Tatimet për zhvillim - Pjesa II

08 maj 2019 09:18

Tashmë janë bërë tri vite nga koha kur qeveria e kaluar kishte marrë iniciativë më 2015 që të ndryshojë ligjet mbi tatimet mbi të ardhurat e korporatave (TAK), të ardhurat personale (TAP) dhe vlerën e shtuar (TVSH). Këto ligje ishin një nga politikat më të rëndësishme të kësaj qeverie. Kjo për shkak se politikat fiskale janë ndër më të rëndësishmet për ekonominë dhe zhvillimin. Përmes politikave fiskale mund të promovohet zhvillimi i vendit duke krijuar një ambient që stimulon sektorë dhe praktika të caktuara që ndikojnë në zhvillim. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që përmes politikave fiskale të krijohen kushte lehtësuese për sektorët zhvillimorë. Por çka ka lënë pa bërë kjo reformë dhe si mund të ndryshohet sistemi tatimor për të ndihmuar zhvillimin?

Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH)

Sa i përket tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), edhe ky tatim mund të përdoret për të nxitur zhvillimin. Pikë së pari, ligji duhet t’i lirojë nga tatimit produktet ushqimore që llogariten të jenë pjese e shportës së përditshme. Pra për këto produkte norma do të duhej të ishte 0%. Kjo gjë do të kishte ndikim të madh sepse shumicën e të ardhurave kosovarët e shpenzojnë në ushqim. Nëse zbresin çmimet e ushqimit, qytetarët do të kishin më shumë të ardhura në dispozicion për të shpenzuar në gjëra tjera (produkte që gjenden më lartë në zingjirin e vlerës) apo për të kursyer. Kjo do të kishte një ndikim të dukshëm në zhvillim. Humbjet e buxhetit të shtetit në afatin e shkurtë do të kompensoheshin me rritjen e TVSH-së në disa produkte tjera. Këtu e kam fjalën për produktet e luksit duke përfshirë duhanin e alkoolin, si dhe produkte që ndikojnë në ndotjen e ambientit dhe dëmtimin e shëndetit si për shembull veturat e vjetra mbi një moshë të caktuar. Norma e TVSH-së për këtë lloj produktesh do të duhej të ishte së paku 20%.

Ligji mbi TVSH-në mund të ketë edhe ndikim direkt në ekonomi. Kjo bëhet duke hequr çfarëdo tatimi për makineritë e prodhimit dhe pjesët e tyre si dhe të gjitha lëndët e para. Te lëndët e para duhet të përfshihen të gjitha drithërat që përdoren nga industria furrtare dhe blegtorale. Humbjet buxhetore nga TVSH-ja që bëhen (në dogana) për importimin e këtyre produkteve kompensohen menjëhere, dhe disa herë më shumë, përmes tatimeve të brendshme (mbi të ardhurat e korporatave dhe personale).

Tatimet tjera

Tashmë është koha të mendohet për përdorimin e sistemit tatimor për të pasë ndikim direkt në zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Tarifat ndaj produkteve serbe e boshnjake kanë treguar se shteti mund të përdor instrumente tatimorë për interesa të veta. Por kjo duhet të zgjerohet, dhe janë disa tatime tjera që mund të zbatohen. Grupi i parë i tatimeve ka të bëjë me importe dhe përpjekje për të krijuar një fond për zhvilim, kurse grupi dytë me ambient dhe shëndet publik. Te lloji i parë mund të vendosen tarifa ndaj produkteve të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe gjithashtu mund të zbatohët një tarifë për viza hyrëse për të gjithë vizitorët. Kjo do të ndikonte te diaspora, mirëpo nëse bëhet me qëllim për të krijuar një fond zhvillimor dhe nëse bëhet në dialog me diasporën atëherë besoj se do të gjente përkrahje. Qëllimi i saj është që një pjesë e dërgesave të diasporës të shkojë drejt investimit e jo vetëm në konsum.

Disa tatimet tjera që duhet të zbatohen janë: Tatimi mbi importin e produkteve të plastikës me një përdorim, ku përfshihen produkte si qeset e plastikës. Tatimi mbi importin e produkteve me ambalazhë të plastikës, ku tatohet përdorimi i të gjitha produkteve që ambalazhohen me plastikë. Tatimi mbi importin e veturave të vjetra, që do të bëhej njëherazi me lehtësime mbi importin automjeteve të transportit publik. Tatimi mbi importin e pijeve të gazuara dhe me nivel të lartë të sheqerit. Këto tatime do të kishin efekt të drejtëpërdrejtë në përmirësimn e ambientit dhe shëndetit publik.

Reforma tatimore është një metodë e mirë për të nxitur zhvillimin ekonomik. Ky shans nuk duhet të humbet dhe ligjet duhet të përfshijnë sa më shumë lehtësime për sektorin prodhues, disa nga të cilat i kam përmendur më lartë. Shpresoj se këto rekomandime zbatohen në mënyrë që të nxitet zhvillimi i vendit.  

 

08 maj 2019
09:18

Seb Bytyçi