Tranzicionet e Kosovës

03 korrik 2019 15:25

Këtu do të flas për tranzicionet e Kosovës ose transformimin e Kosovës. Unë kam përdorur termin tranzicionet e Kosovës për të kuptuar shumëllojshmërine e proceseve të transformimit.

Çka është transformimi?

Përvoja e shteteve të Evropës lindore ka nxitur studimin e transformimit edhe më shumë. Idea është që të kuptohet më mirë se si shtetet kalojnë nga një sistem politik, p.sh siç ka qenë komunizmi në një sistem politik tjetër siç është demokracia apo demokratizimi. Mirëpo transformimi ka edhe aspekte tjera shumë të rëndësishme; aspekti ekonomik – transformimi nga një ekonomi të kontrolluar në ekonomi të tregut; pastaj disa shtete ballafaqohen edhe me lloje tjera të tranzicionit sidomos shtetet si Kosova p.sh tranzicioni i pas luftës, ku mbetet relevante pyetja kur përfundon periudha e pasluftës dhe kur kalon periudha normale e zhvillimit? Dhe pastaj kemi transformimin që ndoshta është ai më i rëndësishëm, transformimi nga një shoqëri tradicionale në një shoqëri moderne.

Transformimi shumë vonë ka filluar të teoretizohet ose të problematizohet gjerësisht; kryesisht në fillim të viteve ‘90ta, është diskutuar mjaft shumë çështja e transformimit të shteteve të Evropës lindore, nga komunizmi në kapitalizëm dhe atëherë ishte deklaruar se liberalizmi perëndimor kishte fituar luftën ideologjike dhe ka një fund te historisë (Fukujama). (Zhvillimet e mëtejshme treguan se ajo nuk është e vërtetë dhe historia vazhdon.)

Tranzicioni politik

Ajo që ia vlen të theksohet është se ka tashme teoricienë që e propozojnë përdorimin e transformimit si një paradigmë që synon ta vendosë shkencën sociale në funksion të zhvillimit ose transformimit të shoqërive ose shteteve (Andreas Pikell). Sa i përket tranzicionit politik, në fillim të viteve të ‘90ta ka pasë një entuziazëm shumë të madh se të gjitha shtetet komuniste po shkojnë drejt demokracive dhe po rritet numri i demokracive në botë. Hantington ka shkruar për valën e tretë të demokratizimit pas demokratizimit të shteteve të Amerikës latine dhe te Evropës jugore.

Demokratizimi i shteteve te Evropës lindore është parë si fitore e madhe për demokracinë si regjim. Mirëpo ajo që ka ndodhur është se jo të gjitha shtetet e kanë përmbyllur rrugën e tranzicionit. Është kuptuar që tranzicioni nuk është një rrugë e drejtë prej pikës A drejt pikës B dhe disa shtete ndoshta kthehen prapa. Tomas Karrothers ka qenë fillimisht ai që ka diskutuar këtë çështje, sipas të cilit e gjithë paradigma e tranzicionit duhet te braktiset se nuk është e dobishme dhe shtetet nuk duhet të kenë iluzione se shkojnë drejt demokracisë patjetër; domethënë dihet pika A, dihet prej kah po vjen një vend mirëpo nuk dihet pika B, nuk dihet destinacioni. Pastaj është propozuar termi "në tranzicion" ose "in transition" që domethënë se ka disa vende që gjithmonë janë në tranzicion ose shtetet nuk dalin nga tranzicioni. Pastaj disa autorë tjerë flasin për disa lloje tjera të regjimeve në këto shtete që nuk e kanë përmbyllur tranzicionin drejt demokracisë. Zakonisht përdoren terma të ndryshëm që e kualifikojnë demokracinë, Farid Zakaria e përdor termin "demokracia joliberale", pastaj ka terma tjerë p.sh. Autoritarizmi konkurrent ose autoritarizmi kompetitiv që nënkupton që ka garë në mes partive te ndryshme në një shtet mirëpo s’ka demokraci të vërtetë. Këtu përfshihen Shqipëria, Ukraina, Moldavia etj. të cilat nuk e kanë përfunduar tranzicionin.

Ka vende që bëjnë kthim mrapa vonë, shumë kohë pasi që konsiderohet që kanë përmbyllur tranzicionin – e kemi rastin e Hungarisë e cila tashmë është edhe anëtare e BE-së, por ka bërë një kthim prapa sa i përket demokracisë. Pastaj te rasti i Kosovës shumë e rëndësishme është periudha e pasluftës. Çështja e tranzicionit apo daljes nga periudha e pasluftës mbetet relevante. Sepse lufta është një ngjarje traumatike për një shoqëri. Përveç që është traumatike në aspektin psikologjik dhe politik është e dëmshme edhe në aspektin ekonomik.

Tranzicioni i pasluftës

Ekonomia e Kosovës nuk mund të themi se i ka marrë këmbët prej përfundimit të luftës. Përveç numrit të madh të objekteve që janë shkatërruar, ka pas edhe asete tjera që Kosova i ka humbur gjatë luftës. Për shembull, nëse e marrim bujqësinë, para luftës Kosova i ka pasë 430 mijë kokë gjedhe kurse tash i ka rreth 200 mijë. Domethënë edhe sektorë të ekonomisë ku mendojmë që kemi përparësi janë shumë të dëmtuar nga lufta; mos të flasim për dëme në njerëz, e për shpërnguljen e njerëzve. Sepse shpërngulja e njerëzve është shumë me rëndësi, sidomos ikja e trurit. Zakonisht njerëzit ose njerëzit ndërmarrës, inovativ luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e një shoqërie dhe ekziston një teori e zhvillimit që thotë se sa ma shumë njerëz që ka një shtet aq më shumë njerëz të mençur ka ai shtet dhe aq më shpejt ai shtet do të zhvillohet.

