Politikat zhvillimore: financat zhvillimore dhe ndërmarrjet publike

29 tetor 2019 13:59

Në këtë shkrim do të listoj disa politika që mund të ndërmerren si pjesë e shtetit zhvillimor. Më herët kam shkruar për konceptin e shtetit zhvillimor dhe rëndësinë e tij për zhvillimin e vendit. Gjithashtu kam folur për ideologjinë e humanizmit që promovn politika pragmatike dhe të bazuara në evidencë. Duke pasë parasysh nevojat e vendit, më poshtë janë disa politika që mund të realizohen për zhvillim.

Financat sovrane dhe zhvillimore

Në sektorin financiar mund të themelohen Fondi Sovran, Fondi Zhvillimor dhe Banka Zhvillimore që investojnë në sektorë strategjikë, në kompanitë publike dhe në projekte afatgjata. Poashtu duhet të themelohet një bankë publike komerciale, Banka e kursimeve dhe e investimeve që do të ofronte rata më të mira për kursime dhe për huamarrje për projekte të vogla e të mesme zhvillimore. Ngjashëm do të funksiononte edhe Banka e Postës, që do të ndihmonte në orientimin e konsumit drejt sektorëve të qëndrueshëm e strategjikë. Kontributet në Fondin Sovran mund të jenë edhe nga tatimi i eksportit të lëndëve të para e mineraleve. Kjo do të siguronte se vendi përfiton nga burimet natyrore, por edhe do të nxiste industritë përpunuese në të njëjtën kohë. Themelimi i Kompanisë publike të sigurimeve, e cila do të investonte në bankat dhe fondet e përmendura më lart, do të ndikonte pozitivisht jo vetëm në sektorin e sigurimeve por edhe në shëndetësi. 

Fondet sovrane

Fondet sovrane janë bërë një mjet i rëndësishëm për të ndikuar në zhvillim dhe numri i tyre po rritet sidomos në shtetet me të ardhura të vogla dhe të mesme. Në Afrikën nën-sahariane numri i tyre po shkon drejt 20-it, ku përfshihen shtete si Nigeria e Bocuana. Për shkak të natyrës së tyre, ka mendime se këto fonde në shtete me të ardhura të ulëta duhet të kategorizohen si Fonde Sovrane Zhvillimore (FSZH) (shih Santiso). Pra FSZH-të do të ishin fonde sovrane specifike me qëllim të promovimit të zhvillimit. Santiso mendon se këto fonde po e ndryshojne hartën e ekonomisë globale, duke vendosur shtetet e nënzhvilluara në të njëjtin nivel të lojës me shtetet e zhvilluara si akterë financiarë. Ai kalkulon se nëse këto fonde e ndajnë vetëm 10% të portfoliove të tyre në vende në zhvillim kjo mund të sjellë rreth 1400 miliardë dollarë, që është një shumë më e lartë se e tërë ndihma zhvillimore e shteteve të zhvilluara. 

Tashmë fondet sovrane shihen si pjesë kyçe të strategjive për zhvillim për shtetet e nënzhvilluara, sidomos ato që kanë burime natyrore (Das dhe tjerë, Sandbu). Këto fonde mund të arrijnë disa qëllime të ndryshme. Ato mund të ndikojnë në zbutjen e luhatjeve të të hyrave nga burimet natyrore, në menaxhimin e lëkundjeve të valutës, në zhvillimin e kapaciteteve vendore ekonomike, në financimin e shërbimeve publike, në uljen e riskut në tregjet e kapitalit dhe si një instrument për të zvogëluar keqmenaxhimin e burimeve të shtetit (Dikson dhe Monk). Të njëjtit autorë, paralajmërojnë se suksesi i këtyre fondeve varet nga qeverisja e mirë dhe mandati i qartë i tyre. Gelb dhe të tjerët mendojnë se këto fonde mund të përdoren edhe për investime të brendshme mirëpo duhet pasur kujdes që ato të mos përdoren për synime politike. Duhet të ketë ndarje mes fondeve sovrane dhe institucioneve tjera sidomos atyre që kanë mandat të bëjnë investime.

Fondet sovrane shpesh mendohet se janë mjete për ndikim në politikën e jashtme, mirëpo autori Shih mendon se ato janë të ndikuara më shumë nga politikat e brendshme. Si shembull janë dy fondet sovrane të Singaporit të cilat u themeluan pikërisht për të garantuar zhvillimin vendor. Tash ato fonde kanë rol global por fillimisht nuk ishin themeluar për synime globale dhe u bënë aktorë globalë vetëm me rritjen e tyre për shkak të zhvillimit të Singaporit (Jeung). 

Banka zhvillimore dhe fondi zhvillimor

Çka është dallimi mes fondit zhvillimor dhe bankës zhvillimore? Fondi zhvillimor është vetëm një konto e veçantë e bankës qendrore ose ministrisë së financave. Kjo nënkupton se fondi zhvillimor është më i cenueshëm nga ndikimet politike dhe mund të mos jetë aq rigoroz sa banka zhvillimore.

Bankat zhvillimore kanë qenë një politikë e propozuar qysh nga autorët e parë që janë marrë me zhvillimin si Myrdal. Ato janë parë si zgjidhje për mungesën e financimit zhvillimor, sepse ato ofrojnë financim afatgjatë që e shpejton rritjen ekonomike. Kjo lidhet me idenë se kursimi dhe investimi lidhen me rritjen ekonomike. Ky lloj i bankave ka një rol të rëndësishëm dhe sidomos gjatë krizave financiare ekonomike duke luajtur rol kundërciklik përmes ofrimit të qasjes në kapital gjatë kohës kur bankat private nuk janë në gjendje ta bëjnë atë (De Luna-Martinez dhe Vicente). Bankat zhvillimore mund të luajnë rol të rëndësishëm për qasjen në kapital për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që përjashtohen nga bankat private (Këllpeper). Fillimisht këto institucione janë njohur si Institucione të Financave Zhvillimore (IFZH), mirëpo më vonë ato janë njohur si banka për shkak të forcimit të aspektit bankar të tyre (Bruk). Zakonisht këto janë institucione publike mirëpo ka edhe banka zhvillimore private ose të përziera. 

