05 korrik 2018
14:11

Në shkrimin para këtij fola për humanizmin si kritikë e kapitalizmit dhe komunizmit dhe ideologjive që ndërlidhen me to. Këtu do të flas më shumë për vetë humanizmin dhe përbërësit e tij.
Zhvillimi njerëzor
Së pari duhet të theksoj se me “humanizmin” nuk bëhet fjalë për konceptin e zhvillimit njerëzor, edhe pse humanizmi si ideologji e përfshin brenda edhe zhvillimin njerëzor. Zhvillimi njerëzor është studimi i mënyrës se si dhe pse njerëzit ndryshojnë ose jo gjatë kohës, dhe bazohet në qasjen e aftësive. Kjo fushë lindi me shkrimet e autorëve si Sen, Ul Hak e tjerë. Përveç tyre, Nusbaum kishte shkruar për nevojën që teoria të merr para sysh ndjenjat njerëzore. Dhe Maks-Nif, duke u nisur nga teoritë e Maslout , zhvilloi qasjen e nevojave njerëzore në zhvillim njerëzor. Më vonë zhvillimi njerëzor u kritikua për rrënjët e tij në ekonominë neoklasiciste (Elson). Kjo kritikë thërret për një qasje më dinamike ndaj zgjedhjeve individuale që merr parasysh faktorët rrethanorë. Çang, e kritikon fushën e zhvillimit njerëzor për ridefinimin e vetë zhvillimit. Ai thotë se tashmë zhvillimi ka marrë kuptimin e zhvillimit njerëzor, e jo zhvillimit ekonomik dhe pasojat që shkojnë me të. Nga përvoja e dimë se zhvillimi njerëzor dhe ngritja e aftësive nuk është e nevojshme për zhvillim. Fundja, në dy dekadat pas luftës ka pasë një rritje të madhe të njerëzve të diplomuar në universitet, mirëpo, kjo nuk ka sjellur zhvillim. Këta të diplomuar detyrohen të rrijnë të papunë, të punojnë në sektorin e shërbimeve ku janë të mbikualifikuar (psh si kamarierë) ose të emigrojnë. Pra humanizmi si ideologji e përfshin dhe promovon zhvillimin njerëzor, por nuk është e njëjta gjë me zhvillimin njerëzor.
Humanizmet
Duhet theksuar se humanizmi është një koncept me disa kuptime të ndërlidhura. Prandaj këtu do të bëjë një paraqitje të tyre të shkurtër. Qëllimi është ta kuptojmë më mirë konceptin e humanizmit para se të flas për ideologjinë humaniste.
Së pari, humanizmi është një qëndrim apo qasje në filozofi dhe etikë. Burimet, humanizmi modern, mund të thuhet se i ka në studimet e letërsisë klasike (humanizmit klasik), dhe si term është përmendur së pari nga Nithamer (Niethammer). Termi, pra ka kuptime të ndryshme po që kryesisht lidhen me lirinë dhe progresin njereëzor. Kjo qasje është përhapur në disa fusha si për shembull në edukim, psikologji, religjion (dhe shekullarizëm), letërsi dhe ekonomi. Gjatë Renesansës u zhvillua Humanizmi i Renesansës që merrej me studimin e antikës dhe nxiti studimin e fushave si gramatika, retorika, historia, poezia dhe filozofia morale (këto që njihen si humanitetet).
Në politikë, humanizmi qytetar apo republikanizmi qytetar u zhvillua gjatë Renesansës. Kjo është një formë e republikanizmit që bazohet në shoqëri civile, virtyt qytetar dhe qeverisje të përzier.
Në filozofi politike, u zhvillua, humanizmi marksist bazuar në teorinë e tëhuajsimit që vie nga komodifikimi i punës në kapitalizëm. Gramshi, Benjamin, Sartri, Allende, Shkolla e Frankfurtit, pacifisti amerikan David Mekrejnolds, studiuesi i Fanonit, Gibson, shkolla Praksis e Jugosllavisë (disa pjesëtarë serbë të së cilës më vonë kaluan në nacionalizëm serb).
