A po zgjohen shqiptarët?

21 dhjetor 2018 10:05

Pas tri dekadave të kapitalizmit të egër dhe defaktorizimit ky vit dha shenja se mund të ketë një alternativë.

Tarifat tregtare

Vendosja e tarifave tregtare ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës  nga Kosova është moment i rëndësishëm për dy arsye. Së pari, kjo përbën një devijim nga ideologjia e tregtisë së lirë të cilën e ka zbatuar Kosova deri tash, dhe vazhdon ta zbatojë në raport me shtete tjera përveç atyre dyjave. Pikërisht tregtia e lirë pa asnjë pengesë ka rezultuar në një situatë ku raporti i importit ndaj eksportit është 10 me 1. Kjo gjë e ka dëmtuar shumë industrinë vendore dhe ekonominë, dhe natyrisht që ekonomia vendore nuk mund të krijojë vende pune të mjaftueshme për të gjithë të papunët. Efektet pozitive të këtyre tarifave në prodhim vendor dhe punësim janë tregues se ndihmat për industrinë vendore janë të domosdoshme dhe tregtia e lirë duhet të korrigjohet. Tregtia duhet t’i shërbejë interesave të njerëzve, e jo njerëzit të jenë shërbëtorë të tregtisë duke pasuruar industritë e huaja.

Së dyti, tarifat kanë një aspekt politik e ndërkombëtar shumë domethënës. Ato janë një nga përpjekjet e rralla për faktorizim, gjatë dy dekadave të trajtimit të Kosovës si objekt nga bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet fqinje. Subjektizimi nuk mund të ndodhë përmes servilizmit dhe marrjes së “vendimeve të vështira” që e dëmtojnë vendin. Nganjëherë duhet të merren edhe “vendime të lehta” që nuk imponohen nga jashtë, por që vijnë nga interesat e brendshme të vendit. Përndryshe vazhdojmë të jemi objekt në marrëdhënie me jashtë dhe të trajtohemi si të tillë, me pasoja të rënda, siç u pa te humbja e territorit nga demarkacioni me Malin e Zi. Pas pengesave dhe bullizmit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, një reagim i tillë është tejet i vonuar.

Protestat studentore

Protestat studentore në Shqipëri përbëjnë një moment tepër të rëndësishëm. Edhe pse më herët kishte pasur disa protesta qytetare në Shqipëri, si ato kundër armëve kimike, asnjëherë nuk ka ndodhur ndonjë kundërshtim i regjimit të kapitalizmit të egër të tri dekadave të fundit. Protestat aty zakonisht organizohen nga partitë dhe kanë të bëjnë me atë se kush do vijë në pushtet. Por kush është në pushtet është e parëndësishme sepse të gjithë kanë zbatuar politika të njëjta neoliberale. Tash për herë të parë po artikulohet një alternativë ndaj këtij regjimi. Ngjashëm me vendet tjera Europiane, partitë kryesore tradicionale kanë humbur legjitimitetin për shkak të njëjtësimit të tyre në zbatimin e politikave të djathta. Kështu partitë janë shëndrruar në kastë elitare që mbahet (majet?) nga qytetarët përmes sistemit që rishpërndanë pasurinë nga poshtë lart. Edhe nëse nuk del një parti a lëvizje e majtë nga këto protesta, efekti i tyre do të jetë ridrejtimi i ligjërimit publik kah nevojat e njerëzve të thjeshtë, nga diskutimi se cili krah i kastës politike është në pushtet.

Ushtria e Kosovës

Një tregues tjetër i zgjimit nga gjumi është ndryshimi i mandatit të FSK-së për të përfshirë mbrojtjen ushtarake. Politikisht ky moment është i rëndësishëm sepse përbën një devijim nga Plani i Ahtisarit me të cilin Kosova e shpalli pavarësinë dhe i cili ravijëzon organizimin e brendshëm të vendit. Edhe pse ky plan ishte pranuar në këmbim të anëtarësimit në OKB, ajo gjë nuk ndodhi kurrë, dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës është e pjesshme. Kjo e ka penguar vendin në integrimin në BE si dhe në arritjen e sovranitetit. Gjithashtu, elementet politike të Planit të Ahtisarit, kanë siguruar që përmes mbipërfaqësimit të dyfishtë të pakicave etnike, të sundojnë qeveri që në fakt nuk e kanë shumicën e votës së qytetarëve. Ky korrigjim i Ahtisarit përmes FSK-së, natyrisht se duhet të çojë drejt pyetjeve sesi mund të përmirësohet ndryshe sistemi i Kosovës që të krijohet një shtet më funksional. Një ide mund të jetë shtimi i disa vendeve të rezervuara në Kuvend për diasporën.

Elitat politike

Dallimi mes zhvillimeve në Shqipëri e Kosovë është se në Kosovë ngjarjet u shtynë nga brenda elitës politike, kurse në Shqipëri protestat po ndodhin në mënyrë organike nga studentët në kundërshtim me elitën politike. Përderisa në Kosovë partitë e vjetra kanë pasë presion nga poshtë për një kohë të gjatë, në Shqipëri kjo nuk ka ekzistuar. Me fuqizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, si kundërshtare e establishmentit, në zgjedhjet e fundit, partitë e tjera ndjehen të obliguara të veprojnë. Elita politike në Kosovë është më e fragmentuar dhe lufta për merita populiste është rritur, pasi që është konfirmuar se politikat e vjetra duhet të ndalen. Në Shqipëri elita politike është e konsoliduar dhe ende mendon se mund të vazhdojë me stilin e vjetër të qeverisjes. Politika e vjetër ka faktorizuar një grusht politikanësh e tregtarësh dhe ka defaktorizuar qytetarët dhe shtetin në raporte ndërkombëtare. Mbetet të shihet a do të kenë efekte afatgjata këto momente të këtij viti, por ne duhet të diskutojmë sesi të përfitojmë nga këto momente për ta avancuar shoqërinë.

 

21 dhjetor 2018
10:05

Seb Bytyçi