Përveç dëmeve kemi edhe çështjen e të pagjeturëve, domethënë kjo nënkupton që ndoshta kurrë nuk përfundon periudha e pasluftës deri sa të gjitha familjet ta dinë çfarë ka ndodhur me familjarët e tyre. Lufta ka prodhuar edhe kriza sociale të cilat nuk ka mundur të i zgjidhë shoqëria kosovare.

Tranzicioni ekonomik

Ekonomia, tranzicioni ekonomik kryesisht supozon se shtetet kalojnë nga një ekonomi e kontrolluar në një ekonomi të tregut. Natyrisht, supozohet që gjithçka do të shkoj mirë pa kurrfar problemi.

Mirëpo ajo çka vlen për shtetet si Kosova është se edhe ekonomia nuk ka qenë ekonomi tipike si e ajo shteteve të tjera të Evropës lindore, sepse ka qenë ekonomi e bazuar në lëndën e parë ose mundemi ta quajmë si një ekonomi kolonialiste. Kosova mund të llogaritet si ekonomia e vetme ne Evropë ku janë zhvilluar më shumë sektorët që kanë pas të bëjnë me industri ekstraktuese ose nxjerrjen e lëndëve të para, ku nuk ka përpunim, nuk shtohet vlerë, dhe eksportimin e tyre kryesisht brenda Jugosllavisë në republika ku janë përpunuar mineralet, ku shtohet vlerë dhe natyrisht edhe përfitimet janë edhe me te mëdha. Ju kujtohet slogani “Trepça punon Beogradi ndërton”. Dhe, pak-a-shumë, duhet ta dijmë, se ajo gjendje e ekonomisë që ka qenë atëherë është edhe tash. Kryesisht kemi të bëjmë me lëndë të para dhe me bujqësi që mbizotërojnë në prodhim dhe eksport.

Tash është zhvilluar shumë sektori i shërbimeve që më shumë nënkupton tregtinë, mirëpo tregtia nuk sjell zhvillim ekonomik. Tregtia është e mirë kur ke çka shet, por kur nuk ke çka shet tregtia (e pakontrolluar) nuk është e mirë. Përveç asaj, tregtia mund të të mbajë në një nivel të varfërisë përgjithmonë nëse je i detyruar të eksportosh vetëm lëndë të para ose prodhime bujqësore sepse dihet se këto sektorë kanë pak vlerë në krahasim me ato produkte që i prodhojnë ekonomitë e  avancuara ku përpunohen këto eksporte dhe rrjedhimisht edhe përfitimet janë më të mëdha.

Diaspora luan një rol të rëndësishëm në ekonominë kosovare, kryesisht duke dërguar para me të cilat  blihen produktet që importohen nga shtetet tjera. Domethënë mund ta quajmë një rreth vicioz, ku diaspora dërgon para për konsum, konsumuesit vendorë blejnë produkte që nuk prodhohen në Kosovë dhe vazhdon kështu kjo storie në pafundësi përderisa nuk ndodh diçka që ndërprenë këtë rreth vicioz. (Edhe tatimet ndaj produkteve të Serbisë nuk kanë ndikuar këtu, sepse ato janë zëvendësuar me produkte të vendeve tjera e jo ato vendore).

Diçka që duhet përmendur patjetër është privatizimi. Privatizimi është diçka që ka ndodhur pothuajse në të gjitha shtetet komuniste, në Evropën lindore. Kosova është gjithashtu një vend që i ka hyrë këtij procesi mjaft me vrull dhe tash ky proces mund të vazhdojë me privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha publike, si PTK, pasi janë privatizuar aeroporti, e KEDS-i. Dhe kjo gjithashtu shihet si solucioni i vetëm për shtetet në tranzicion. Mirëpo, kjo është dëshmuar se nuk është e vërtetë. Këtu duhet të theksojmë se ka shumë variacione të rregullimit të ekonomisë. E kemi shembullin e Sllovenisë dhe Çekisë që nuk kanë ndjekur shabllonin e privatizimit të shpejtë ose shok-terapisë që ka ndodhur në shumë shtete tjera të Evropës lindore dhe që kanë pasur një zhvillim më të mire, më stabil, më të shpejtë për t’u barazuar të ardhurat e qytetarëve me ato të Evropës perëndimore. Sa i përket kësaj, ekziston një teori që quhet “llojet e kapitalizmit” që nënkupton se ka disa lloje të kapitalizmit që mund te aplikohen për t’u arritur barazimi i nivelit të mirëqenies ekonomike.

Ku gjendet Kosova?

Pozitën e Kosovës duhet ta shohim si mes traditës dhe modernes, ose më mirë ta quaj, mes paramodernes dhe modernes. Kosova tani gjendet në një pozicion, siç thotë populli “as me shehër as me katund” ku ekonomia e saj, shoqëria e saj nuk është modernizuar plotësisht. Sepse industrializimi që ka ndodhur pas Luftës së II-të Botërore në Kosove nuk ka qenë i plotë. Dhe përveç asaj kemi pas një kthim në traditë ose në një gjendje paramoderne në vitet e 90-ta kur shumica ose të gjithë punëtorët shqiptarë janë larguar nga puna dhe janë detyruar të merren me bujqësi mbijetuese për të siguruar jetesën. Atëherë është rritur edhe numri i njerëzve që kanë shkuar në diasporë dhe atëherë është krijuar kjo gjendja qe ekziston edhe tani, ky rrethi vicioz që e përmenda më herët. Pra, Kosova ende mbetet në mes të këtyre tranzicioneve, dhe fatkeqësisht nuk duket se përfundimi i tyre është afër.

03 korrik 2019
15:25

Seb Bytyçi