03 qershor 2018
10:24

Më 5 maj ishte dyqindvjetori i datëlindjes së Karl Marksit, ekonomistit dhe filozofit që ishte kritik i kapitalizmit dhe ideator i komunizmit. Për këtë rast, u publikuan shumë artikuj e libra ku vlerësohet kontributi i tij politik, shkencor e filozofik. Siç pritej, ka mospajtime të mëdha, sidomos mes dy kampeve, atij marksist/komunist dhe atij (neo)liberal/kapitalist. Ngjashëm me debatin botëror, në Shqipëri, kur u festua Dita e dëshmorëve, që është në datëlindjen e Marksit, ndodhën përplasje edhe fizike mes ithtarëve të Partisë Demokratike (PD, si bartëse e ideologjisë djathtiste dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH, si e majtë, me simpatizantë për regjimin e Hoxhës). Një populli të përvuajtur që vuan nga sindromi "më katolik se papa", duhet përkujtuar fakti se mes këtyre dy ideologjive ka një mes, dhe aty është kritika më e shëndoshë si e kapitalizmit ashtu edhe e komunizmit; e po aty mund të gjendet edhe rrugëdalja nga amullia e tashme.
Konflikti mes kapitalizmit e komunizmit
Konflikti mes këtyre dy ideologjive ka qenë tipar kryesor i shekullit njëzetë, dhe ka shkaktuar miliona viktima në gjithë botën. Pas krizës financiare globale dhe disa krizave të shteteve të BE-së, komunizmi ka fituar ithtarë. Blerjet e librave të Marksit shënuan rritje të lartë në këtë periudhë. Libri i Thomas Piketit "Kapitali në shekullin 21", vuri në pah probleme të mëdha me pabarazinë dhe poashtu u bë një armë në kritikën antikapitaliste. Përderisa shtetet e zhvilluara ballafaqohen me pabarazi, ato në zhvillim e kanë edhe varfërinë edhe pabarazinë mbi supe.
Mirëpo, të shohim çfarë politikash kanë ndërmarrë shtetet në konflikt ideologjik? Një studim i mirëfilltë i shteteve të zhvilluara na lejon të kuptojmë se shtetet e suksesshme nuk kanë zbatuar dogmën e asnjërës ideologji, por kanë ndjekur politika joideologjike të përbëra nga intervenimi i shtetit në fuqizimin e industrisë publike e private dhe ofrimi i shërbimeve publike cilësore për qytetarët. Kjo ka ndodhur pavarësisht nga ajo se cilën ideologji e kanë proklamuar zyrtarisht ato shtete. Shtetet "kapitaliste" kishin ndërmarrë politika komuniste a socialiste pa e bërë të madhe atë punë. Dhe, Kina, një shtet "komunist", ndërmerr politika merkantiliste e kapitaliste përderisa e feston datëlindjen e Marksit.
Janë pikërisht shtetet më të dobëta e më të varfëra që i kanë implementuar më dogmatikisht këto ideologji, me pasoja katastrofale. Kjo është sindroma e popujve të vegjël, duke përfshirë shqiptarët, që i imitojnë tjerët dhe bëhen "më katolikë se papa". Kjo sindromë vazhdon të shfaqet tek ne. Në Shqipëri epoka e kapitalizmit të xhunglës që e zëvendësoi komunizmin stalinist vazhdon të quhet "demokraci" ku përzihen sistemi politik (i dëshiruar) me atë ekonomik. Në Kosovë fjala "majtizëm" vazhdon të jetë fjalë e ndytë, dy dekada pas luftës. Tek tash, pas shkatërrimit social marramendës ka hyrë në modë koncepti i "socialdemokracisë", e që, edhe ky, më shumë trumpetohet sesa mishërohet me të vertetë. Më poshtë do të përmbledh shkurtimisht të dy këto ideologji.
Komunizmi
Për të kuptuar më së miri ideologjitë duhet të fillojmë nga emërtimi. Komunizmi, bazohet në fjalën komunë, që do të thotë “e përbashkët”, nga kjo vjen edhe kuvendi komunal ose shërbimet komunale që tekstualisht domethënë shërbimet e përbashkëta. Pra komunizmi e vendos pronën e përbashkët mbi të gjitha gjërat tjera. Besoj nuk ka nevojë të thellohem më shumë në historinë apo ideologjinë e komunizmit, sepse kemi mjaft njohuri për të. Ja vlen të theksohet se Marksi kishte parashikuar që komunizmi do të zbatohet në shtete të zhvilluara kapitaliste ku punëtorët/proletariati do të bënte revolucion dhe ta merrte pushtetin ku pastaj do të sundonte në të mirë të të gjithëve dhe prona private do të shkrihej. Kjo gjë nuk ndodhi në shtetet kapitaliste, por këto ide i modifikoi Lenini, dhe i zbatoi para 100 viteve në Rusi, që ishte shtet në zhvillim dhe nuk kishte proletariat masiv. Për këtë, aty u fuqizua koncepti i fshatarësisë që do të sundonte bashkë me proletariatin. Më vonë komunizmi apo socializmi u përdor në shumë shtete në zhvillim si mjet për të luftuar kolonializmin dhe neokolonializmin, me nivele të ndryshme të suksesit.
