shtylla kryesore janë transferet sociale, pra ndihmat e ndryshme e pensionet që u jepen kategorive të cenueshme. Politika tjera që janë tipare të social demokracisë përfshijnë edhe tatimet progresive, që domethënë se nivelet më të larta të të ardhurave tatohen më shumë. Duhet theksuar se këto politika janë shpeshherë të domosdoshme për një mirëqenia minimale si dhe stabilitet dhe kanë efekt mjaft të madhë. Për shembull Gjermania, para transfereve sociale është një nga shtetet më të pabarabarta, mirëpo transferet sociale e zbusin pabarazinë.
Shteti zhvillimor dhe ndërlidhja me social demokracinë
Një tipar tjetër i social demokracisë janë këshillat social-ekonomik ku përfshihen qeveria, sektori privat dhe sindikatat. Gjithashtu, shteti zhvillimor zakonisht është zbatuar me një marrëveshje sociale (“ujdia e madhe”). Kjo mund të nënkupton një marrëveshje në mes bizneseve dhe sindikatave për të parandaluar konfliktin social (Suedia është shembull tipik i kësaj). Kjo bëhet sepse zhvatja nga elitat duhet të ndalohet përmes arritjes së marrëveshjeve mes sektorëve të ndryshëm të shoqërisë që të parandalohet konflikti. Në Kore Jugore, diktatura ushtarake i ka detyruar bizneset që t’i pranojë politikat shtetërore zhvillimore, ku shteti ka luajtur një rol te rëndësishëm në zhvillim duke përkrahur industrinë e re. Aty poashtu ka pasë probleme me bandat kriminale, dhe përmes sportit Tae Këon Do, janë integruar anëtarët e bandave në shoqëri. Edhe në Bocuana ka pasë një ujdi të madhe mes sektorëve të ndryshoëm të shoqërisë duke përfshi fiset e ndryshme për menaxhimin e resurseve natyrore (diamanteve), që ka parandaluar konfliktin.
Në lidhjë me këtë që thash më lartë, autori Tornkuist propozon se janë katër procese që duhen për zhvillim social demokratik, pra paktet sociale/koalicionet e rritjes mes kapitalit e krahut të punës dhe krahut të punës dhe prodhuesve bujqësor; interesa e ide që përkthehen në kolektivitete politike demokratike; krijimi i lidhjeve të forta demokratike mes shtetit dhe shoqërisë; si dhe pranimi i të drejtave universale civile, politike e sociale që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe punën. Ka autorë që mendojnë se barazia sociale mund të jetë strategji zhvillimi (Moene). Pra barazia socio-ekonomike mund të jetë si parakusht për zhvillim social demokratik përmes organizimit të prodhimit dhe shpërndarjes së fitimeve. Nga kjo rrjeth argumenti politik për dialog social, të drejta sociale universale dhe politika më efektive për mirëqenie. Prej këtyre politikave përfitojnë punëtorët, dhe përmes jetesës më të mirë të tyre, përfiton edhe kapitali.
27 nëntor 2019
14:57