01 mars 2019
11:52

Në kohën kur shoqëritë shqiptare gjenden në një krizë dhe janë humbur në tranzicion ka nevojë që të ketë një rimendim të drejtimit. Tashmë kjo gjendje e tranzicionit permanent (ose “Lost in transition”) është e paqëndrueshme. Fatkeqësisht ligjërimi mbi drejtimin zhvillimor është dominuar tepër nga neoliberalizmi që zëvendësoi komunizmin kompletisht si ideologji e organizimit ekonomik. Kjo rezultoi në mungesën e debatit dhe opsioneve për të gjetur një rrugë të mesme, më pragmatike e jo dogmatike për zhvillim. Privatizimi i gjithçkaje shihet si gjë e domosdoshme, duke përfshirë këtu edhe shërbimet publike. Skandalet e privatizimit të sektorit energjetik në Shqipëri dhe Bullgari duhet të shërbejnë si një thirrje për të debatuar rrugë alternative ekonomike. Në Kosovë skandali me çmime ndodhi ende pa u përfunduar privatizimi i distribucionit. Kurse tentim-privatizimi i PTK-së nga një firmë me aksionarë të panjohur e që nuk ka lidhje me telekomunikacion rezultoi vetëm në skandale tjera.
Çmime gjermane - paga kosovare
Ne duhet të mësojmë nga përvoja e shteteve tjera e sidomos atyre ish-komuniste. E vërteta e dhimbshme është se në gati shumicën e atyre shteteve, nga privatizimi kanë përfituar vetëm elitat e ngushta kurse pabarazia është rritur. Arritja e nivelit të të ardhurave të Europës perëndimore nuk ka ndodhur. Ajo çfarë ka ndodhur është arritja e nivelit të çmimeve, kështu që tash banorët e Europës lindore paguajnë çmime gjermane për produkte kurse pagat i kanë kosovare ose hungareze.
Mirëpo nëse shohim më me vëmendje ka një dallim mes performancës së shteteve ish-komuniste. Ka shtete që kanë arritur nivel më të lartë të të ardhurave dhe kanë parandaluar çrrënjosjen e popullsisë, kurse tjerat që janë mbrapa në nivel të të ardhurave dhe kanë përjetuar shpërngulje të krahut të punës. Çekia dhe Sllovenia janë dy shtete që tashmë mund të krahasohen me ato të Europës perëndimore për nga niveli i të ardhurave. Të dyja këto shtete nuk aplikuan blanko reçetën e neoliberalizmit, por gjatë tranzicionit nuk e shkatërruan shtetin e mirëqenies dhe nuk privatizuan gjithçka. Për shembull kompania energjetike CEZ është pronë e shtetit çek. Pra këto shtete dallohen për politikat industriale që aplikuan dhe vazhdojnë të aplikojnë dhe janë gjithmonë disa hapa para fqinjëve të tyre. Sllovakia që ishte pjese e një shteti me Çekinë, aplikoi politika neoliberale dhe rezultati ishte shpërngulja e mbi 12% e krahut të punës dhe një sektor industrial shumë më i dobët se ai çek. Humbja e kapitalit njerëzor, shkelja e dinjitetit të atyre që shpërngulen e që edhe pse shpesh-herë janë të diplomuar duhet të punojnë punë të rënda e të papastra dhe çrrënjosja e përçarja e familjeve nuk mund të jenë pozitive për një shoqëri në asnjë mënyrë.
Këto dy modele dhe rasti i shteteve tjera që arritën të zhvillohen shpejtë duhet të na shërbejnë si shembull. Në Azinë lindore kemi rastin e “tigrave aziatikë” që arritën për një periudhë të shkurtër të shndërrohen nga shtete të prapambetura në shtete supermoderne. Në Europë kemi rastin e “tigrit kelt”, Irlandës, që gjithashtu arriti të zhvillohet për një periudhë të shkurtër. Tash për tash shumë flitet për “Luanët e Afrikës” si vende që po zhvillohen por rasti i tyre dallon nga këto të parat sepse rritja e tyre ekonomike po bazohet në lëndë të para që është diçka e paqëndrueshme dhe nuk mund të bëjë transformimin e llojit të Koresë apo Taivanit. “Tigrat” u zhvilluan përmes politikave industriale e aplikimit të shtetit zhvillimor.