Në pjesën e dytë të shekullit 20 lindi Lëvizja Humaniste si organizatë vullnetare e zhvilluar nga autori argjentinas, Silo. Bazohet në filozofinë e Humanizmit të Ri, që ka fokus tejkalimin e vuajtjeve. Nga kjo lëvizje kanë dalë edhe disa Parti Humaniste nga viti 1989 si dhe Internacionalja Humaniste, që kryesisht fokusohen në mosdhunë. Kjo lëvizje është kritikuar nga disa ish anëtarë të saj si dhe nga humanistë tjerë jashtë lëvizjes për praktika johumaniste.
Përveç kësaj ka edhe parti tjera që e konsiderojnë veten humaniste, siç është Qendra Demokratike Humaniste e Belgjikës, mjaft e sukseshme. Duhet theksuar se disa parime të humanizmit janë në përputhje me disa parime të ideologjive tjera siç janë liberalizmi, socializmi, social-demokracia e ambientalizmi. Rrjedhimisht, pjesë të humanizmit si ideologji, ose aspekte të tij, ekzistojnë të përfshira edhe brenda ideologjive tjera. Pra siç e pamë më lartë, ka disa lloje të humanizmave që ndërlidhen më njëri tjetrin. Më poshtë do të flas për llojet e humanizmit që na interesojnë më së shumti.
Ekonomia humaniste
Më me rëndësi për neve në këtë seri shkrimesh, që fokusohet në kritikë të ideologjive politiko-ekonomike, është ekonomia humaniste apo dega e ekonomiksit e njohur si Ekonomiksi humanistik. Kjo degë zë fill nga mendimet e autorit zviceran De Sismondi, që mund të llogaritet si një nga klasikët e ekonomiksit modern. Autori më i rëndësishëm bashkëkohor është Shumaker (EF Schumacher). Përkrahësit e kësaj qasje bazohen në teori që vendosin personin para së gjithash, për dallim nga teoritë e rrymës kryesore që fokusohen në fitime financiare, duke i vendosur ato mbi mirëqenien njerëzore.
Humanizmi si ideologji
Duke u nisur nga këto që i thashë më lartë, tash do të mundohem ta përkufizoj humanizmin si ideologji. Këtu mund të përfshihen mjaft shumë elemente, por disa nga parimet kryesore janë vendosja e njeriut mbi faktorët tjerë (sidomos fitimet), baza në evidencë, centrizmi radikal.
Sa i përket parimit të pare, besoj që është mjaft i qartë. I dyti, flet për nevojën që politikat publike të bazohen në evidencë si metodë për të parandaluar politikat e gabuara. Ngjashëm, parimi i tretë, thërret për të ikur nga dogmat ekstreme (të djathta e të majta), por në të njëjtën kohë duke u marrë me rrënjët e problemeve dhe duke ofruar zgjidhje për to. Në vijim do ta shtjelloj arsyen pse kemi nevojë për ideologjinë e humanizmit dhe vetë këtë ideologji në kontekst të politikave zhvillimore.
Humanizmi për zhvillim
Më parë dhashë një përkufizim të shkurtër të humanizmit, dhe fola për një burim frymëzimi kryesor të tij që është ekonomia humaniste. Gjithashtu e kam paraqitur humanizmin si kritikë e ideologjive kryesore politiko-ekonomike, kapitalizmit dhe komunizmit bashkë me ideologjitë shoqëruese të tyre. Më tutje do ta shtjelloj humanizmin si ideologji duke marrë si shembull politikat zhvillimore.
