Privatizimi i universiteteve publike

03 janar 2019 13:08

Protestat studentore në Shqipëri kanë kthyer vëmendjen kah problemet e shumta të arsimit të lartë. Aty po ndodhë kundërshtimi i regjimit të privatizimit të gjithckaje, ku përfshihet arsimi publik. Në këtë shkrim do të flas për ngjarjet në Shqipëri si dhe gjendjen e arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri.

Protestat

Ky shkrim do të fjalëton se gjatë tri dekadave të fundit ka ndodhur privatizimi de fakto i universiteve publike në Shqipëri dhe Kosovë. Këtë e ka bërë politizimi i universiteteve publike që është proces që shkon dorë-për-dore me privatizimin e tyre. Janë rektorët, dekanët, e profesorët e lidhur me politikën që i trajtojnë universitetet si pronë private të tyren ku mund të bëjnë çfarë të duan. Në Shqipëri kjo gjë tashmë sanksionohet me ligj, ku ligji i ri i nxit universitetet të shpikin metoda të ngarkimit financiar të studentëve për të rritur të hyrat në emër të autonomisë. Ndërkohë që ligji nuk parasheh llogaridhënie për keqmenaxhimin e të hyrave. Rezultati është rritje e shpenzimeve për udhëheqësit, korrupsion (përmes tenderëve të panevojshëm e metodave tjera), dhe në përgjithësi de fakto privatizim të universiteteve publike. Për ata që dyshojnë, dëshmi për këtë privatizim dha një dokumentar i Top Channel ku u faktua se si udhëheqësit e universiteteve publike e kanë keqpërdorur pushtetin e ri financiar për interesa private, kryesisht përmes tenderimeve të dyshimta.

Protestat e studentëve ne Shqipëri filluan me shkas nga rritja e disa tarifave për studentët (si për shembull tarifa për provimet e përsëritura). Mirëpo, duhet kuptuar se vetëm ato tarifa nuk janë problemi dhe nuk po protestohen vetëm ato. Protestat janë kundër këtij procesit të privatizimit përmes politizimit. Për më tepër, aty po ndodhë kundërshtimi i regjimit të privatizimit të gjithckaje, ku përfshihet arsimi publik. Nga këtu vie insistimi i studentëve kundër negociatave. Pra ekziston një kuptim te studentët se nuk ka se çka të negocohet, dhe rruga e drejtë para është heqja e tarifave. Gjithashtu, ky shihet si hapi i parë drejt reformës në arsimin e lartë dhe ndryshimeve në fusha tjera.

Rëndësia e universiteteve publike

Më poshtë do të flasë më shumë për rolin dhe degradiimn e universiteteve, duke u bazuar kryesisht te Universiteti i Prishtinës për shkak të përvojës personale aty. Mendoj që ky shembull na tregon edhe për sektorin në përgjithësi në Kosovë dhe Shqipëri. Universitetet publike janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Mirëpo gjatë tri dekadave të fundit kemi parë degradimin e tyre. Për shembull, Universiteti i Prishtinës është goditur nga disa dukuri negative si pranimi i studentëve me pagesë, punësimi i familjarëve, dhe botimi në revista të rreme. Këto skandale janë vetëm një indikator për gjendjen e rëndë në të cilet gjendet universiteti.

Rëndësia e Universitetit të Prishtinës për jetën publike në Kosovë është vështirë të ekzagjerohet. Universiteti i Prishtinës, deri në periudhën e pasluftës ishte i vetmi universitet në Kosovë (nësë nuk e llogaritim universitetin paralel serb). Deri para disa viteve ai ishte universiteti i vetëm publik në vend. Dhe vazhdon të mbetet universiteti më i madh dhe më i rëndësishëm në vend sipas të gjitha kritereve. Cilësia e studimeve në Universitetin e Prishtinës është ngushtë e lidhur me zhvillimin e vendit.

Si sektori privat, ai publik, ashtu edhe ai i shoqërisë civile rekrutojnë stafin e tyre kryesisht nga të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës. Cilësia e stafit të institucioneve shtetërore, të firmave private dhe OJQ-ve varet drejtëpërdrejtë nga cilësia e studimeve në Universitetin e Prishtinës (UP). Drejtimi që merr vendi në përgjithësi është i lidhur ngushtë me këtë universitet dhe me gjendjen aty. Ngjashëm rëndësi të madhe në Shqipëri ka edhe Universiteti i Tiranës.

Politizimi dhe privatizimi i universitetit

Fatkeqësisht, politika e ka parë universitetin kryesor publik me një sy tjetër. Që nga paslufta, UP-ja është parë si një hapësirë për shtrirjen e ndikimit politik, punësimit dhe regjistrimit në studime të anëtarëve partiak e familjarëve, si dhe burim i përfitimit personal. Ndikimi politik, nepotizmi e korrupsioni janë zhvilluar pa pengesë, kurse cilësia e studimeve ka shkuar në rënie.