Tigra e shqiponja
Mësimi nga këto raste për ne duhet të jetë se është e domosdoshme të kemi një strategji transformimi. Ashtu siç kishte tigra aziatik pse mos të ketë tigra ballkanik apo “shqiponja shqiptare” nëse e preferoni këtë term më shumë? Për tu shndërruar nga pula në shqiponja shtetet shqiptare duhet të aplikojnë një model zhvillimor që inkorporon mësimet nga vendet tjera dhe nevojat e kontekstit shqiptar.
Shqipëria duke qenë pranë Italisë ka arritur të zhvillojë një sektor të prodhimit. Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe duhet të ketë strategji për rritjen e kapaciteteve dhe ngritjen e niveli të vlerës së shtuar. Kosova fatkeqësisht po vuan keq nga pasojat e politikave të gabuara të qeverive të njëpasnjëshme që nga paslufta.
Me Institutin Ballkanik të Politikave (IPOL) kemi rekomanduar zbatimin e shtetit zhvillimor në Kosovë. Natyrisht se nuk mund të zbatojmë pikë për pikë të gjitha politikat që kanë zbatuar shtetet tjera si Korea apo Taivani. E rëndësishme është se duhet të kemi një strategji transformimi që i merr parasysh nevojat e vendit. Thelbi i kësaj strategjie duhet të jetë forcimi dhe profesionalizimi i administratës publike, gjykatave, dhe politika industriale. Ekonomikisht duhet patjetër ngritja e kapaciteteve prodhuese për të konkurruar me eksporte me shtetet tjera. Ka ardhur koha që t’i thyejmë iluzionet për investime të huaja e përralla të tilla. Nëse vetë nuk investojmë në ngritjen e kapaciteteve asnjë firmë e huaj nuk do ta bëjë këtë. Pastaj investuesit e huaj shkojnë në ato vende që veçmë janë të pasura dhe kanë kapacitete prodhimi se aty është fitimi. Në vende të varfëra si Kosova thjeshtë nuk ka profit të mjaftueshëm për investitorët që të investojnë, dhe nuk ka mjaft kapacitete prodhimi për eksport.
Përvojat e deritashme si tentim i privatizimit të PTK-së, privatizimi i distribucionit të rrymës elektrike si dhe tarifat ndaj importeve serbe e boshnjake, duhet të shërbejnë si fillimi i një debati për drejtimin zhvillimor. Së pari, duhet një rimendim i llojeve “të lejueshme” të pronës dhe ikje nga mentaliteti se gjithçka duhet të privatizohet. Të gjitha llojet e prones si ajo private, publike, kooperative, mund të bashkëjetojnë dhe duhet të përdoren për zhvillim. Këtu na ndihmojnë konceptet tradicionale autoktone si kujria (prona e përbashkët). Kultura shqiptare mund të shërben si burim i arsyetimit intelektual të modelit zhvillimor autokton.
Debati duhet të rezultojë në provizione ligjore ku sanksionohet mënyra e menaxhimit të zhvillimit. Për shembull mund të instalohet një ligj që kërkon shumicë të kualifikuar për çështjet e privatizimit (dy të tretat e kuvendit). Gjithashtu ky debat mund të përdoret për të vendosur politika (bashkë me shoqërinë civile e sektorin privat) për sektorët industrialë që duhet të përzgjidhen për ngritje të kapaciteteve. Nevoja për përcaktimin dhe zbatimin e një strategjie zhvillimore të mirëfilltë tashmë është bërë urgjente, sa më herët që të fillojmë aq më shpejtë do ta bëjmë transformimin.
01 mars 2019
11:52