02 maj 2019
10:19

Tashmë janë bërë tri vite nga koha kur qeveria e kaluar kishte marrë iniciativë më 2015 që të ndryshojë ligjet mbi tatimet mbi të ardhurat e korporatave (TAK), të ardhurat personale (TAP) dhe vlerën e shtuar (TVSH). Këto ligje ishin një nga politikat më të rëndësishme të kësaj qeverie. Kjo për shkak se politikat fiskale janë ndër më të rëndësishmet për ekonominë dhe zhvillimin. Përmes politikave fiskale mund të promovohet zhvillimi i vendit duke krijuar një ambient që stimulon sektorë dhe praktika të caktuara që ndikojnë në zhvillim. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që përmes politikave fiskale të krijohen kushte lehtësuese për sektorët zhvillimorë. Por çka ka lënë pa bërë kjo reformë dhe si mund të ndryshohet sistemi tatimor për të ndihmuar zhvillimin?
Tatimi mbi të ardhurat e korporatave (TAK)
Gjëja e parë që duhet të bëhet është dallimi mes firmave që merren me prodhim dhe eksport të manufakturës dhe firmave tjera. Meqenëse prodhimi dhe eksporti i manufakturës deri më tash është dëshmuar të jetë strategjia që garanton zhvillimin, firmat që merren me këto aktivitete duhet të ndihmohen në çdo mënyrë. Kjo përfshin edhe lehtësimet e ndryshme tatimore që mund të bëhen përmes ligjit mbi tatimin e të ardhurave të korporatave dhe ligjeve tjera. Një politikë shumë e rëndësishme që duhet të futet brenda ligjit është përgjysmimi i normave tatimore për këto firma. Fatkeqësisht, aktualisht nuk ka ndonjë trajtim i veçantë i këtij lloji të firmave.
Gjithashtu, në nuk ka shkallëzim në tatimin e të ardhuave të korporatave. Kjo besoj se është bërë nga besimi se tatimi i sheshtë është i mirë për zhvillim. Kjo është një politikë e bazuar në ideologji dhe deri më tash nuk është treguar e sukseshme. Prandaj tatimi i sheshtë duhet të braktiset dhe duhet të ketë shkallëzim të tatimit (të paktën në tri shkallë) ngjashëm me tatimin mbi të ardhurat personale.
Gjërat e tjera që mund të bëhen për të nxitur zhvillimin janë edhe këto në vijim. Të mos lirohen nga tatimi të ardhurat nga kontratat me qeveritë e huaja ose agjencionet e tyre. Kurse, përmes shpenzimeve të lejueshme të lehtësohet eksporti i produkteve të manufakturuara/procesuara brenda vendit deri në 500KM largësi. Nëse shteti i mbulon shpenzimet e transportit për eksportin e manufakturës deri në një largësi të caktuar kjo do të ndikonte shumë në zhvillimin e sektorit prodhues.
Gjithashtu sektori prodhues mund të përkrahet përmes politikës së zhvlerësimit për qëllime tatimore të makinerive të blera. Përqindja e mundshme e zhvlerësimit të jetë sa më e lartë, e jo vetëm 10% siç është paraparë deri më tash. Në këtë mënyrë do të nxitej importimi i makinerive prodhuese që është një faktor kyç në zhvillim. Gjithashtu zhvlerësimi mund të bëhet edhe për shpenzimet e rastit (transporti etj.) të ngarkuara nga furnizuesi, për blerjen/importimin e makinerive dhe lëndës së parë.
Sa i përket zhvillimit njerëzor të bëhet diskriminim ndaj aktiviteteve që rezultojnë në pasoja negative te popullsia. Te shpenzimet e lejueshme të mos përfshihen shpenzimet e reklamimit për promovimin e duhanit, alkoolit, pijeve të gazuara dhe produkteve me përmbajtje të lartë të sheqerit dhe yndyrës. Përmes një politike të tillë fiskale shteti do të parandalonte sëmundje të shumta dhe shpenzimet për shërimin e tyre. Për më tepër, një popullsi e shëndoshë ndihmon më shumë në zhvillim. Kur llogariten efektet e këtyre dy faktorëve mund të thuhet se efektet buxhetore të një politike të tillë do të arrinin në dhjetëra milionë euro.
Tatimi mbi të ardhurat personale (TAP)
Sa i përket ligjit për të ardhurat personale gjithashtu duhet të bëhen ndryshime. Qëllimi këtu duhet të jetë që sa më shumë njerëz të përfshihen në rrjetin e tatimit nga shteti. Kjo gjë ndikon në nxitjen e kulturës qytetare pjesëmarrëse që pastaj ndikon pozitivisht në zhvillim dhe demokratizim. Prandaj pragu i tatimit duhet të ulet në 600 euro të ardhura vjetore. Pra shkalla e parë e tatimit të jetë nga 0 euro deri në 600 Euro me 0% tatim. Dhe shkalla e dytë të fillojë nga 600 euro, por vetëm me 1% tatim. Shkalla e tretë të fillojë nga 1800 euro (vjetore) me 5% tatim, e shkalla e katërt të fillojë nga 3600 euro me 10% tatim. Kurse shkalla e pestë të fillojë nga 6000 euro, dhe shkalla e fundit të fillojë nga 9600 euro të ardhura vjetore. Për këto dy shkallë tatimi mund të jetë më i lartë dhe mund të shkojë edhe mbi 50%. Ky shkallëzim më i gjerë i përshtatet më shumë nivelit aktual të zhvillimit të vendit.
Ligji për të ardhurat personale gjithashtu mbulon veprimtaritë afariste të bizneseve me të ardhura bruto vjetore deri më 50,000 euro. Edhe për këtë kategori duhet të bëhet dallimi mes bizneseve prodhuese e eksportuese dhe firmave tjera. Kjo gjë është shumë e rëndësishme kur dihet se numri më i madh i firmave në Kosovë janë biznese të vogla (familjare). Dhe lehtësimet tatimore që bëhen për firmat prodhuese në ligjin për tatimin e të ardhurave të korporatave duhet të bëhen edhe këtu. Nxitja e bizneseve të vogla që të merren me prodhim do të ndikojë që shumë nga to të rriten në biznese të mesme, gjë e cila duhet të jetë strategji kombëtare.
02 maj 2019
10:19