Sporti, simbolet dhe politika

K?t? ver? pat?m ngjarje q? e kombinuan sportin me politik?n. Si duket u v?rtetua shprehja se sporti ?sht? vazhdim i politik?s me mjete tjera.

20 korrik 2018 13:40

Kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës

Një ngjarje e rëndësishme ndodhi në Spanjë ku gjatë pjesëmarrjes së sportistëve kosovarë në turneun e xhudo, autoritetet spanjolle vendosën që të mos e shfaqin flamurin e Kosovës. Kjo ishte një hipokrizi e llojit të vet, sepse nuk ka kuptim të lejohet pjesëmarrja e Kosovës por të mos shfaqet flamuri i Kosovës. Ky gjest ishte simbolik sidomos kur dihet se flamuri i Kosovës u ngrit në një turne të ngjashëm në Rusi, përkrahësen më të madhe të Serbisë. Ky veprim i spanjollëve tregon për forcimin e pozitës spanjolle kundër pavarësisë së Kosovës, gjë që u pa edhe në formulimet e dokumenteve strategjike për zgjerim të BE-së.

Urrejtja, lufta dhe sporti

Ngjarje tjetër simbolike ishte kampionati botëror. Aty autoritetet ruse ndaluan flamurin shqiptar në ndeshjen Zvicër-Serbi ku luanin futbollistët shqiptaro-zviceran. Pastaj ata lejuan shikuesit serbë të shpalosin parulla urrejtëse në po atë ndeshje. Për këto parulla FIFA e dënoi Shoqatën Serbe të Futbollit.

Lidhja e vjetër e sportit me politikën u shfaq edhe me forma tjera në tribuna. Shikuesit serbë aty vazhduan traditën e vjetër te thirrjeve fyese, urrejtëse e raciste si "vrite shiptarin", "vrit, prej që shiptari të mos jetë", dhe "vrite kroatin, që shiptari të mos ketë vëlla", duke përdorur termin fyes "shiptar". FIFA nuk tregoi a e dënoi futbollin serb për këto thirrje, si duket vendimi i saj vlente vetëm për parullat e shpalosura.

Ky tolerim i këtyre thirrjeve të shikuesve serbë është shumë brengosës. Këto thirrje nuk ndodhin në vakuum dhe përfaqësojne ultranacionalizmin dhe fashizmin serb. Fansat serbë kanë një histori të gjatë të lidhjes së ngushtë me politikën ekstreme. Fansat e ekipeve të futbollit ishin një terren rekrutimi për paramilitarët serbë në vitet e 90ta.

Hipokrizia

Këta paramilitarë dhe forcat tjera serbe që morën pjesë në luftat e ish-Jugosllavisë, duke kryer gjenocid dhe spastrim etnik kundër shqiptarëve, boshnjakëve e kroatëve, e popullarizuan, bashkë me katër S-të, edhe përshëndetjen me ngritjen e tre gishtave (që kishte origjinën në përdorimin e tre gishtëve të ngritur mga kleri serb në rite fetare). Kjo përshëndetje me gjithë historinë e saj fashiste e gjenocidale nuk u diskutua kurrë në shoqërinë serbe ku mungoi denacifikimi. Tregishti shpesh përdoret nga sportistë serbë. Ajo që është për befasi është fakti se vetë FIFA shpërndau një foto zyrtare të një futbollisti serb duke bërë përshëndetjen fashiste. Këtë gjë e kritikuan shumë njerëz në rrjetin social Facebook, por FIFA nuk e hoqi foton.

Në anën tjetër FIFA dënoi tre lojtarë zviceranë për rikrijimin e flamurit shqiptar gjatë festimit të golave, pas durimit të keqtrajtimit nga shikuesit serbë që nga fillimi i lojës. FIFA nuk e shpjegoi a publikoi arsyetimin e vendimit, por llojet e dënimeve për lojtarët tregojnë diçka brengosëse. FIFA dënoi Xhakën dhe Shaqirin me nga 10 mijë euro, kurse Lihtshtajnerin me 5 mijë euro. Këta dy ishin drejtuar nga tribunat kur e bënë simbolin e shqiponjës, kurse Lihtshtajneri thjesht po festonte. Si duket vet bërja e shqiponjës nga Lihtshtajneri ka mjaftuar që ai të dënohet edhe nëse nuk iu është drejtuar fansave serbë (që do të mund të merrej si provokim). Kjo përbën sulm ndaj një simboli të një kombi që është diskriminim. Besoj nuk ka nevojë të flas për rëndësinë e këtij simboli për shqiptarët, që ka marrë përmasa më shumë se politike, sidomos për shkak të emigrimit të madh. Ky simbol është shndërruar në simbol kuazi-religjioz, ku tashmë ka edhe një iniciativë per regjistrimin e fesë shqiptare që bazohet pikërisht në simbole kombëtare. Për t'iu kthyer vendimit të FIFËS, përveç diskriminimit kombëtar e etnik, vendimi e shkelë edhe lirinë e shprehjes.

Mosveprimi shqiptar

Një hipokrizi e tillë ndoshta mund të pritet nga FIFA që njihet si çerdhe skandalesh - fundja vetë caktimi i Rusisë për kampionatin u shoqërua me akuza korrupsioni. Ajo që befasoi ishte mosreagimi i federatave të vendeve që preken nga ky vendim. Zvicra vendosi që mos ta apelojë vendimin e FIFËS (edhe pse pati një peticion në internet për këtë), dhe askush në Shqipëri e Kosovë nuk pipëtiu. Ky mosveprim ndoshta kuptohet për Zvicrën -që mund të jetë pajtuar me FIFËN sepse ndoshta mendon që identiteti etnik i lojtarëve me prejardhje të huaj duhet të shtypet - por nuk kuptohet mosreagimi i Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria nuk ishte ankuar as kur lojtarët serbë kishin bërë tregishtin në drejtim të shikuesve në Tiranë. Standardet e dyfishta duhet të ndalohen.  Federatat e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të reagojnë kundër vendimit të FIFËS kundër shqiponjës dhe kundër përdorimit të tregishtit nga lojtarët serbë.

Vetëm ashtu shqiptarët mund të ndjehen të barabartë në fushë dhe jashtë saj.

 

20 korrik 2018
13:40

Seb Bytyçi