Kthimi i trurit - Pjesa I

Në kolumnen e kaluar kam shkruar për fenomenin e ikjes se trurit, kurse në këtë shkrim do të fokusohem te kthimi i trurit dhe politikat e mundshme që mund të zbatohen për ta promovuar atë.

31 tetor 2018 13:02

Të diplomuarit jashtë vendit

Përveç atyre që janë diplomuar në Kosovë dhe që kanë ikur për të punuar në vende të tjera, ekziston edhe një numër mjaft i madh i personave që janë diplomuar jashtë vendit. Këtu përfshihen ata që kanë ikur nga Kosova për të studiuar në vende tjera, por edhe personat e lindur në diasporë që kanë përfunduar studimet. Tashmë ekziston një numër i madh i të diplomuarve te të trija këtyre grupeve që i përmenda. Një pjesë e madhe e tyre mund të joshen për t’u kthyer në Kosovë. Më poshtë do të diskutojmë për politikat e mundshme të kthimit të trurit, mirëpo fillimisht do të flas për studimet jashtë vendit.

Ekzistojnë disa programe bursash për studime jashtë vendit si për shembull, KAEF dhe programi i BE-së Young Cell. Pothuajse të gjitha bursat që jepen parashohin që të diplomuarit të kthehen në Kosovë. Të dhëna të sakta nuk ka, por shumica e atyre që kanë studiuar jashtë vendit, sidomos përmes këtyre bursave janë kthyer në Kosovë. Kjo ndoshta nuk është e vërtetë për ata që kanë studiuar jashtë vendit, me vetëfinancim. Një numër i të kthyerve ishin të punësuar në arsim, pjesërisht për të përmbushur nevojat e universiteteve publike, pjesërisht për shkak të rritjes së numrit të institucioneve private të arsimit të lartë. Një fenomen brengosës është se disa persona që janë kthyer, kanë shkuar jashtë vendit për të punuar në mungesë të kushteve të mira të punës në Kosovë.

Një numër i madh i atyre që u kthyen janë të motivuar nga shkaqe të tjera përveç punësimit. Në periudhën e pasluftës dhe paspavarësisë ka pasur një ndjenjë të theksuar patriotizmi dhe pjesëmarrjeje në ndërtimin e vendit. Kjo, për fat të keq, është dobësuar për shkak të krizës së vazhdueshme ekonomike.

Problemet e të kthyerve

Kanë dalur disa probleme në kthimin e të diplomuarve jashtë vendit. Ka pasur edhe raste kur ata që kthehen, nuk mund të gjejnë punë në qeverinë e Kosovës, edhe pse kjo e fundit është e detyruar t’i punësojë ata nëpërmjet skemës së BE-së. Një problem tjetër është niveli i ulët i pagave, dhe disa nga të kthyerit janë përpjekur për t'i shpëtuar detyrimit për të punuar në administratën publike duke kërkuar punë në organizatat ndërkombëtare në Kosovë ku pagat janë më të mëdha.

Gjithashtu, një problem i madh pë ata të kthyer që janë punësuar në arsim, është mungesa e një strategjie të mbështetjes për vazhdimin e studimeve. Për shembull, në universitet për të avancuar në pozitë, një mësimdhënës fillestar duhet të kryejë një doktoraturë. Për të përfunduar një doktoraturë cilësore, duhet të ikin prapë jashtë vendit për shkak të mungesës së programeve në Kosovë. Kjo nënkupton se duhet të paktën një largim i përkohshëm nga detyra e mësimdhënies. Megjithatë, nuk ka mbështetje për këtë, dhe nuk ka asnjë përpjekje serioze për të ruajtur dhe zhvilluar stafin.

Rëndësia e arsimit dhe shëndetësisë

Gjatë një diskutimi për kthimin e trurit, një përfaqësues i Irlandës, shtet që merret si shembull i mirë i kthimit të trurit, në pyetjen se çfarë duhet të bëjnë shtetet për të kthyer trurin, u përgjigj me: asgjë. Porosia e tij ishte se programet për kthimin e trurit nuk funksionojnë nëse standardi i jetës së një vendi është i ulët. Prandaj është e rëndësishme të përmirësohet cilësia e shërbimeve publike, sidomos e shëndetësisë dhe e arsimit. Edhe nëse pagat për të kthyerit janë të larta, cilësia e dobët e shëndetësisë dhe e arsimit i dekurajojnë kuadrot që të kthehen. Mungesa e sigurimeve sociale e shëndetësore, gjithashtu ndikon që mos të kthehen kuadrot. Nuk kryen punë paga e lartë nëse në rast të sëmundjes së një anëtari të familjes, duhet paguar shuma të mëdha për trajtim shëndetësor që është i dyshimtë. Gjithashtu nëse fëmijët e një të kthyeri nuk kanë shpresë për një edukim cilësor, atëherë atraksioni i kthimit zvogëlohet edhe më tej.

Këto dy fusha janë të veçanta sepse edhe mund të shfrytëzohen direkt për të kthyer të diplomuarit, por edhe ndikojnë në mënyrë indirekte në kthimin e trurit. Sa i përket arsimit, nuk ka pasur kurrë ndonjë përpjekje nga qeveria, ministria e arsimit apo universitetet publike për të koordinuar punësimin e të diplomuarve jashtë shtetit për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë. Kosova ka popullsinë më të re në rajon dhe në Evropë në tërësi, ku 38% e popullsisë është nën moshën 19 vjeç. Rreth një e katërta e popullsisë së Kosovës janë në arsim. Megjithatë shpenzimet në arsim mbeten të ulëta. Shpenzimet për studentë janë në vetëm 13% të të ardhurave për frymë që është niveli më i ulët në rajon. Totali i shpenzimeve për arsim është rreth 4% i BPK-së, që është gjithashtu një shifër e ulët. Për më tepër, për shkak të natyrës së politikave klienteliste shpenzimet janë fokusuar në pagat për mësuesit.

Shëndetësia, po ashtu është në gjendje të keqe, dhe qytetarët i shpenzojnë dhjetëra miliona euro në vit për shërim jashtë vendit. Një program i kthimit të mjekëve do të kishte efekt pozitiv edhe në përpjekjet e kthimit të trurit në përgjithësi.

 

31 tetor 2018
13:02

Seb Bytyçi