Humanizmi si zgjidhje e paradoksit të ideologjisë
Më herët pata folë për paradoksin e ideologjisë me të cilin ballafaqohen shoqëritë në transformim. Në këto shtete, ku përfshihet vendi ynë, për t’i dobësuar rrjetet e patronazhit, propozohet ideologjizimi i partive. Dhe këtu kemi një paradoks, sepse kërkojmë ideologjizim kur jemi të vetëdijshëm se ideologjitë kanë dështuar për t’u ballafaquar me problemet e qytetarëve. Edhe pse ajo që ndoshta kërkojmë janë ideologjitë e rrymës qendrore, nëse e kuptojmë ideologjinë si një pikëpamje e thjeshtëzuar e kompleksitetit botëror, atëherë ideologjia sipas definicionit nuk është në gjendje të merret me problemet komplekse të shekullit 21. Pata propozuar që ideologjitë, duke qenë se ideologjitë dominante tash janë ato identitare, duhet t’i kundërshtojmë me politikë të dinjitetit. Nëse i shohim ideologjitë utopike (neokonzervatizmi në SHBA, neofashizmi e islamizmi në Europe e Lindje të Mesme) si politikë identiteti, atëherë kësaj duhet t’ia kundërvëmë politikën e dinjitetit. Nëse politika e identitetit kërkon nga ti që të votosh për një parti për shkak të asaj çfarë je (shqiptar, serb, europian, i bardhë, mysliman, i krishterë etj.), politika e dinjitetit të mundëson të fuqizosh vetveten në bazë të asaj çfarë aspiron (një vend pune, siguri, familje, pension).
Në të njëjtën kohë, duke ditur se ideologjia është ajo që i motivon njerëzit të organizohen, duhet zgjedhur një ideologji që e promovon dinjitetin dhe që është sa më gjithëpërfshirëse. Humanizmi është ideologjia që i përmbushë këtë kritere. Humanizmi bazohet në dinjitetin njerëzor pavarësisht përkatësive etnike, religjioze, klasore, dhe në të njëjtën kohë i merr parasysh nevojat e individit brenda kontekstit të bashkësisë dhe të shoqërisë.
Përbërësit e politikave të humanizmit
Një tipar kryesor i humanizmit duhet të jetë ikja ndaj dikotomisë bardh e zi, e që te ideologjitë që i kritikon paraqitet në konfliktin mes pronës private dhe shtetërore. Pikë së pari duhet kuptuar se ekzistojnë shumë llojeve të pronave në spektrin mes këtyre dy ekstremeve. Pra kemi pronë private, publike, publiko-private, shtetërore e lloje tjera hibride, ashtu siç kemi organizata private, joprofitabile, publike, qeveritare, joqeveritare e shtetërore.
Humanizmi duhet të shkojë përtej të menduarit në suaza të pronës. Për dallim nga tash, ku politikat bazohen në llojet e pronës, politikat humaniste duhet të zhvillohen duke menduar sipas llojeve të të mirave (mallrave), në koncept që jo gjithmonë përputhet me atë të pronës. Ekzistojnë katër lloje të të mirave, në një matricë që ndahet sipas përjashtueshmërise në një bosht dhe rivalitetit në boshtin tjetër. Të mirat private (vetura, ushqimi) janë të përjashtueshme dhe me rivalitet, të mirat e përbashkëta (Burimet e Përbashkëta, kullosa, xehet, pyjet) janë të papërjashtueshme dhe me rivalitet, të mirat e klubit (anëtarësia në palestër, kinemaja, autostrada me pagesë-rampë) janë të përjashtueshme por pa rivalitet, dhe të mirat publike (ajri, ndriçimi rrugor, mbrojtja kombëtare) janë të papërjashtueshme dhe pa rivalitet.
Qasja e tanishme e bazuar në lloje të pronës i injoron nevojat e individëve, bashkësisë dhe shoqërisë. Vetëm një individ mund të ketë pronë aq të madhe sa që t’i shtyp individët tjerë dhe ta shkatërrojë bashkësinë dhe shoqërinë. Një pronar privat i një fabrike që lëshon mbeturina helmuese mund ta shkatërrojë një bashkësi shumë lehtë, dhe kjo i lejohet sipas ideologjisë së tashme neoliberale, e cila këto pasoja thjeshtë i llogaritë si eksternalitete (jashtësi). Helmimi i një lumi mund të jetë jashtësi për helmuesin por është brendësi për bashkësinë dhe shoqërinë. Prandaj një politikë e shëndoshë humaniste i merr parasysh gjithë këta faktorë.
