Transformimi dhe shteti zhvillimor

04 shtator 2019 09:46

Çka është transformimi? 

Transformimi nënkupton ndryshimin politik dhe socio-ekonomik të një vendi, që rezulton me demokraci dhe ekonomi funksionale të tregut. Pra ka disa aspekte, tranzicioni politik, ekonomik, në disa raste tranzicioni i pasluftës. Në thelb, fjala është për shëndrrimin e vendeve nga shoqëri tradicionale në ato moderne dhe të zhvilluara ku mbizotëron demokracia dhe standardi i lartë i jetesës. 

Kosova ballafaqohet me të gjitha këto lloje të tranzicionit dhe në Kosovë kemi një rast të “transformimit të thellë”. Politikisht, dihet jo të gjitha shtetet e kanë përmbyllur rrugën e tranzicionit nga komunizmi në demokraci. Tranzicioni nuk është një rrugë e drejtë prej pikës A drejt pikës B dhe disa shtete ndoshta kthehen prapa. Kemi dhe termin "në tranzicion" ose "in transition" që i shpjegon shtetet që gjithmonë janë në tranzicion. Për më tepër, në Kosovë mbijetojnë vlera politike paramoderne, ku ekziston sistemi patron-klient i marrëdhënieve politike (patronazhi ose klientelizmi). 

Kosova, ekonomikisht ka një ekonomi të llojit neokolonialist, ku eksportet kryesore janë nga lëndët të para (mineralet) dhe bujqësia, si në kohën kur vendi ishte koloni e Beogradit. Tranzicioni ekonomik jo vetëm që nuk ka përfunduar por deri më tash nuk ka qenë fare i suksesshëm, sepse privatizimi nuk ka sjellur zhvillim dhe varfëria po rritet. Për më tepër, nuk mund të thuhet se ka përfunduar edhe tranzicioni i pasluftës, sepse ende kemi çështje të hapura me Serbinë, si çështja e të pagjeturve. 

Si të bëhet transformimi? 

Si mund të kalojmë në stadin ku mund ta llogaritim veten një shtet evropian modern?  Disa shtete tashmë e kanë dëshmuar se një transformim është i mundshëm për një kohë relativisht të shpejtë. Dhe përgjegjja është te sinergjia mes shoqërisë civile dhe shtetit. Pra, duhet të instalohet shteti zhvillimor i cili në bashkëpunim me shoqërinë civile e transformon vendin. Të shohim çka nënkupton kjo.

Roli i shoqërisë civile dhe kapitalit social

Shoqëria civile forcohet përmes kapitalit social i cili krijohet nga besimi në njerëz të cilët nuk i ke të familjes së ngushtë. Fukujama thotë ato kultura ku ekziston besimi më i madh kanë një kulturë më të madhe qytetare dhe zhvillohen më shpejtë. Putnam thotë se qytet-shtetet historike të Italisë veriore kanë promovuar një kulturë qytetare më të fortë, një kulturë më pjesëmarrëse, e cila më pas është shndërruar në prosperitet socio-ekonomik dhe politik të mëvonshëm; dhe e krahason atë me Italinë jugore ku kanë mbizotëruar marrëdhëniet patron-klient, dhe e cila ka mbetur e pazhvilluar krahasimisht. 

“Familizmi Amoral” është koncept që përdoret për të shpjeguar sjelljen e njerëzve në vendet e prapambetura. Ky koncept nënkupton se “duhet të sillesh në atë mënyrë që e maksimizon profitin afatshkurtër të familjes së ngushtë dhe duhet të supozosh se të gjithë njerëzit e tjerë do të sillen në atë mënyrë”. Familizmi Amoral çon deri te ulja e besimit tek njerëzit e tjerë, të cilët nuk i ke të familjes apo të fisit. Të njëjtin term e ka përdorur edhe për kulturën shqiptare antropologia Xhanet Rajnek. Është një term që është i dobishëm nëse dëshirojmë të diskutojmë se si të dalim nga gjendja ku jemi.

