01 shtator 2018
12:16

Koh?ve t? fundit u rihap tema e ndarjes s? Kosov?s. Kjo ?sht? di?ka e rrezikshme q? mund t? ket? pasoja t? r?nda p?r vendin dhe m? gjer?. Por a mund t? pajtohet Amerika p?r ndarje? Dhe cili ?sht? interesi i Rusis? n? ndarjen e Kosov?s?
Tema e ndarjes së Kosovës është çelur kohëve të fundit në opinionin publik. Në kohën kur po fillon një fazë e re e negociatave me Serbinë, kjo temë ka marrë rëndësi të veçantë. Këtu përfshihen edhe disa deklarata kontraverse të presidentit të Kosovës, të cilat si duket kanë për qëllim ta përgatisin publikun për “vendime të vështira”. Një shok për opinionin e dha edhe publikimi i një artikulli në Gazetën Express ku u tha se presidenti amerikan Trump, në takimin e tij me presidentin rus, Putin, u pajtua për ndarjen e Kosovës. Meqenëse nuk u përmend Kosova në asnjë deklarim rreth këtij takim, ka gjasa që nuk është diskutuar fare aty, por sidoqoftë, efekti në opinion publik është krijimi i një pasigurie.
Shkëmbimi i territoreve
Si hyrje e negociatave të reja me Serbinë u hap tema e shkëmbimit të territoreve. Një gjë është shumë e mundshme: “shkëmbimi i territoreve” është një eufemizëm që përdoret për dhënien e territorit të Kosovës Serbisë. Gjasat që Serbia t’i japë territor Kosovës janë afër zeros. Kurse gjasat që Serbia t’i marrë territor Kosovës janë shumë të mëdha. Kjo sepse Serbia përmes strukturave paralele dhe Listës Srpska tashmë kontrollon një pjesë të madhe të terrritorit të Kosovës. Për këtë arsye kjo temë është shumë e rrezikshme, dhe Kosova duhet ta kundërshtojë idenë e shkëmbimit të territoreve.
Për më tepër, kjo falje territori nuk do të kishte as efektin e saj të trumpetuar, që është njohja e Kosovës nga Serbia. Sipas deklaratave të deritashme, Serbia nuk do ta njihte Kosovën edhe nëse e merr veriun e Kosovës. Më shumë bëhet fjalë për një “mospengim” në këmbim të veriut. E duke e ditur sjelljen e Serbisë ndaj Kosovës deri tash, është e lehtë të kuptohet se çfarëdo premtimi për “mospengim” nuk do të respektohet nga Serbia. Pra falja e territorit, faktikisht, do të ishte në këmbim të një premtimi nga Beogradi për fqinjësi të mirë, që i bie të jetë, këmbim për asgjë.
Korrigjimi i kufirit
Një eufemizëm tjetër që u përdor është “korrigjimi i kufirit”. Korrigjimi bëhet për diçka që është bërë gabim, dhe e drejta ndërkombëtare nuk njeh ndonjë koncept të “korrigjimit të kufirit”. Edhe ky koncept duhet të kundërshtohet sepse në fakt përmbajtja e “korrigjimit” është dhënia e veriut Serbisë, prapë në këmbim për asgjë, edhe nëse formalisht Kosova përfiton ndonjë hektar pyll në këmbim, diku në ndonjë zonë jostrategjike.
A është pajtuar Amerika për ndarje?
Për t’u përgjigjur në këtë pyetje duhet të kuptojmë një gjë. Nëse Kosova i dhuron Serbisë territor, shtetet e tjera vihen para aktit të kryer dhe do të pajtohen me këtë edhe nëse nuk u pëlqen. Pra ndarja nuk është çështje e marrëveshjes (jo)gjentëllmene mes Trumpit e Putinit, është çështje e sjelljes së Kosovës.
Ndoshta Trump si person edhe do të pajtohej me një gjë të tillë për shkak të ndikimit që ka Rusia te ai. Por vështirë se establishmenti amerikan dhe ai europian do të pajtohej me ndarjen. Mbështetja për pavarësinë e Kosovës bazohet në parimin e mosndryshimit të kufijve. Këtu mosndryshimi nënkupton mungesën e vizatimit të ri të kufijve. Ndërkohë pranohet ndryshimi i kapacitetit të kufijve ekzistues nga ata republikan/krahinorë në shtetëror. Ky parim është ruajtur për të parandaluar konflikte të reja në Ballkan por edhe më gjerë.
Ndarja në shërbim të Rusisë
Një rivizatim i kufijve do t’i konvenonte Rusisë, e cila ka aneksuar Krimenë nga Ukraina dhe po përkrah forcat separatiste në Donbas. Rusia gjithashtu ka pretendime territoriale ndaj shteteve baltike si dhe ndaj Moldavisë e Gjeorgjisë. Edhe shtetet tjera me prezencë ruse i frikësohen pretendimeve territoriale të Rusisë, si Kazakistani. Synimi i Rusisë është që përmes këtyre lloj ndarjeve ta minojë rendin ligjor ndërkombëtar. Kjo është një nga strategjitë e realizimit të rolit “plangprishës” të Rusisë në marrëdhënie ndërkombëtare, përmes të cilave ajo synon t’i kundërvihet perëndimit. Diskutimi i ndarjes së Kosovës e sidomos çfarëdo lloj përkrahje e saj, shkon në shërbim të synimeve ruse.
Dëmi i ndarjes për Kosovën
Besoj nuk ka nevojë të theksohet sa është e dëmshme ndarja për Kosovën. Veriu përmban rezervuarin kryesor të ujit në Kosovë. Ujmani përdoret në energjetikë (për ftohje) në KEK, dhe për furnizimin e qarkut të Mitrovicës e atij të Prishtinës me ujë të pijshëm. Humbja e Ujmanit do të ishte katastrofike për Kosovën. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur dihet se i tërë Ballkani do të vuajë nga mungesa e ujit për shkak të ndryshimeve klimatike. Për këtë dhe arsye të tjera, tema e ndarjes duhet të shuhet.
01 shtator 2018
12:16