01 shkurt 2019
10:38

Pagat në arsim duhe të rriten, por kjo duhet të shoqërohet me një reformë ku rritet kontakti i mësimdhënësëve me nxënësit. Kjo bëhet përmes më shumë orëve të kontaktit në ditë, dhe ndryshimeve në kohështrirje ku mbahen disa javë pushim brenda vitit shkollor dhe shkurtohet pushimi veror.
Grevat
Fillimi i vitit 2019 pa nisjen e grevave në pjesë të ndryshme të sektorit publik. Këtu përfshihen arsimi, shëndetësia, shërbimi civil dhe administrata publike, që nënkupton shumica absolute e punonjësëve të sektorit publik. Këto greva kanë mundësi që ta paralizojnë shtetin, ashtu siç është paralizuar arsimi me mosfillimin e gjysëmvjetorit të dytë.
Greva në arsim
Edhe pse grevat janë të ndikuara nga politika, dhe dihet që sindikalistët kryesorë kanë lidhje me politikën, grevat si institucion janë mjet legjitim dhe punonjësit kanë për çka të ankohen. Së pari, koalicioni kishte premtuar rritje të rrogave për arsimin, dhe këtë nuk e ka realizuar. Së dyti, rritja e propozuar nga qeveria nuk ëshët proporcionale me rritjen në sektorë tjerë (dhe as me premtimin). Përveç kësaj ka çështje tjera që kanë të bëjne me kushtet e punës. Për shembull, shkollat nuk furnizohen me materiale edukative dhe mësimdhënësit nuk kompensohen për materialet edukative që i blejnë me para të tyre.
Cilësia e dobët
Greva ka ngjallur një reagim të keq tek disa qytetarë, që i shohin mësimdhënësit si mosmirënjohës dhe jomeritues për pagat që i kanë, për shkak të kohës së vogël të kontaktit që e kalojnë në shkolla (mesatarisht rreth 3 orë kohore). Edhe pse pagesa përfshinë kohën përgatitore e jo vetëm atë të kontaktit, kjo ankesë nuk është e padrejtë sepse kohëzgjatja e shkurtër e kontaktit ndikon në cilësinë e dobët të arsimit. Një studim i Bankës Botërore tregoi që nxënësit kosovarë kur e kryejnë shkollën e mesme të lartë kanë deficit kognitiv 5.1 vjeçarë. Pra, efektivisht ata ende nuk e kanë mbaruar shkollën e mesme të ulët.
Është edhe një tjetër formë e kontaktit që ndikon në cilësinë e dobët, ajo e kohështrirjes së vitit shkollor. Për shkak se pushimi veror është shumë i gjatë, shumë nxënës i humbin arritjet akademike të vitit të mëhershëm para se të fillojë viti i ardhshëm. Rëndësia e kontaktit në cilësi është vërtetuar në studime të ndryshme. Një studim i famshëm në SHBA, që synonte barazimin e arritjeve akademike mes nxënësëve nga familjet e varfëra dhe ato të shtresës së mesme, kishte shpërndarë libra në shtëpitë e nxënësëve nga familje të varfëra, duke menduar se prania e librave në shtëpi ndikon në arritje akademike. Kjo nuk kishte pasë efekt, dhe arsyeja për këtë ishte se në familjet e varfëra prindërit nuk i nxitnin fëmijët të lexonin, dhe prania e librave vetvetiu nuk luante rol. Dhe u kuptua se për shkak se fëmijët nuk lexojnë gjatë pushimeve verore, krijohet një hendek që nuk mund të mbyllet në vitin tjetër.
Në Kosovë, edhe nxënësit shembullorë lexojnë pak gjatë verës, edhe pse kanë detyrë leximin e lektyrave, që zakonisht e kryejnë në javën e fundit para fillimit të vitit shkollor. Kur kjo kombinohet me faktin se pushimi veror është shumë i gjatë, është e pritshme që të ketë ngecje në arritje. Shtetet e zhvilluara e kanë zvogëluar pushimin veror për ta parandaluar ngecjen e nxënësëve nga viti në vit. Këtë duhet ta bëjmë edhe ne.
Rritja e pagave në këmbim të rritjes së kontaktit
Parat e mësimdhënësëve duhet të rriten në proporcion me sektorët e tjerë publikë. Mirëpo kjo duhet të jetë pjesë e një pakti ku rritet kontakti me nxënësit. Kjo duhet të bëhet në dy mënyra, ndryshimi i kohështrirjes së vitit shkollor dhe rritja e kohës së kontaktit brenda një dite. Së pari, duhet të zhvendoset fillimi dhe përfundimi i vitit shkollor. Kjo bëhet duke i marrë disa javë nga pushimi veror dhe i zhvendosur ato kohë tjera. Fillimi i gjysëmvjetorit të parë mund të bëhet në javën e fundit të gushtit dhe përfundimi i tij të jetë një javë më herët. Gjithashtu, fillimi i gjysëmvjetorit të dytë mund të bëhet një javë më vonë (gjë që në fakt ndodhë shpesh për shkak të borës), dhe përfundimi të shtyhet për një javë. Përveç kësaj mund të futen edhe dy javë pushim në gjysëmvjetorin e dytë, njëra në mes të marsit dhe tjetra në javën e parë të majit, duke zhvendosur kështu mësimin edhe më tutje dhe duke zvogëluar pushimin veror. Me këto lëvizje dhe disa shtesa përafrohet viti shkollor me atë të vendeve të zhvilluara.
Së dyti, numri i orëve të kontaktit duhet të rritet brenda ditës që të jetë më i përafërt me orarin e plotë të punës. Për shkak se prindërit punojnë së paku tetë orë në ditë, ato pesë orë që nxënësit i shpenzojnë duke mos pasë kontakt as me mësues as me prindër, janë kohë e humbur kryesisht. Gjithashtu kjo ndikon edhe në uljen e shpënzimeve familjare për çerdhe në rast se të dy prindërit punojnë. Në zonat ku ka më pak popullsi dhe mjaft hapësirë shkollore kjo mund të bëhet pa asnjë problem. Në zonat ku ka mungesë hapësire dhe ndërrime të dyfishta, është më vështirë por jo e parealizueshme. Kontakti nuk duhet patjetër të jetë në klasë, por mund të kalohet në salla/laboratorë si dhe në oborr të shkollës ku nxënësit do të eksploronin dhe mësonin duke luajtur. Në fakt, kjo do të kishte efekt shtesë pozitiv sepse është pikërisht kjo qasje eksploruese e zbatuar në Finlandë e ka vendosur atë në vendin e parë në botë të listave të arsimit. Pra këto ndryshime mund të bëhen pa shpenzime shtesë për shkolla të reja. Dhe efektet në cilësi do të ishin të menjëhershme.
Për të përmbledhur atë që thashë, pagat në arsim duhe të rriten, por kjo duhet të shoqërohet me një reformë ku rritet kontakti i mësimdhënësëve me nxënësit. Kjo bëhet përmes më shumë orëve të kontaktit në ditë, dhe ndryshimeve në kohështrirje ku mbahen disa javë pushim brenda vitit shkollor dhe shkurtohet pushimi veror. Kështu do të përmirësohej cilësia shumë e dobët e arsimit.
01 shkurt 2019
10:38