Familizmi Amoral nënkupton se njerëzit përkujdesen vetëm për hapësirën personale, për shtëpinë e vet, për ato që janë brenda oborrit të vet dhe nuk mërziten për atë që është jashtë oborrit të vet, jashtë mureve. Muret që i ndërtojnë shqiptarët janë simbolika më e mirë e kësaj. Çfarë ndodh jashtë mureve, jashtë gardhit nuk ju intereson dhe kjo rrjedhimisht nënkupton se ajo hapësira që është publike, ajo hapësira e përbashkët mbetet pa përkujdesje dhe rrjedhimisht shoqëria mbetet në një stad më të pazhvilluar, nuk ka as prosperitet ekonomik e as politik. 

Kjo mund ta paraqesë një situatë të pashpresë, sidoqoftë ky shpjegim nuk është disfatist por, në të kundërtën, i domosdoshme për të kuptuar gjendjen ku jemi. Për të dalur nga kjo gjendje ka disa koncepte që ndihmojnë. Çdo kulturë i ka disa leva të veta të cilat ndihmojnë për t’i përmbysur aspektet e këqija të asaj kulture dhe për t’i nxjerrë në pah ato të mira. Kultura shqiptare i ka konceptet si besa dhe burrnia të cilat janë mjaft të rëndësishme. E dimë se pikërisht me këto koncepte është bërë pajtimi i gjaqeve në vitet e 90ta dhe mund të konsiderojmë se këto koncepte mund të përdorën për një emancipim shoqëror i cili do të çojë në një prosperitet ekonomik më të madh. Makiavelli ka folur për konceptin Virtu që përkthehet ndoshta si virtyt, por virtyt nuk është koncepti më i ngjashëm me Virtu. Koncepti më i përafërt që ekziston në një gjuhë tjetër (nga italishtja e Makiavellit) me Virtu është Burrnia. Vetë fjala Vir (nga rrjedh fjala Virtu, që vjen nga latinishtja) dhe Burrë, kanë ngjashmëri. Kjo nuk nënkupton që vetëm meshkujt mund të jenë “burrnor”, por edhe femrat munden; ka “burrnesha” siç e dimë edhe nga tradita popullore. Ndoshta për dikënd ky është koncept problematik, sidoqoftë është koncept që ekziston te shqiptarët me mijëra vite, jo vetëm prej kohës së Lekë Dukagjinit dhe është vështirë të eliminohet nga kultura ky koncept. Në procesin e transformimit koncepte të tilla janë të dobishme dhe ndoshta të patjetërsueshme për krijimin e kapitalit social dhe lehtësuar transformimin. Disa organizata rinore vetem se e kanë përdorur këtë koncept për të ndryshuar qëndrimet e djemve të rinj ndaj marrëdhënieve gjinore (fushata Bonu burrë). Koncepte tjera tradicionale të dobishme janë kujria, apo prona e përbashkët dhe kuvendimet/logjet ku diskutohej menaxhimi i pronave të përbashkëta (kullotave, ujërave, pyjeve etj). 

Pajtimi i gjaqeve është një shembull se si janë përdorur këto koncepte tradicionale për të ndryshuar shoqërinë. Një lloj “besëlidhje” e tillë mund të promovohet për të krijuar mirëbesim më të madh mes qytetarëve për të mbrojtur të përbashktën. Kuvendet e qytetarëve mund të organizohen për të diskutuar politikat më të mira (një gjë e tillë – Citizens’ Assembly - ka ndodhur tash në Irlandë dhe Skoci, por edhe në Bosnje qytetarët organizuan pleniume).

Shteti zhvillimor dhe sinergjia me shoqërinë civile

Përveç mobilizimit të shoqërisë civile, gjëja kryesore që është me rëndësi për diskutimin sesi të dalim nga gjendja ku jemi, është koncepti i shtetit zhvillimor. Shtetet paramoderne janë zhvatëse ku nga shteti përfitojnë vetëm elitat në pushtet, siç është rasti tek ne. Mirëpo çfarë duhet të bëjë shteti? Çka është shteti zhvillimor? 