Kapitalizmi
Kapitalizmi si ideologji e vendos kapitalin mbi gjithçka tjetër, pra pasurinë, apo paratë dhe gjësendet. Sipas kësaj ideologjie motivi i profitit është ai që sjell mirëqenie, sepse njerëzit duke u munduar të sjellin profit për veten angazhohen në tregti dhe e zhvillojnë ekonominë. Akumulimi i kapitalit privat shihet si diçka e dëshirueshme, sepse supozohet që kapitalistët invesetojnë gjithmonë aty ku përfitimet janë të sigurta dhe kështu ekonomia bëhet më eficiente. Gjithashtu, kjo ideologji thotë se kapitali duhet të jetë i lirë të lëvizë mes shteteve përmes tregtisë së lirë dhe investimeve/transfereve financiare.
Ku është problemi?
Para se të përmbledhi kritikën mbi të dy këto ideologji, duhet thënë diçka rreth themeluesve të tyre. Marksi kishte qenë mjaft i mirë në diagnostikimin e problemeve, por jo aq i mirë përshkrimin e barnave si dhe në parashikimet e tij. Adam Smith, babai i ideologjisë kapitaliste të liberalizmit, vetë kishte shkruar se politikat liberale për të cilat fliste, nuk ia rekomandonte shteteve të varfëra në zhvillim. Në vazhdim do të përmendi disa pika kryesore të kritikës së kapitalizmit dhe komunizmit, por këtu duhet theksuar se problemi kryesor i tyre është se janë të pjesshme dhe nuk e përfshijnë tërë përvojën njerëzore. Kapitalizmi brengoset për kapitalin privat, kurse komunizmi për pronësinë e përbashkët.
E vërteta është se të dyja këto gjëra janë të rëndësishme dhe bashkë me gjëra të tjera përbëjnë përvojën njerëzore. Rrjedhimisht nëse duhet të kemi një ideologji ajo duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe të mos jetë e kufizuar në vizion nga veshoke që ia përcaktojnë pamjen në vetëm një drejtim. Një ideologji e tillë është humanizmi, për të cilin do të flas më shumë në vazhdim.
Humanizmi si kritikë ndaj kapitalizmit dhe komunizmit
Më herët fola për nevojën për të tejkaluar konfliktin mes kapitalizmit dhe komunizmit. Një mendësi e tillë, e dyzuar, është jo vetëm e vjetëruar, por edhe tejet e varfër. Hapi i parë drejt këtij përparimi mendor ndoshta është të kuptuarit e faktit se ka kritika serioze për të dy këto ideologji, dhe asnjëra nuk është adekuate. Të shohim më poshtë disa pika kryesore të kritikës për këto dy ideologji.
Kritika e komunizmit
Marksi kishte qenë mjaft i mirë në diagnostikimin e problemeve, por jo aq i mirë me atë që vinte më pas. Shtetet komuniste, edhe pse në fillim arritën suksese në zhvillim, sidomos në shëndet e arsim, më vonë dështuan. Politikat ngulfatëse të kolektivizimit të gjithçkaje çuan në eliminimin e përgjegjësisë. Jo vetëm pronësia u kolektivizua, por edhe menaxhimi i saj. Dhe për më tepër, vetëm një parti pretendonte që di më së miri të menaxhojë gjithçka përmes kuadrove partiake. Kjo çon në shtypjen e mendimit të lirë bashkë me profesionalizmin e pavarur, gjë që është pikërisht ajo që duhet për zhvillim, në vend të dogmës partiake e ideologjike.
Mund të thuhet se arsyet e suksesit zhvillimor të shteteve në zhvillim në periudhën e pasluftës kishin të bënin me karakterin nacionalist të politikave të tyre. Me nacionalist mendoj në kuptimin që luftuan neokolonializmin përmes kontrollit të financave dhe menaxhimit të tregtisë, po aq sa me karakterin e brendshëm socialist të tyre.
Kritika e kapitalizmit
Adam Smith ua përshkruante liberalizmin shteteve të zhvilluara, më konkretisht Perandorisë Britanike që ishte perandoria më e fuqishme që kishte njohur bota deri atëherë, dhe që rriti fuqinë e vet pikërisht përmes imponimit të politikave liberale të tregtisë së lirë mbi kolonitë e saj dhe shtetet e tjera më të dobëta.
