Një Plan Marshall

23 prill 2018 10:21

Këtë muaj ishte 70 vjetori i hyrjes në fuqi të Planit Marshall, që e ndihmoi Europën ta rimarrë veten ekonomikisht pas luftës. Ky plan përmes një fondi të kredive u ndihmoi disa shteteve të zhvilloheshin, ku shtet kyç ishte Gjermania, që si ekonomia më e rëndësishme në kontinent, ishte dëmtuar shumë gjatë luftës.

Ekziston një mit që thotë se gjermanët thjesht me punën e tyre që nga paslufta arritën ta zhvillojnë vendin. Duhet sqaruar çështja e iniciativës për industrializim, për ta kundërshtuar këtë mit. Në atë kohë Gjermania s'ka pasë pavarësi as politikë ekonomike, pak a shumë, si Kosova në periudhën e pasluftës. Pavarësisht punës e preferencave të gjermanëve, ishin aleatët okupues ata që kontrollonin Gjermaninë dhe vendosnin për politika ekonomike. Është e vërtetë që kur është pavarësuar Gjermania, vetë gjermanët e kanë shtyrë industrializimin. Mirëpo në kohën e aprovimit të Planit Marshall, për Gjermaninë dhe ekonominë e saj kanë vendosur aleatët (SHBA, BRSS, Britania e Madhe dhe Franca). Por duke ditur se ky plan ka hyrë në fuqi në vitin 1948, kurse lufta ka përfunduar në vitin 1945, duhet të pyesim, çfarë politikash kanë ekzistuar nga viti 1945? 

Plani Morgenthau

Ajo që harrohet është se ka qenë politikë e qëllimshme e aleatëve okupues ta bëjnë deindustrializimin e Gjermanisë. Kjo shihej si ndëshkim për luftën dhe si metodë e garantimit të paqes në Europë përmes një Gjermanie të dobët. Këto lloj politikash janë të njohura si “Plani Morgenthau”, sipas sekretarit amerikan të thesarit në përfundim të luftës. Morgenthau ishte ithtar i deindustrializimit të Gjermanisë se dhe dobësimit përmes formave tjera si copëtimi territorial, dhe i kishte botuar këto ide. Edhe pse politika zyrtare e aleatëve nuk kishte adoptuar formalisht Planin Morgenthau, shumica e pikave të atij plani ishin zbatuar. Qëllimi ishte që Gjermania të ishte një vend agrar e joindustrial. Dëshira për dënimin e Gjermanisë ishte e madhe tek disa individë si Presidenti Ruzvelt, por edhe tek Anglia, Franca e BRSS, të cilat të përfitonin direkt nga transferi i industrisë gjermane (si reparacione) dhe kontrolli i zonave të rëndësishme industriale (Franca në Saarland, Franca dhe Anglia në Ruhr, BRSS në Silezi), si dhe nga copëtimi territorial (ku BRSS mori Prusinë/Kaliningradin, Polonisë iu dha Silezia dhe pjesë të Prusisë, dhe Franca synonte Saarlandin).

Përveç copëtimit territorial, dhe eliminimit të industrive ushtarake (dhe atyre që mund të përdoreshin për qëllime ushtarake) Plani Morgenthau kishte edhe aspekte tjera. Një nga aspektet kryesore ishte vendosja e kuotave sasiore të prodhimit të thëngjillit dhe çelikut, që ishin rreth një e pesta e prodhimit të paraluftës. Ngjashëm ishte bërë politika e caktimit të çmimeve, ku çmimet e prodhimeve gjermane ishin caktuar të lira, dhe kështu më shtrenjtë kushtonte prodhimi sesa vlera e shitjes. Një politikë tjetër shumë e rëndësishme ishte “dekartelizimit” ku u shpartallua sistemi i bashkimit të kapitalit nga bankat gjermane që pamundësoi financimin e zhvillimit.

