Ikja e turpit

01 prill 2019 10:11

Përderisa në vitet e 90-ta njerëzit detyroheshin të iknin nga Kosova nga zori i huaj, tash ata detyrohen të ikin nga mjerimi i shkaktuar nga qeveria jonë.

Demografia dhe zhvillimi

Një nga teoritë e zhvillimit i jep rëndësi të veçantë demografisë. Sipas kësaj teorie një shtet që ka popullsi më të madhe, e ka më lehtë të zhvillohet. Kjo ndodh për disa arsye. Në një popullsi më të madhe ka më shumë gjasa që të ketë njerëz inovativë e ndërmarrës, të cilët me ndërmarrësinë e tyre ndikojnë në zhvillim ekonomik. Gjithashtu në një popullsi më të madhe, që nënkupton treg më të madh, është më lehtë që iniciativat ndërmarrëse të kenë sukses.

Dividendi demografik

Dy koncepte të rëndësishme janë tranzicioni demografik dhe dividendi demografik. Përderisa një vend ka popullsinë e re, shpenzon më shumë resurse për t’u kujdesur për numrin e madh të popullsisë që është e moshës së vogël. Me ardhjen e tranzicionit demografik, mosha mesatare e popullsisë rritet. Para tranzicionit demografik vendi ka lindshmëri të lartë dhe vdekshmëri të lartë. Në fillim të tranzicionit demografik zvogëlohet vdekshmëria kurse lindshmëria mbetet e lartë. Në fazën e dytë të këtij tranzicioni zvogëlohet edhe lindshmëria. Rezultat i kësaj është një popullsi ku shumica është e moshës së punës. Pra pjesa më e madhe e popullsisë është produktive dhe vetëm një pjesë e vogël e saj është joproduktive (fëmijët dhe pleqtë). Kjo çon drejt rritjes së produktivitetit në ekonomi dhe përmirësimit të gjendjes ekonomike. Ky fenomen njihet si dividendi demografik.

Mirëpo dividendi demografik nuk është i garantuar. Shumë lehtë mund të humbasë ky shans historike, për arsye të ndryshme që kanë të bëjnë me mungesën e produktivitetit të vendeve të punës. Kosova tashmë ka hyrë në fazën e dytë të tranzicionit demografik, ku po zvogëlohet niveli i lindshmërisë. Por a do të jetë në gjendje Kosova ta shijojë dividendin demografik? Fatkeqësisht, nëse vazhdon situata kështu siç është, përgjigja është jo. Politikat ekonomike kanë qenë shkatërrimtare dhe jo vetëm që po ndodh ikja e trurit por edhe ikja e krahut të punës. Më pak se një e treta e popullsisë produktive në Kosovë është e punësuar. Kosova do të pësojë një tragjedi historike nëse nuk shfrytëzohet dividendi demografik. Nëse vazhdohet me të njëjtat politika do të ketë rënie të natalitetit (pjesërisht edhe për shkak të shtrejtimit të kostos së rritjes së fëmijëve) dhe ikje të popullsisë produktive. Kosova do të përfundojë si një vend me popullsi të vogël e të plakur dhe me të ardhura të ulëta, një kurth nga i cili nuk do të mund të dalë.

Murtaja e bardhë

Nëse vazhdohet kështu Kosova do të shndërrohet në një mini-Ukrainë. Vendet që e kanë shfrytëzuar dividendin demografik tash janë vende me popullsi të moshuar dhe me të ardhura të larta. Kurse vendet që e kanë humbur këtë rast historik tash janë vende me popullsi të moshuar por me të ardhura të ulëta. Këto vende janë në Europën lindore, si Ukraina e Serbia të cilat vuajnë nga zvogëlimi i popullsisë. Kosova edhe pse vend i varfër, krenohet që ka popullsinë e re. Mirëpo me rënien e natalitetit do të rritet mosha mesatare e popullsisë. Nëse vendi vazhdon drejtimin aktual, “murtaja e bardhë” do ta kërcënojë Kosovën ende pa u bërë tranzicioni në një vend me të ardhura të larta.

Problemi i plakjes së popullsisë tashmë është bërë një lubi për vendet e pasura, të cilat tmerrohen sepse nuk kanë mjaft popullsi produktive (krah pune) për të mbajtur pensionerët. Por, në ato vende, ka aktivitet ekonomik më të madh dhe migrimi është më atraktiv, kështu që mungesa e krahut të punës kompensohet nga emigrantët. Kurse në vende me popullsi të plakur dhe të ardhura të ulëta, shteti nuk është në gjendje të mbajë pensionerët dhe gjendja është e mjerueshme.

Ikja e zorit dhe ikja e turpit

Në një kalkulim të OSBE-së të vitit 2004, popullsia e Kosovës llogaritej të ishte mbi 3 milionë banorë. Kurse në regjistrimin e vitit 2011 doli që popullsia është mbi 1.7 milionë banorë. Një numër i madh i popullsisë që do të duhej të jetonte në Kosovë është detyruar të ikë nga Kosova për shkak të papunësisë e varfërisë. Sipas kësaj më shumë banorë kanë ikur nga Kosova në këtë periudhë (ikja e turpit) se sa gjatë periudhës së Millosheviqit (ikja e zorit). Në vend që popullsia produktive të kontribuojë në rritjen e standardit të jetesës në Kosovë, për shkak të politikave të gabuara ajo përfundon si krah pune duke bërë punë të rënda e të pista në vende tjera. Shifra e regjistrimit i kishte kënaqur disa pjesëtarë të qeverisë, sipas deklaratave, sepse nënkuptonte  ngritjen e mesatareve të indikatorëve ekonomikë për kokë banori. Por, një shpopullim i tillë nuk duhet të jetë lajm i gëzueshëm. Pasojat e tij do të jenë shumë të rënda.


 

01 prill 2019
10:11

Seb Bytyçi