Korrupcioni i ligjshëm

10 qershor 2019 09:48

Shpenzimet e mëdha të bëra për autostradën e sapopëruruar Prishtinë-Hani i Elezit, si dhe shpenzimet e paarsyeshme që bëhen në paga dhe mëditje në qeveri, duhet të shqyrtohen në prizmin e korrupsionit. Gjatë hulumtimeve të mia mbi çështjen e korrupsionit në Kosovë, kam hasur në gjetjen befasuese se korrupsioni zakonisht praktikohet pa u shkelur ligjet, pra është i ligjshëm. Ky tipar i korrupsionit po vërtetohet në forma të ndryshme. Në nivelin global, zbulimi i Dosjes së Panamasë, si dhe raste të ngjashme, kishte efektin e përçimit të pikërisht këtij mesazhi, se korrupsioni përveç që është i përhapur në gjithë botën është fenomen që ndodh kryesisht brenda ligjit.

Evazioni dhe shmangia e tatimeve

Tashmë disa skandale, si rrjedhja e dokumenteve të kompanisë Mossack Fonseca që publikoi aktivitetet jo të hijshme të shume liderëve botërorë si dhe firmave private, kanë dëshmuar përhapjen e madhe të korrupsionit. Për shumë kjo mund të ketë qenë befasuese, mirëpo për ata që kanë ndjekur çështjet e evazionit fiskal shmangies së tatimeve dhe “strehave tatimore” informatat e publikuara nuk ishin befasuese. Tri janë mësimet kryesore nga këto zbulime si dosja e Panamasë. Le t’i shohim më poshtë.

Korrupsioni në shtetet e zhvilluara

Së pari, korrupsioni është i përhapur tek shtetet e zhvilluara ashtu sikurse te shtetet në transformim. Kjo është me rëndësi, sidomos për ligjërimin publik që u drejtohet shteteve në zhvillim/tranzicion. Ky ligjërim publik nga institucionet ndërkombëtare dominohet nga ideja se shtetet në transformim janë të korruptuara, përderisa ato të zhvilluara nuk janë të tilla. Perveç përmbajtjes raciste, problemi me këtë ligjërim është se çon drejt politikave të gabuara. Për shembull një studim mbi Shqipërinë ka dëshmuar sesi retorika anti-korrupsion përdoret për të instaluar neoliberalizmin si ideologji ekonomike. Për më tepër, “natyra e korruptuar” e popujve në tranzicion përdoret për të arsyetuar dështimin e politikave të gabuara ekonomike. Kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen nga domeni i politikave ku duhet të jetë i vendosur debati mbi dështimet zhvillimore, në domenin e “kulturës” koncept shumë problematik në atë debat.

Korrupsioni në sektorin privat

Së dyti, korrupsioni është shumë i përhapur në sektorin privat. Kjo është gjithashtu me rëndësi, sepse ligjërimi publik mbi korrupsionin, ekskluzivisht fokusohet te sektori publik. Krijohet përshtypja se vetëm sektori publik ka korrupsion, dhe rrjedhimisht zgjidhja e problemit të korrupsionit ëdhtë privatizimi, sepse sektori privat shihet si esencialisht i pastërt. Kjo pikëpamje është shumë problematike. Korrupsioni është mjaft i përhapur në sektorin publik. Përveç evazionit fiskal, ka edhe probleme tjera me tenderimin, punësimin e aspekte tjera të korrupsionit. Pra fenomenet korruptive që ndodhin në sektorin publik ndodhin edhe në atë privat, dhe për më tepër sektori privat përlyhet edhe me gjëra si evazioni fiskal.

Korrupsioni i ligjshëm

Së treti, siç e përmenda më herët, e edhe në titull, korrupsioni kryesisht është i ligjshëm. Evazioni fiskal në sasi kaq të mëdha nuk do të mund të ndodhte po të mos ekzistonin ligjet që e mundësojnë një gjë të tillë. Nuk e kam fjalën vetëm për ligjet në vendet që njihen si streha tatimore, si Panamaja, por për ligjet e vendeve tjera të cilat ua mundësojnë firmave mospagimin e tatimeve. Në fakt, një nga strehat tatimore kryesore është vetë SHBA-ja ku disa shtete kanë ligje që mundësojnë ikjen nga tatimi për korporata. Korrupsioni është kaq i përhapur sepse ligjet e mundësojnë atë, sidomos për korporatat e mëdha. Pra këtu kemi të bëjme edhe me standarde të dyfishta të drejtësisë, ku të mëdhejtë nuk ndiqen, por vegjëlia vuan edhe nga zbatimi selektiv i ligjeve edhe nga pasojat e korrupsionit.

Korrupsioni brenda ligjit

Ka shumë shembuj sesi ndodh korrupsioni brenda ligjit. Unë kam hasur në fenomenin e vizitave jashtë shtetit në byrokracinë kosovare, ku favorizohen zyrtarët që shkojnë në ato vizita sepse ato sjellin benefite financiare dhe jofinanciare. Aty asnjë ligj nuk shkelet, mirëpo korrupsioni ndodh. Fenomene të ngjashme janë të përhapura në institucionet shtetërore.

Mirëpo, forma të korrupsionit ligjor mund t’i konsiderojmë edhe disa politika kontraverse të cilat i njohim të gjithë. E kam fjalën për investimin në projekte të mëdha infrastrukturore. Qeveritë e njëpasnjëshme e kanë shitur këtë lloj investimi si strategji zhvillimi. Por, faktet po tregojnë të kundërtën, se ato nuk sollën zhvillim. Përkundrazi ato politika mund të thuhet se kanë ndikuar në rritjen e korrupsionit. Edhe nëse nuk është shkelur asnjë ligj, korrupsioni lulëzon aty. Firmat që përfitojnë nga këto politika janë të lidhura ngushtë me politikanët që i ndërmarrin ato. Shpeshherë, vetë politikanët janë pronarë të vërtetë të atyre firmave, edhe pse formalisht emra të tjerë figurojnë si pronarë. Pra, politikanët përfitojnë vetë nga këto projekte edhe nëse asnjë ligj nuk shkelet.

 

10 qershor 2019
09:48

Seb Bytyçi