Ikja e trurit

24 tetor 2018 12:48

Emigracioni i qytetarëve po vazhdon dhe ka gjasa se do to rritet.  Problem serioz është bërë një emigracion tjetër që po ndodh vazhdimisht. E kam fjalën për emigrimin e personave të edukuar, që njihet si “ikja e trurit”.

Ikja për një jetë më të mirë

Mund të themi se ikja e trurit ndodh kryesisht për shkak të krizës ekonomike dhe keqqeverisjes në Kosovë. Pra një problem madhor është pamundësia e qeverive të njëpasnjëshme të krijojnë vende pune për të absorbuar në ekonomi persona të diplomuar. Ky problem, përkeqësohet nga fakti se edhe ato vende pune që janë krijuar nuk janë të sigurta dhe nuk mund të quhen cilësore. Pagat janë në përgjithësi të vogla dhe investimi në arsim shpaguhet shumë vështirë. Me keqardhje e them se më ka rastisur të dëgjoj mjekë që flasin kundër iniciativave për luftimin e korrupsionit me arsyetimin se ata kanë investuar në shkollim dhe meqenëse pagat janë të vogla në Kosovë, ata kanë të drejtë që të kthejnë investimin e tyre në arsim me çfarëdo metodash duke përfshirë edhe ato korruptive.

Në të njëjtën kohë, ofrohen mundësi punësimi në vendet e zhvilluara. Kohëve të fundit, veçanërisht vendet si Gjermania, janë bërë shumë tërheqëse për të diplomuarit jo vetëm nga Kosova por edhe vende tjera. Për shembull në Gjermani ka kërkesë për staf mjekësor dhe kjo është atraktive për të diplomuarit në Kosovë. Pra, problem i mungesës së vendeve të punës, pagave të vogla, dhe mundësive për punësim në shtete tjera po nxitin ikjen e trurit nga vendi.

Përveç punësimit, një problem tjetër i madh është cilësia e shërbimeve publike. Edhe nëse një i diplomuar gjen një punë në Kosovë, ai/ajo bashkë me familje duhet të jetojnë në një vend ku shërbimet e shëndetësisë e arsimit janë shumë të dobëta. Fëmijët e tyre duhet të shkojnë në shkolla që nuk e garantojnë edukimin e fëmijëve. Dhe në rast të ndonjë sëmundjeje ata duhet t’i shfrytëzojnë spitalet që nuk garantojnë shërim, por edhe mund të shkaktojnë sëmundje më të rënda. Alternativa është pagesa për shërbime jashtë vendit që e shton koston e jetesës.

Gjithë kësaj duhet t’i shtohet pasiguria e përgjithshme në vend. Në Kosovë nuk ka sigurim social e as sigurim shëndetësor të mirëfilltë. Me fjalë të tjera një banor i Kosovës është në duar të fatit. Nuk është befasi nëse dikush që ka mundësinë të gjejë punë të mirë, në një vend me siguri sociale e shërbime të mira, e shfrytëzon atë mundësi.

Kapitali  njerëzor

Kjo ikje është shumë shqetësuese kur ne e dimë se është e nevojshme që të ketë një popullsi të arsimuar për zhvillimin e vendit. Më herët kam folur për lidhjen mes demografisë dhe zhvillimit dhe teorisë që thotë se sa më shumë njerëz ka një vend aq më lehtë e ka të zhvillohet sepse mumri më i madh i popullsisë garanton treg më të madh si dhe më shumë kreativitet. Mirëpo grupi demografik i personave të edukuar është edhe më i rëndësishëm për zhvillim.

Kapitali njerëzor është një nga faktorët kyçë për zhvillimin e vendit. Sa më shumë doktorë ka, aq më e shëndetshme është popullsia. Sa më shumë persona me pregatitje të lartë akademike ka, aq më cilësor do të jeti arsimimi i gjeneratave të reja. Sa më shumë inxhinierë ka, aq më e zhvilluar ekonomia.

Është absurde të pritet se mund të ketë investime nga jashtë, pa pasur kuadro të edukuara që mund të punësohen nga këto investime të supozuara. Numri i inxhinierëve kosovarë që mund të punësohen në kompani si Google është i vogël, edhe pse Google s’pritet të investojë ndonjëherë në Kosovë. E njëjta vlen edhe për kompani vendore. Si kompanitë vendore si ato të huaja, kanë nevojë për kuadro të edukuara nëse investojnë në Kosovë.

Një problem i madh është se qeveria nuk vendos asnjë kusht për kompanitë e huaja që ta punësojnë kuadrin vendor. Kështu që edhe nëse ka investime nga jashtë, kjo nuk do ta ndalë ikjen e trurit. Përvoja e deritashme në këtë aspekt është dëshpëruese. Nëse flasim për kompani si Bechtel, që veç kanë punuar e punojnë në Kosovë, shohim se truri vendor pak gjen vend aty. Fatkeqësisht, liberalizimi eventual i vizave mund t’i japë hov të ri ikjes së trurit. Urgjentisht duhen marrë hapa që kjo të parandalohet.


 

24 tetor 2018
12:48

Seb Bytyçi