05 qershor 2019
09:33

Këto ditë u përurua autostrada Prishtinë-Hani i Elezit, Arbën Xhaferi. Kjo gjë vetëm sa vuri në pah koston e lartë të ndërtimit. Për të parë prioritetet qeveritare në shpenzime, vëmendje meriton përmbajtja e buxhetit.
Deri më tash ka pasur shumë komente për pjesën e buxhetit që u kushtohet shpenzimeve administrative. Është e vërtetë se ka tepër shpenzime të kota në institucionet kosovare. Kjo vërehet nga linjat tek kategoritë e pagave dhe mëditjeve, si dhe mallrave e shërbimeve por edhe nga numri i madh i ministrive, zëvendësministrave e këshilltarëve të tyre politikë. Shuma të mëdha parash shpenzohen për telefona, dreka e darka dhe vizita zyrtare jashtë vendit. Këto para do të shpenzoheshin më mirë nëse u dedikohen mjekëve apo arsimtarëve, si dhe investimeve në industri.
Dominimi i sektorit publik dhe dobësia e sektorit privat
Shuma prej 620 milionë euro (590 më 2018, 550 më 2017, 549.1 më 2015) që do të shpenzohen në paga dhe mëditje tregon se sa rol të madh ka në ekonominë e Kosovës sektori publik. Punëdhënësi më i madh është padyshim sektori publik, që dominon rreth dy të tretat e tregut të punës në krahasim me sektorin privat. Dhe një nga organizatat më të mëdha punëdhënëse është pikërisht administrata publike. Kjo tregon se sa i pazhvilluar është sektori privat dhe sa i paaftë për të krijuar vende të punës ka qenë ky sektor. Të gjitha qeveritë e deritashme, si mënyrë të vetme të marrjes me problemin e papunësisë e kanë parë punësimin e njerëzve në sektorin publik.
Nëse i shikojmë disa linja buxhetore do ta shohim sa mirë i ilustrojnë ato prioritetet e qeverisë. Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë ka një buxhet shumë të vogël prej 10.7 milionë euro në krahasim me ministritë e tjera si ato të infrastrukturës e bujqësisë. Brenda MTI-së, departamenti për tregti (që do të duhej t’i promovonte eksportet) ka buxhet prej 178,526 euro, që është më pak sesa në vitin 2015 kur kishte mbi 183 mijë euro, kurse ai për industri (që do të duhej ta nxiste industrinë vendore) ka një buxhet prej mbi 377 mijë euro. Nëse e shohim emrin e ministrisisë fjala tregti është vendosur para fjalës industri. Në një vend që ka nevojë tepër urgjente të industrializohet, ministria që ka për detyrë të ta promovojë industrializimin ka ndarë vetëm 377 mijë euro për departmentin e industrisë. Sidoqoftë, buxheti i secilit nga këto departamente është miniskul në krahasim me minisitritë e tjera.
Varësia nga asfalti
Ministria e infrastrukturës mbetet shpenzuesi më i madh i buxhetit me mbi gati 230 milionë euro, që përbën një rritje prej 52% nga viti 2015, kur kishte 150 milionë euro. Në këtë shumë përfshihet zëri buxhetor për ndërtimet e reja të rrugëve, me 27.94 milionë euro dhe zëri për ndërtimin e autostradave që kap shumën 75.26 milionë euro. Këto para i dedikohen autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, dhe përbëjnë zërin buxhetor me shifrën më të lartë në tërë buxhetin. Sa për krahasim tërë buxheti i ministrisë së arsimit është mbi 73 milionë euro, pra më pak se paratë e shpenzuara për autostradë. Dhe i tërë buxheti i shërbimit spitalor është mbi 121 milionë euro.
Një krahasim i thjeshtë i këtyre shifrave tregon se kemi të bëjmë me prioritete afatshkurta që nuk kanë synim zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e papunësisë e as përmirësimin e shërbimeve publike. Edhe pse qeveria deklaron se do të krijojnë vende pune, paratë që shpenzohen në atë drejtim tregojnë se papunësia nuk është prioritet. Buxheti i ndarë për investime dhe për promovimin e zhvillimit të sektorit privat tregon se kjo gjë nuk është prioritet qeveritar. Edhe kjo qeveri, ashtu si ato para saj, nuk e kupton rolin e zhvillimit të sektorit privat dhe industrializimit në zbutjen e papunësisë.
Rritja e deficitit të borxhit
Ç’është më e keqja, për këto shpenzime me prioritet të gabuar, kjo qeveri ashtu si ato të mëhershmet po e fut vendin në borxh. Vetëm Ministria e Infrastrukturës planifikon të futet borxh mbi 23.3 milionë euro. Gradualisht borxhi publik i vendit po rritet, dhe paratë e marra borxh po shpenzohen për të subvencionuar mënyrën e jetesës së politikanëve e jo për të përmirësuar ekonominë apo shërbimet publike.
Gjithashtu, ky buxhet tregon për rritjet e vazhdueshme të deficitit. Edhe pse shpenzimet parashihen të jenë 2.378 miliardë euro, të hyrat publike parashihen të jenë vetëm 1.949 miliardë euro që është vetëm sa 81% e shpenzimeve. Kjo paraqet më shumë se dyfishim të hendekut nga viti 2015 ku shpenzimet ishin 1.682 miliardë euro dhe të hyrat 1.576 miliardë euro, pra sa 93% e shpenzimeve. Rritja graduale e deficitit dhe futja e vendit në borxh për ta mbuluar këtë deficit do të krijojë një situatë ku Kosovës do t’i imponohet ga BE dhe Banka Botërore e FMN që t’i zvogëlojë shpenzimet publike për ta zvogëluar borxhin dhe deficitin. Kjo gjë do ta rrisë edhe më tepër varfërinë. Nëse mendoni se ky parashikim është shumë pesimist atëherë shikoni çfarë ka ndodhur në vitet e kaluara, ku fokusi i qeverive mbeti te pagat, mëditjet adhe asfalti. Që kur filloi orgjia e asfaltit para tashmë një dekade, e pas ndërtimit të dy autostradave tepër të shtrejta, politika nuk po është në gjendje të shpëtohet nga varësia e asfaltit.
05 qershor 2019
09:33