Politikat ekonomike, fiskale, industriale duhet të bazohen në madhësinë e ndërmarrjeve/organizatave ku ato mbi një prag të caktuar trajtohen si të mira publike edhe nëse janë pronë private. Kjo frymë mund të aplikohet në politikat për forcimin e ndërmarrjeve të mesme, ku ndërmarrjet e vogla nxiten që të rriten duke ofruar subvencionime por edhe kushte të caktuar për ndërmarrje të mesme. Ngjashëm ndërmarrjet e mëdha (private dhe publike) kategorizohen si të mira publike. Gjithashtu, në këtë kategori mund të futen edhe sektorët strategjik zhvillimorë siç është industria e manufaktura. Për këtë kategori duhet të vlejnë ligje tjera (pavarësisht se për çfarë lloj prone bëhet fjalë) në dallim me kategoritë tjera. Si frymëzim për këto ligje mund të shërbejnë ligjet mbi monopole apo intervenimet e shtetit për të ruajtur industritë strategjike apo aviokompanitë kombëtare “me flamur” (Air France etj). Gjithashtu, meqenëse shteti veçmë investon në shoqëri, duhet të ketë rol aktiv në kthimin publik të përfitimeve të këtyre investimeve (shih: Macukato (Mazzucato)). Këtu shteti duhet ta gjej Zgjidhjen më të Mirë Praktike, duke u bazuar në evidencë, e cila tash si duket tregon është forcimi i sektorit të mesëm prodhues (shih: Mittelstand).
Ngjashëm me zhvillimin ekonomik, shteti duhet të jetë aktiv për të siguruar jetë të dinjitetshme në të gjitha fushat sidomos ato që kanë të bëjnë me zhvillimin njerëzor. Pra humanizmi si ideologji e përshinë dhe promovon zhvillimin njerëzor krah për krah atij ekonomik, edhe pse në të njëjtën kohë e kupton se zhvillimi njerëzor nuk është i mjaftueshëm për të sjellë zhvillim.
Fushat tjera
Në rastin tonë ballafaqohemi me probleme jo vetëm ekonomike por edhe tjera si ato të çështjes kombëtare. Sidoqoftë, një ideologji duhet të ketë përgjigje për më shumë se sa një çështje për të qenë sa më përfshirëse, e një ideologji si humanizmi që pretendon të jetë gjithëpërfshirëse duhet të ketë sa më shumë përgjigje për sa më shumë fusha. Në çështjen kombëtare humanizmi duhet ta gjejë Zgjidhjen më të Mirë Praktike mes universalizmit njerëzor dhe parokializmit. Dhe këtu evidenca tregon se kjo është shtet-kombi. Kjo për shkak se njerëzimi si tërësi nuk ka një qeveri të përbashkët, as agjent tjetër, dhe format parokiale (krahinore, klanore, familjare) të organizimit gjithashtu nuk kanë zgjidhje adekuate, duke qenë se janë parciale dhe përjashtuese. Komb-shteti i ofron një populli një agjent (shtetin dhe qeverinë) për të arritur qëllime publike (për jetë me dinjitet njerëzor). Shqiptarët ballafaqohen me problemin e mospërputhjes se kufijve të kombit me ata të shtetit. Por pasja e dy a më shumë agjentëve nuk duhet të paraqet problem patjetër. Zgjidhja mund të gjindet në forma të reja konfederale të organizimit që të paktën sigurojnë bashkërendim të politikave.
Ngjashëm në fushat tjera politikat duhet të frymëzohen nga parimet e dinjitetit njerëzor, të bazuarit në evidencë dhe centrizmit radikal. Në shumë raste do të duhet të gjendet Zgjidhja më e mirë Praktike (duke u nisur edhe nga filozofia e pragmatizmit që thërret për eksperimentim). Dhe kjo kërkon ikje nga dogmat e ideologjive ekzistuese. Humanizmi është zgjidhje për daljen nga kriza pa u lëshuar në ekstremizëm.
05 korrik 2018
14:11