Kthimi i trurit - Pjesa II

21 nëntor 2018 13:31

Muajin e kaluar kam shkruar për kthimin e trurit ku fola për të diplomuarit jashtë vendit dhe problemet me kthimin e tyre. Këtu do ta vazhdoj shtjellimin e problemit të kthimit të trurit me politikat e mundshme që mund të ndërmerren për realizimin e tij.

Përpjekjet e deritashme

Qeveria e vitit 2007 kishte një iniciativë për "Brain Gain", ku qeveria u bëri thirrje studentëve dhe të diplomuarëve jashtë vendit që të dërgojnë të dhënat e tyre për të krijuar një bazë të dhënash nga ku do të mundësohej punësimi në institucionet publike në Kosovë. Kjo iniciativë u shua shpejt dhe nuk u përmend më. Qeveria gjithashtu kishte krijuar një fond për punësimin brenda qeverisë të diplomuar jashtë vendit me pagesa më të larta. Megjithatë, ka pasur akuza në lidhje me keqpërdorimin e fondit, i cili është përdorur për të punësuar klientë politikë.

Gjithashtu ishte krijuar, Granti për kthimin e trurit (Brain Gain Grant), që në fillim (2010) kishte në dispozicion 250,000 Euro. Qëllimi ishte që të tërhiqen hulumtuesit nga vendet tjera në Kosovë. Mungesa e promovimit publik të këtij granti ndoshta tregon se sa seriozisht e kishte marrë këtë qeveria. Ky program në vitin 2015 kishte fond në dispozicion prej 600,000 Eurosh. Mirëpo, të gjesh informata për këtë program në faqet e internetit të qeverisë apo Ministrisë së Arsimit është e pamundur. Një raport nga Scidev shkruante se deri më tash askush nuk e ka shfrytëzuar këtë program për t’u kthyer në Kosovë.

Ndoshta arsyeja e dështimit të këtij programi lidhet edhe me kushtet e tij. Për të pasur të drejtë aplikimi në program, aplikanti do të duhej të kishte kaluar tri vite punë pas përfundimit të doktoraturës në një institucion shkencor në një vend tjetër. Është paksa e vështirë të mendohet se një intelektual që veçmë ka filluar karrierën në një vend tjetër të kthehet në Kosovë me një projekt një apo më së shumti dyvjeçar, me mundësi punësimi në një institucion kosovar sa dyfishi i kohëzgjatjes së atij projekti. Pastaj paga që pritet të marrë, i kthyeri në Kosovë është shumë më e ulët se në vendet e zhvilluara. Përveç kësaj, i kthyeri do të duhej të ballafaqohej me kushte shumë më të rënda të punës, sidomos në fushën e shkencës dhe të teknologjisë. Për shkaqe të ngjashmë një skemë e ngjashme e kthimit të trurit kishte dështuar edhe në Peru.

Si të veprohet?

Pra, përveç rritjes së pagave (në Kamerun trefishimi i pagave ka çuar në rritje prej gati 30% në numrin e ligjëruesve e hulumutesëve), politikat e kthimit të trurit duhet të fokusohen te ofrimi i beneficioneve tjera për të kthyerit. Këtu përfshihen pagesat për sigurim shëndetësor për familjen e të kthyerit, shtesa për qëndrim në Kosovë (e aplikuar në Zambia), pagesat për banim, dhënia e kredive pa kamatë për blerje të banesave (në Zambia u aplikua skema e blerjes së shtëpive me kredi që kthehet brenda pesë viteve nga pagat), pagesat për udhëtim nësë personi i kthyer e lë familjen në vend të huaj për një fazë tranzicionale, si dhe ndihma në punësimin e bashkëshortëve të të kthyerëve.

Gjithashtu, duhet të ketë garancione për investim në ambientet e punës, blerje të laboratorëve të rinj, makinerive e teknologjive të nevojshme për të bërë punë të ngjashme me atë që bëhet në vendet e zhvilluara. Pastaj duhet të ketë ndihma për zhvillim profesional; për shembull ndihma administrative për të aplikuar për grante ndërkombëtare, pagesa për udhëtime në konferenca e pjesëmarrje në trajnime e specializime.

Kthimi i përkohshëm

Përveç, kthimit të përhershëm, duhet të ketë politika të përkrahjes së kthimit të përkohshëm. Këtu mund të financohet qëndrimi disajavor ose disamujor brenda një viti i kuadrove, nga të cilët do të përfitonin shfrytëzuesit e shërbimeve në Kosovë. Për shembull financimi i vizitave të herëpashershme të një specialisti mjekësor, do të ndikonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve në atë fushë specializimi. Gjithashtu, hulumtuesit apo ligjëruesit mund të kalojnë një periudhë të caktuar, të shkurtë kohore, në institucionet kosovare të arsimit gjë prej së cilës do të përfitonin studentët dhe stafi vendor.

Këto janë vetëm disa nga politikat që do të kishin sukses në kthimin e trurit. Fokusi në kuadrot e shëndetësisë e arsimit mund të ndikojë që të rritet cilësia e shërbimeve publike dhe të përshpejtohet kthimi i trurit. Pra, politikat e kthimit të trurit duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të marrin parasysh faktorët e tjerë përveç pagave që ndikojnë në kthim.

 

21 nëntor 2018
13:31

Seb Bytyçi