Çka na duhet tatimi i mosnjohjes së pavarësisë

22 janar 2019 14:15

Këtu do të shpjegoj pse duhet të vendosim tarifa për importet nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Zbatimi i këtyre tarifave do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik vendor, duke krijuar vende pune dhe zvogëluar varfërinë. Përveç kësaj, ky tatim do të rriste drejtëpërdrejt buxhetin publik. Dhe, ndikimi politik do të mund të përfshinte njohjen nga ato vende që eksportojnë në Kosovë.

Tarifat ndaj Serbisë dhe Bosnjes si mësim

Para së të diskutohet për tarifat në përgjithësi, duhet të flasim për përvojën e deritashme me to. Këtu do të ndalem te tarifat e vendosura ndaj importeve serbe dhe boshnjake. Efekti i tyre ende është vështirë të matet saktësisht, mirëpo është e qartë se kanë pasë efekt pozitiv në nxitjen e prodhimit vendor, ku disa media kanë raportuar se prodhuesit vendorë kanë rritur numrin e punëtorëve. Përveç tatimit, këtu duhet përmendur se ndihmesë ka dhënë edhe vetëdijësimi i qytetarëve për të bojkotuar prodhimet e këtyre shteteve, pikërisht të nxitur nga tarifat e reja. Pra këtu kemi një efekt të dyfishtë që e forcon edhe më tutje ekonominë vendore.

Një efekt tjetër i tarifave ka qenë rritja e tregtisë me shtetet e tjera, me të cilat Kosova synon të afrohet. Sipas një raportimi në media, eksportet e Shqipërisë në Kosovë janë rritur me 40%. Kjo gjë vetëm se e korrekton një gjendje të gabuar; është absurde që tregu i Kosovës të dominohet nga produkte serbe e produktet shqiptare të kenë prani jodomedhënëse, në kohën kur Kosova e Shqipëria trumpetojnë afrimin e mëtutjeshëm mes tyre.

Efekti afatgjatë i këtyre tarifave nuk duhet të neglizhohet. Gjasat që kompanitë serbe ta rikthejnë të gjithë tregun që e kanë pasë në Kosovë janë të vogla. Edhe nëse zvogëlohen apo eliminohen ato tarifa, firmat serbe nuk mund ta rikapin gjithë tregun që e kishin.

Sa i përket anëve negative, së pari duhet përmendur rritjen e çmimit për lëndët e para, që ndikon në rritjen e kostos së prodhimeve vendore, e në disa raste edhe ne çrregullime tjera (si te rryma elektrike). Pastaj, efekt tjetër negativ është rritja e kontrabandës. Gjithashtu, duhet përmendur si efekt neutral, zëvendësimin e prodhimeve serbe me prodhime tjera të huaja e jo me prodhime vendore. Pra, nëse, prodhuesit vendorë nuk ndihmohen në mënyra tjera për ta mbuluar tregun, tarifat mund t’u ndihmojnë ekonomive të shteteve tjera e jo asaj vendore.

Tarifat mbrojtëse

Në literaturën zhvillimore është diskutuar mjaft për rolin e tarifave mbrojtëse në zhvillim. Këto tarifa futen në grupin e masave për zëvëndësimin e importit, që shtetet i përdorin për të ndihmuar prodhimin vendor. Një studim i këtyre masave kishte gjetur se zëvendësimi i importit ka efekt neutral në zhvillim, për dallim nga promovimi i eksportit që ka efekt pozitiv në zhvillim. Pra masat e zëvendësimit të importit, si tarifat mbrojtëse, nuk kanë as efekt pozitiv as negativ në zhvillim të përgjithshëm. Sidoqoftë, një efekt neutral është jo vetëm i pranueshëm por edhe i dëshirueshëm në rastin e Kosovës ku raporti import eksport është 10 me një.

Përveç kësaj, këto tarifa janë të dëshirueshme kur dihet efekti politik i tyre. Ato mund të nxisin shtetet që nuk e njohin Kosovën ta njohin atë për t’iu ikur tatimit shtesë të produkteve të tyre. Gjithashtu, duke pasë parasysh se rreth dy të tretat e buxhetit publik mblidhet nga tatimet e importit, këto tarifa do të kishin ndikim pozitiv në buxhetin publik. Në aspektin ndërkombëtar këto tarifa do të ishin sinjalizuese të sovranitetit dhe të faktorizimit të vendit.

Të mos tatohet lënda e parë

Duke u nisur nga praktika e shteteve tjera që kanë përdorur më sukses politikat tregtare për zhvillim, duhet theksuar dy gjëra: nevoja e mostatimit të lëndës së parë, dhe e moscaktimit të lartë të tarifave. Lënda e parë është e domosdoshme për prodhim vendor, si për atë që konsumohet brenda ashtu edhe për eksport. Prandaj lënda e parë nuk duhet të tatohet. Përkundrazi tatimi i saj ka efekt antizhvillimor, gjë që Kosova e ka provuar për një dekadë e gjysmë mbas luftës dhe pasojat e së cilës po i bart ende. Tarifat duhet të përshkallëzohen, ku lënda e parë nuk tatohet fare, produktet e gjysmëpërpunuara tatohen më ulët, dhe produktet përfundimtare tatohen më lart.

Tarifat të mos jenë të larta

Tarifat e larta mund ta rritin kontrabandën dhe për këtë arsye duhet të evitohen. Gjithashtu, ato mund ta rritin inflacionin në përgjithësi. Kjo ndodh sepse tregtarët mund t’i rritin çmimet e të gjitha produkteve njëjtë e jo vetëm të atyre nga shtetet që janë cak i tarifave.

Duke u nisur nga ajo që thashë më lart, propozoj që të zbatohen tri shkallë tarifash për importet nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Tarifë zero për lëndët e para që përdoren për prodhim vendor. Tarifë 10% për produktet e gjysmëpërpunurara. Dhe tarifë 20% për produktet finale.


 

22 janar 2019
14:15

Seb Bytyçi