10 prill 2019
13:13

Një nga debatet më të rëndësishme lidhje me demokracinë është rreth marrëdhënies së demokrasicë me ekonominë. Një argument thotë se demokracia është e lidhur me ekonominë dhe demokracia funksionon vetëm në vendet e pasura. Kurse argumenti i kundërt është se demokracia nuk është e varur prej ekonomisë dhe mund të ketë demokraci edhe në vende të varfëra. Ka disa vende të varfëra që janë demokraci, duke përfshirë edhe Indinë, si demokracia më e populluar në botë. Mirëpo, sa në të vertetë janë demokratike vendet e varfëra? Të gjitha këto janë demokraci disfunksionale. Aty mbizotëron klientelizmi dhe nuk mund të flitet për demokraci të mirëfilltë, kur një numër i madh i popullsisë janë të përjashtuar nga procesi politik.
Demokracia formale dhe reale
Pasja e institucioneve formale të demokracisë është e domosdoshme për demokraci por nuk është e mjaftueshme. Kjo po vërtetohet edhe me disa zhvillime të kohëve të fundit në vende të ndryshme të botës. Protestat e mesit të 2010ave në Turqi dhe Brazil, janë një argument i fortë se demokracia formale është e nevojshme por e pamjaftueshme. Gjithashtu zhvillimet e disa dekadave të fundit në këto dy vende dëshmojnë se demokracia është e lidhur me ekonominë dhe zhvillimin. Ajo çfarë ndodhi në Turqi dhe Brazil, por edhe në disa vende tjera si në Bullgari, është aktivizimi i shtresës së mesme për të kërkuar qeverisje më të mirë. Kjo shtresë e mesme është krijuar gjatë disa dekadave të fundit, dhe kjo ka koinciduar më demokratizimin e këtyre vendeve. Demokratizimi formal ka ndodhur tri apo katër dekada më herët, mirëpo ajo nuk ka qenë e mjaftueshme për të ndërtuar demokraci të mirëfilltë. Kjo bëhet përmes krijimit të shtresës së mesme e cila i përdorë institucionet formale të demokracisë për të përmirësuar qeverisjen dhe shërbimet publike. Zhvillimi i vazhdueshëm ekonomik ka ndikuar që të rritet shtresa e mesme dhe tash ky grup i popullsisë kërkon të i dëgjohet zëri, sidomos kur rrezikohet mirëqenia e saj.
Shtresa e mesme
Shtresa e mesme është e pazëvendësueshme për demokracinë. Kjo pjesë e popullsisë e mban qeverinë dhe institucionet përgjegjëse sepse ka më së shumti për të humbur nga keqqeverisja. Shtresa e varfër dhe ajo e pasur nuk kanë shumë për të humbur dhe pjesëmarrja e tyre në procesin politik është ose inekzistente ose me tendenca klienteliste e oligarkike. Një thënie për revolucionin francez thotë se revolucioni nuk u bë nga populli i uritur por nga avoketërit e uritur, duke përkujtuar rolin e shtresës së mesme edhe në revolucionin më të famshëm në histori.
Edhe rezultati i zgjedhjeve që sollën PS-në në Shqipëri mund të shihet në këtë aspekt. Pas stabilizimit të Shqipërisë pas trazarve të vitit 1997 kemi një rritje të shtresës së mesme aty. Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi se për herë të parë në histori të Shqipërisë, më shumë veta jetojnë në qytet se në fshat. Kjo tregon për rritjen e rëndësisë së aktiviteteve ekonomike nëpër qytete që kanë ndikuar në rritjen e shtresës së mesme. Gjithashtu dihet se në dekadën e mëhershme Shqipëria arriti të i nxjerrë nga varfëria nga 200000 deri 300000 veta. Shqipëria ka përfituar nga afërsia me Italinë për të krijuar një bazë të manufakturës, duke rritur prodhimin vendor. Kjo është shumë me rëndësi sepse punësimi në manufakturë rritë numrin e njerëzëve me të ardhura personale që mund të tatohen direkt nga qeveria. Rritja e tatimit direkt pastaj qon drejt kërkesave të qytetarëve që tatohen për shërbime më të mira. Zhvillimi i një baze prodhuese vendore, që ka për pasojë rritjen e tatimit direkt në të ardhura është i domosdoshëm për demokraci.
Në Kosovë, protestat që u organizuan lidhje me rritjen e çmimeve të rrymës elektrike janë një shembull tjetër i këtij fenomeni. Problemi në Kosovë është se shtresa e mesme është shumë e vogël dhe e dobët ne krahasim me vendet tjera për shkak të politikave ekonomike. Kosova shpesh përdoret si shembull se si një popull mund të kontrollohet më lehtë duke u mbajtur në varfëri.
Si në Turqi, ashtu edhe në Brazil, por edhe në Bullgari e Shqipëri, kemi parë ngjalljen e shtresës së mesme pas një krize ekonomike dhe një periudhe të shpenzimeve të qeverisë në projekte të mëdha. Kriza financiare që i dha fund periudhës së rritjes ekonomike në këto vende ndikoi që të aktivizohet shtresa e mesme, e cila, natyrisht ka çka të humb nga kriza më së shumti. Ose përmes protestave, ose përmes zgjedhjeve, ky grup i shoqërisë po i vë themelet e demokracisë së mirëfilltë në vendet në tranzicion.
10 prill 2019
13:13