Kundër lëmoshës – na duhet bamirësi që krijon zhvillim

19 shkurt 2019 18:51

Kohëve të fundit është diskutuar mjaft për bamirësinë dhe promovimin e saj. Pyetja që bëhet është: a është bamirësi ajo që bëhet me kamera? Unë mendoj se më e rëndësishme se kjo, është ta kundërshtojmë modelin lëmoshë të bamirësisë.

Bamirësia lëmoshë

Ka disa probleme me bamirësinë që tash praktikohet. Së pari, bamirësia tash bëhet në formë të lëmoshës për të varfërit. Problemi me këtë lloj bamirësie është se nuk i nxjerr njerëzit nga varfëria. Disa çështje të tjera lidhen me shfrytëzimin e bamirësisë për qëllime personale e politike, si dhe fakti që dhurimi bamirës kryesisht bëhet vetëm në raste emergjente. Poashtu, një problem madhor është fakti se shteti i ka abroguar përgjegjësitë e veta për të ofruar shërbime si në shëndetësi apo banim, dhe kjo krijon vakum që mund të mbushet vetëm me bamirësi.

Përmes aktiviteteve me Institutin Ballkanik të Politikave (IPOL) dhe organizata tjera vendore e të huaja, kam parë që modelet e ndihmës që nga paslufta kanë dështuar. Për shembull, një fokus i asistencës ndërkombëtare ka qenë shkathtësimi, mirëpo edhe kjo ka dështuar. Rinia nuk mund të gjejë vende pune edhe nëse ka shkathtësi e edukim. Dhe kështu ata ikin në vende të tjera në kërkim të punës. Nëse krijojmë një platformë që i ndihmon rinisë të gjejë vende punë, ne garantojmë që ata nuk shpërngulen dhe bashkësitë e tyre ku jetojnë zhvillohen.

Bamirësia e mençur për zhvillim

Ne duhet t’i adresojmë këto probleme duke ndërtuar një model të mençur të bamirësisë. Pra bamirësi që garanton se donacionet janë të suksesshme në nxjerrjen e njerëzve nga varfëria. Edhe koncepti bamirësi e mençur mund të keqkuptohet, prandaj këtu do të sqaroj se çfarë në të vertetë e bën të mençur një model dhurimi si e shoh unë.

Për të eliminuar varfërinë, njerëzit e varfër duhet të kenë jetesë të qëndrueshme. Kjo arrihet kur bashkësitë kanë industri vendore me të ardhura të rregullta. Kjo është vështirë të bëhet kur ka mungesë kapitali dhe fuqie blerëse. Mirëpo ne këtu mund të ndihmojmë, duke i shfrytëzuar donacionet tona, jo vetëm si lëmoshë, por duke blerë produkte nga prodhues vendorë. Pastaj këto produkte i dhurojmë tek shoqatat bamirëse. Efektet pasojë të këtij modeli vazhdojnë: aktiviteti ekonomik krijon vende pune, si dhe të ardhura publike nga tatimet. Dhe pastaj, njerëzit kërkojnë shërbime më të mira publike në këmbim për tatimet, duke nxitur kulturën politike pjesëmarrëse. Shkurt e shqip, ky është modeli i “dhurimit të mençur”.

Diaspora

Lidhje me rolin e diasporës, duhet theksuar se forma e ndihmës që vjen nga diaspora nuk po ka sukses në zbutjen e varfërisë. Kjo për shkak se kryesisht ndihmat e diasporës përdoren për konsum, që nënkupton konsumim të produkteve të huaja, sepse ka dominim të importeve në ekonomi. Nëse kemi një platformë e cila bën që ndihmat e diasporës të shkojnë kah blerja e produkteve vendore, kjo do të siguronte që diaspora mund ta vërejë kontributin direkt në zhvillimin e vendit.

Në gjithë botën, e sidomos tek ne, ka diskutime sesi duhet të shfrytëzohen dërgesat e diasporës për investime e jo vetëm për konsum. Ky model i bamirësisë së mençur do të ndihmonte në realizimin e këtij qëllimi. Blerja e prodhimeve vendore do të ndikonte direkt në investime nga prodhuesit vendorë për të rritur kapacitetet prodhuese. Më tutje kjo do të kishte edhe efekte tjera në ekonomi duke përfshirë rritjen e kursimeve dhe të punësimit. Kjo gjë tashmë është e domosdoshme kur dihet se sa shumë varet nga importi ekonomia dhe konsumi ynë.

Një shembull sesi mund të bëhet kjo, është nëse ndërtojmë një platformë të dhurimit të mençur (faqe interneti), të cilën mund ta përdorin dhuruesit. Dhuruesit aty e zgjedhin prodhuesin për t’i blerë produktet, dhe në fund e zgjedhin shoqatën bamirëse për t’ia dhuruar produktet. Platforma në internet, bazohet në marrëveshje me prodhuesit dhe shoqatat bamirëse. Ne e ndjekim secilën blerje dhe dhurim për t’u siguruar se përfundon në duart e duhura, me dëshmi.

Unë kam marrë pikërisht një iniciativë të tillë, që synon përdorimin e bamirësisë për zhvillim dhe luftim të varfërisë. Dhe për këtë ka kërkuar ndihmën e qytetarëve dashamirës përmes donacioneve dhe shpërndarjes së fushatës. Linku për fushatën është këtu

Tashmë ka ardhur koha që ta ndryshojmë modelin e bamirësisë nga lëmosha që i mban të varfërit në varfëri, në një model që i nxjerr ata nga varfëria dhe që i forcon komunitetet tona. Kjo do të ndikonte që edhe dërgesat e diasporës ta fuqizojnë ekonominë vendore dhe jo të ikin nga vendi përmes blerjes së produkteve të huaja.

 

19 shkurt 2019
18:51

Seb Bytyçi