Bankat zhvillimore merren me investime në projekte afatgjata zhvillimore dhe brengosen me ndikim social të atyre projekteve. Ato poashtu ofrojnë shërbimet të ndryshme për firmat private për të rritur kapacitetet e tyre. Ato zakonisht evoluojnë ku në fillim më shumë fokusohen në ofrim të fondeve e më vonë edhe në ofrimin e shërbimeve tjera, sidomos në zhvillimin e kapitalit njerëzor (Torres dhe Zeidan). Kohëve të fundit ato kanë marrë rol të rëndësishëm në financimin e projekteve që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga ndryshimet klimatike (Serra dhe tjerë) Ekzistojnë rreth 550 banka zhvillimore në gjithë botën, ku 520 janë nacionale, që i bie se janë mesatarisht gati 3 banka për shtet (Bruk).

Përvoja (në vende si Brazil, Indi e Kinë) ka dëshmuar se këto bankat mund të luajnë rol të rëndësishëm në zhvillim përmes disa rrugëve. Ato, japin kredi afatgjata, dhe ofrojnë kredi kundërciklike në kohën kur bankat private shtrëngojnë duart. Ato mund të ndihmojnë rritjen gjithëpërfshirëse dhe promovimin e eksporteve. Ato mund të bashkëpunojnë me sektorin privat për të çelur rrugën e financimt privat, si dhe nxisin zhvillim urban të qëndrueshëm (Sprat dhe Baron). Thorn mendon se për të qenë të qëndrueshme bankat zhvillimore duhet të bazohen në gjashtë parime: ambienti mundësues, mandati i qartë, rregullimi dhe mbikëqyrja, qeverisja dhe menaxhmenti, qëndrueshmëria financiare, dhe vlerësimi i performancës. 

Banka komerciale

Ka dëshmi që pronësia shtetërore e bankave komerciale ndikon në rritjen e kursimeve (La Porta dhe tjerë). Dhe vendi ynë pikërisht vuan nga mungesa e kursimeve dhe prania e madhe e konsumit. Gjithashtu ka dëshmi se pronësia shtetërore ndikon pozitivisht në rritje ekonomike të paktën për një periudhë fillestare, në shtete ku sektori financiar është relativisht i pazhvilluar, e sidomos në shtete ku bankat private kanë qasje në kapital. Kosova i takon të dyja këtyre kategorive dhe një bankë komerciale publike do të ishte e dobishme për zhvillim. Përderisa pronësia shtetërore e të gjitha bankave do të ishte e dëmshme për zhvillim, duke u nisur nga evidenca nga shtetet me pronësi të tillë, e të cilat kanë edhe probleme tjera qeverisjeje, pasja e një banke komerciale shtetërore do të ishte e dobishme për rritjen e kursimit që do të kishte efekt në investime dhe në zhvillim. 

Kompanitë publike

Themelimi i kompanive publike është një politikë e njohur për zhvillim. Britania e Madhe kishte ndërmarrë një program të gjërë të themelimit të kompanive publike, qysh pas luftës së parë botërore, duke përfshirë fushat e transportit, gazit, e porteve (Dimok). Kjo politikë mund të jetë e suksesshme në Kosovë ku mund të bëhet themelimi i kompanive publike në sektorë të ndryshëm, për shembull mund të ringjallet Kosovatrans për transport pasgjerësh, të themelohet një kompani për transport mallrash që krijon lehtësime për firmat eksportuese të produkteve vendore. Po ashtu mund të krijohet një kompani publike për ndërtim banesor dhe një për shtrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Në të njëjtën kohë, mund të formohet një kompani publike për prodhimin e barnave për të furnizuar spitalet dhe shtëpitë e shëndetit. 

Ndërkohë, mund të bëhet themelimi i kooperativave ku punëtorët janë pronarë, p.sh. supermarkete ko-op. Tek kompanitë publike punëtorët mund të kenë hise deri në 20% të vlerës. Kurse tek kooperativat, shteti fillimisht mund të ketë hise deri në 20%, por që më vonë e kalon atë hise tek punëtorët. Këto kompani jo vetëm që ndikojnë direkt në punësim, por edhe në përmirësimin e të drejtave të punëtorëve në ato sektorë. Nëse punëtorët kanë mundësi të punësohen në kompani publike ose kooperativa që respektojnë të drejtat e tyre atëherë kjo i detyron firmat private t’i përmirësojnë kushtet e punës për t’i mbajtur punëtorët më të mirë. Ngjashëm me këtë koncept është edhe PPP, ose partneriteti publiko-privat, një koncept që është keqpërdorur shumë tashmë, mirëpo që mund të funksionojë në formë të ndërmarrjeve të përbashkëta (joint venture) mes investitorëve të huaj dhe kompanive shtetërore që siguron teknologji të huaj si dhe teknika të reja menaxhimi, gjë që Kina e ka bërë me sukses (Rondinelli). 

Këto janë disa nga politikat zhvillimore që mund të implementohen si pjesë e shtetit zhvillimor. Shteti zhvillimor nuk nënkupton vetëm investim në disa fusha ekonomike. Ai është një koncept më i gjërë që synon zhvillimin e vendit përmes reformave shtëterore e investimeve në fusha të ndryshme për të arritur synimet zhvillimore. 

 

29 tetor 2019
13:59

Seb Bytyçi