Partitë politike kanë shtrirë ndikimin e tyre te organizatat studentore duke tentuar të rrisin përkrahjen mes studentëve të UP-së. Ndikimi politik në punësime është i dukshëm, dhe politikanët e përdorin UP-në për të siguruar një burim të dytë (a të tretë) të të ardhurave si dhe për të punësuar familjarët e tyre. Pozitat e rektorit, prorektorëve e dekanëve, shihen si poste ministrore për t'u shpërndarë në ndarjen e pushtetit mes partive që gjenden në koalicione politike.

Nepotizmi zhvillohet i papenguar dhe udhëheqësit e universitetit e konsiderojnë privilegj të tyrin të punësojnë familjarët e tyre. Rregulloret në punësim dhe avansim shkelen pa kurrfarë pasojash. Një klimë e tillë e mosrespektimit të ligjit, nxitë korrupsionin. Kjo u dëshmua në skandalin e regjistrimit të studentëve me ryshfet. Në të njëjtën kohë, disa profesorë marrin paga tepër të larta, përmes mbinormës, gjë që nxit korrupsionin edhe më shumë dhe pengon zhvillimin duke garantuar mospunësimin e kuadrove të nevojshme të reja.

Rënia e cilësisë së studimeve

Sigurisht se cilësia e studimeve pëson, në një ambient ku mësimdhënës janë njerëz të papregatitur që janë punësuar në kundërshtim me rregulloret. Për shembull, në UP,  vazhdimisht pranohen asistentë persona të moshës mbi 35 vjeçare, në kundërshtim me statutin. Edhe avansimi në pozita akademike bëhet në mënyrë të parregullt, ku avansohen mësimdhënës që nuk kanë plotësuar kushtin e publikimeve. Skandali i publikimeve në revista të rreme tregon se sa larg janë në gjendje të shkojnë ata që synojnë avancimin me çdo kusht.

Një gjë tjetër që ka ndikuar në uljen e cilësisë së studimeve është regjistrimi i një numri shumë të madh të studentëve. Kjo është bërë nga politika me qëllim që të zvogëlohet numri i të papunëve në statistika, duke futur të rinjët e papunë në banka universitare për t'i numëruar si studentë. Kjo synon mbulimin e faktit se tregu i punës nuk është i aftë të krijojë vende pune për të rinjët që hyjnë në moshën madhore. Mirëpo rritja e numrit të studentëve nuk shkon pararelisht me rritjen e kapaciteteve të universitetit. Kështu që kemi një rritje të proporcionit student/profesor, dhe rrjedhimisht ka rënie të cilësisë së studimeve. Kjo rritje e numrit të studentëve është bërë duke injoruar jo vetëm kapacitetet njerëzore të universitetit por edhe ato fizike.

Çfarë të bëhet?

Pra siç e pamë më lartë gjendja në universitete publike ka shkuar duke u përkeqësuar vazhdimisht. Një grup politikanësh kanë privatizuar universitetet publike për qëllime të tyre politike, personale e klanore. Sëmundja kronike e universiteteve kërkon një intervenim serioz.

Mund të presim se qasja e institucioneve aktuale është të mundohet të merret me disa simptoma pa u marrë me shkaqet e gjendjes aktuale. Pra, mund të presim disa veprime simbolike, ashtu, si në rastin e skandalit të publikimeve në revista të rreme në UP, ku nuk pati ndonjë pasojë për ata që kanë publikuar këto punime. Kjo qasje e hapave simbolikë pa asnjë përmbajtje serioze nuk është e mjaftueshme për t’u marrë me problemet e universiteteve.

Universitetet duhet të kenë autonomi të njëmendtë dhe jo të kontrollohen nga qeveria. Rruga më e mirë për ta arritur këtë është nëse buxheti i tyre përcaktohet jo nga ministria por nga komisioni parlamentar për arsim. Mënyra e vendimmarrjes së këtij komisioni do të ishte me koncensus, që të mos mbivotohet askush dhe të mos përsëritet raporti i forcave ku deputetët mazhoritarë mund të vendosin si të duan. Kjo formë e demokracisë deliberative mund të përdoret për t’i dhënë pavarësi universiteteve.

Arsimi publik duhet të jetë pa pagesë gjatë shfrytëzimit. Ai nuk është falas, sepse ai paguhet nga taksat e qytetarëve. Madje edhe studentët (sikur gjithë qytetarët tjerë), paguajnë tatime, përmes tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) që i shtohet cdo produkti të blerë. Një universitet publik duhet të punojë për interesin publik të shtetit e jo për interesat private të politikanëve. Tash është mundësia për të filluar reformën serioze drejt këtij caku.

 

03 janar 2019
13:08

Seb Bytyçi