Diskutimi për rolin e shtetit është dominuar nga diskursi i dikotomisë majtist-djathtist. Gjëja e parë që duhet ta kuptojmë është se nuk ka kuptim fare të flitet për djathtizëm e majtizëm kur është fjala për vende në zhvillim. Shumë autorë kanë dëshmuar se të gjitha shtetet që sot janë të modernizuara ose të industrializuara kanë ardhur në këtë nivel të zhvillimit me një rol shumë të fortë të shtetit, dhe jo vetëm me mbështetje te roli i sektorit privat ekonomik (Amsden, Evans, Xhonson, Leftuiç, Çang, etj). Domethënë vendet, nuk transformohen vetëm me agjencinë e agjentëve ekonomikë, por agjenti kryesor është shteti, sepse shteti luan një rol shumë te madh në ndihmën që u jep edhe agjentëve ekonomikë për transformimin e ekonomisë. Rrjedhimisht, pastaj me zhvillim socio-ekonomik transformohen edhe marrëdhëniet politike nga marrëdhënie patron-klient në marrëdhënie meritokratike dhe demokratike. 

Shteti zhvillimor është shteti që ka kapacitet t’i mobilizojë resurset e vendit për ta transformuar vendin. Disa nga aspektet kryesore të shtetit zhvillimor janë profesionalizmi i administratës, prioritizimi i industrisë vendore (ose i prodhimit për eksport) dhe aleanca shtet-biznes-shoqëri civile. Këto aspekte janë shumë të rëndësishme për shtetet në tranzicion si Kosova, sepse shtetet e Evropës lindore kanë kaluar në një gjendje paramoderne pas rënies së komunizmit për shkak të dështimit të shtetit (Amsden, Kokanovicz, Tejlor). Rrjedhimisht për të mobilizuar resurset ekzistuese për të rritur prosperitetin e banorëve duhet një shtet zhvillimor. Kjo nënkupton se punësimet në burokraci nuk bëhen përmes nepotizmit ose lidhjeve klanore; nuk kemi ndërhyrje të politikës në administratë, pra duhet një byrokraci meritokratike neoweberiane.  

Politikat ekonomike janë tepër të rëndësishme. Shteti zhvillimor e synon forcimin e industrisë vendore dhe prodhimin e produkteve që kanë vlerë të shtuar. Importimi i lëndës së parë promovohet në mënyrë që të përpunohet dhe pastaj produktet me vlerë të shtuar të eksportohen. Gjithashtu, makineria është shume e rëndësishme dhe importimi i saj nuk duhet të tatohet. Deri më tash Kosova ka ndërmarrë politika të kundërta me këto. Edhe taksa e shumëpërfolur ndaj Serbisë ka dëmtuar prodhimin vendor duke tatuar lëndët e para.

Gjithashtu, shteti zhvillimor nënkupton një lloj marrëveshje në mes bizneseve dhe sindikatave për të parandaluar konfliktin social (Suedia është shembull tipik i kësaj). Zhvatja nga elitat duhet të ndalohet përmes arritjes së marrëveshjeve mes sektorëve të ndryshëm të shoqërisë që të parandalohet konflikti. Në Kore Jugore, ka pasë problem me bandat kriminale (gangs), dhe përmes sportit Tae Kwon Do, janë integruar anëtarët e bandave në shoqëri. Natyrisht, në Korenë Jugore, shteti ka luajtur një rol te rëndësishëm në zhvillim duke përkrahur industrinë e re. Bocuana është një prej shteteve më të pasura në Afrikë. Duke parë rrezikun që të bëhen shtet i dështuar politika, biznesi dhe shoqëria civile, kanë arritur marrëveshje duke përdorur koncepte tradicionale. Shumë shtete si këto që i përmenda janë raste shpresëdhënëse për shtetet tjera në zhvillim. Me instalimin e shtetit zhvillimor dhe mobilizimin e shoqërisë civile përmes një marrëveshjeje, besëlidhjeje, mund të shndërrohemi në një vend modern të shekullit 21. Në të kundërtën rreziku është që të bëhemi shtet i dështuar.

 

04 shtator 2019
09:46

Seb Bytyçi