Ka disa probleme me këtë ideologji, dhe kritika më e shëndoshë ka ardhur nga jomarksistët. Mes tjerash, kritiku i njohur Ha-Xhun Çang (Ha-Joon Chang), thotë së fokusi në motivin e profitit është i gabuar, sepse njerëzit udhëhiqen nga një numër motivesh në sjelljen e tyre, si p. sh. dëshira për të qenë të respektuar, altruizmi, kujdesi ndaj familjes etj. Në aspektin ndërkombëtar, nobelisti Stiglic (Stiglitz) ka dëshmuar se kur shtetet angazhohen në tregti të lirë, kapitali shkon drejt shtetit më të pasur nga ai më i varfër (“paraja shkon te paraja”).
Sa i përket të ardhurave dhe mirëqenies, nobelisti Kaneman (Kahneman) ka dëshmuar, në SHBA, se rritja e të ardhurave sjell lumturi më të madhe vetëm deri në një shumë të caktuar. Gjithashtu, ka evidencë se fokusi në gjëra materiale (materializmi), ka efekt negativ në lumturi, pas arritjes së një pragu të mirëqenies. Nga studimet e motivacionit në punë, e dimë se motivimi rritet me rritjen e rrogës vetëm deri te një prag i caktuar, dhe pastaj më të rëndësishme janë gjëra të tjera si autonomia.
Në studimet tejpërtej shteteve është vërejtur diçka e ngjashme. Ekziston një prag mbi të cilin rritja e pasurisë kombëtare nuk rezulton në rritje të ndjeshme të mirëqenies. Ky njihet si paradoksi Isterlin (Easterlin) sipas profesorit që e ka studiuar.
Të ardhurat dhe mirëqenia
Ka të dhëna interesante për faktorë të tjerë përveç të ardhurave që ndikojnë në mirëqenie. Për shembull, përmirësimi në shendet nga rangu 3 në 4 (ku 5 është më e larta), rezulton në ngritje të mirëqenies sa 6,531% i rritjes së të ardhurave (“shëndeti mbi të gjitha”). Mirëqenia e sjellë nga martesa është sa një rritje prej 767% në të ardhura. Nëse një shok i ngushtë bëhet i lumtur, gjasat që ti të jesh më i lumtur rriten së paku 10%. Humbja e punës (për meshkuj, që shpesh lidhet me respekt social), dhe vdekja e bashkëshortit (për femra) sjellin rënie të mirëqenies sa zvogëlimi i të ardhuravë për dy të tretat e tyre (Ball & Chernova). Pra ka gjëra më të rëndësishme sesa kapitali/paraja.
Të ardhurat kombëtare dhe mirëqenia
Në shtetet me kultura më kolektiviste (si shtetet në zhvillim), zvogëlimi i rëndësisë së të ardhurave për lumturi pas një pragu të caktuar është edhe më i theksuar sesa në shtetet e zhvilluara (individualiste) ku janë bërë studimet e përmendura më lart. Gjithashtu studimet ndërkombëtare mbështesin hipotezën se shpenzimet në përvoja janë më të rëndësishme për lumturi sesa shpenzimet materialiste në gjësende. Po ashtu, në krahasim të shteteve me nivele të ngjashme të pasurisë, shtetet më individualiste janë më të palumtura sesa ato kolektiviste. Dhe edhe aty rënia e rëndësisë së të ardhurave për lumturi pas një pragu është më i theksuar te vendet kolektiviste (Caldas).
Rruga e tretë?
Shumë është shkruar për “rrugën e tretë” mes kapitalizmit dhe komunizmit. Ndoshta për shkak të dëshirës për të gjetur një rrugë të tretë disa shtete kanë kombinuar kapitalizmin me elemente sociale, si për shembull vendet skandinave. Tashmë në qarqe akademike flitet për teorinë e “llojeve të kapitalizmit”. Kjo domethënë që edhe vetë kapitalizmi vjen me disa varietete. Tri kryesoret janë ai anglo-sakson, i rajnlandit (ose gjerman), dhe ai skandinav. Të tria këto kanë tiparet e veta, por asnjëri nuk i përmbahet dogmës së pastër ideologjike dhe të gjitha kanë elemente socialiste (madje edhe komuniste) e të intervenimit të shtetit në ekonomi. Janë kritikët jomarksistë të kapitalizmit që po vënë në pah këto elemente hibride të vendeve të zhvilluara.
Gjëja tjetër që duhet ta kuptojmë është se dikotomia kapitalizëm vs komunizëm, ose kapitalizëm vs socializëm është e rreme. Ka dhjetëra ideologji apo teori ekonomike e zhvillimore. Pra kemi të bëjmë me një spektër, dhe vendet që kanë marrë politikat më të mira nga ky spektër kanë pasë sukses. Një nga ideologjitë në këtë spektër është edhe humanizmi. Më lart solla një evidencë për të metat e komunizmit dhe kapitalizmit sa i përket shumë aspekteve të jetës ekonomike e sociale si dhe zhvillimit. Humanizmi pretendon t’i trajtojë këto aspekte dhe kështu paraqitet si kritikë e dy ideologjive paraprake por edhe e vetë dikotomisë së rreme. Në shkrimin në vijim do të ravijëzoj më në hollësi çka e përbën humanizmin.
03 qershor 2018
10:24