Kjo politikë ka zgjatë diku rreth 3 vjet formalisht, edhe pse aspekte të saj kanë vazhduar edhe më vonë, deri edhe pas pavarësimit të Gjermanisë. Ndërkohë është kritikuar ky plan, duke përfshirë edhe nga ish Presidenti Herbert Hoover, i cili ishte caktuar për të bërë një studim. Studiuesit kishin ardhur në përfundim se nëse deindustrializohet Gjermania, duhet të zvogëlohet popullsia për rreth 38% (nga 65 në 40 milionë banorë), për ta pasur një standard të jetesës deri-diku të pranueshëm. Pas këtij studimi dhe kritikave tjera është marrë vendimi në SHBA për mosvazhdimin e këtyre politikave dhe për riindustrializim të Gjermanisë. Për të arritur këtë, Gjermanisë i është lejuar qasja në Planin Marshall. Në fakt edhe pse Gjermania kishte qasje në Planin Marshall, dhe filluan përpjekjet për riindustrializim, disa aspekte të Planit Morgenthau vazhduan të zbatohen në të njëjtën kohë.  

Plani Marshall

Plani Marshall lindi kur u kuptua që deindustrializimi i Gjermanisë nuk është ide e mirë. Dhe, ky plan e ka pasë qëllim riindustrializimin e Gjermanisë. Në të njëjtën kohë qëllimi ishte të gjallërohej zhvillimi i ekonomik i Europës perëndimore, gjë për të cilën ekonomia gjermane ishte kyçe. Zhvillimi ekonomik i Europës perëndimore shihej si i nevojshëm për të parandaluar rritjen e partive komuniste të cilat kishin popullaritet në Europë, dhe për t’iu kundërvënë BRSS-së që synonte shtrirjen e ndikimit në gjithë Europën përmes partive komuniste. Këto parti po korrnin rezultate të mira në zgjedhje dhe komunizmi po përhapej, sidomos në ato shtete që kishin pësuar shumë nga lufta si Gjermania e Italia.

Një Plan Marshall për Kosovën?

A mund të thuhet se fondet e shpenzuara në Kosovë, pas luftës, nga komuniteti ndërkombëtar përbëjnë një “Plan Marshall”? Përgjigja e shkurtë është jo. Edhe pse janë shpenzuar shumë para dhe janë realizuar shumë projekte, ato nuk kanë qenë të natyrës së planit Marshall (që kishte për qëllim industrializimin për zhvillim). Problemi është se ato miliarda që janë dedikuar për Kosovën, kurrë në fakt nuk e kanë parë Kosoven, por janë shpërndarë si tenderë për kompani konsulente perëndimore. Një përqindje e vogël e "ndihmave" ka ardhur/mbetur në Kosovë, shumica s'ka ardhur fare, ose është kthyer menjëherë në vendin e origjinës përmes kontratave/rrogave për organizatat e punëtorët e huaj.

Sa i përket projekteve të financuara nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, problemi është se nuk janë zhvillimore. Janë financime për Projekte të Mëdha Infrastrukturore (PMI) dhe në bujqësi, e asnjëra prej këtyre nuk sjell zhvillim, siç po e shohim me dështimin e këtyre politikave që nga viti 1999.

Për dallim nga Plani Marshall, në Kosovë ka ndodhë deindustrializimi, dhe rezultati shihet në nivelin e lartë të varfërisë. E keqja është se në Kosovë de fakto është zbatuar një Plan Morgenthau për deindustrializim (Shih Erik Reinert për “planet Morgenthau”). Dhe nuk është befasuese se popullsia e Kosovës bujqësore duhet të zvogëlohet rreth 38-40% që të arritet një standard i pranueshëm i jetesës, si në Gjermaninë agrare Morgenthauiane. Tash Kosova i ka 1.8 milionë banorë dhe GDP për kokë banori është 3,661.4 dollarë (të dhënat për 2016). Nëse i bëjmë kalkulimet i bie se me 38% më pak, popullsia do të ishte 1.16 milionë banorë me një GDP për kokë banori 5,689.6 dollarë, pra një standard deri-diku i pranueshëm. Për të arritur mesataren botërore (10,1189.6 dollarë), Kosova duhet ta ketë popullsinë rreth 640 mijë banorë. Nuk po flas fare për mesataren e BE-së që është 32,242.1 dollarë. Me nivelin aktual të zhvillimit e vetmja mënyrë për të përmirësuar standardin është zvogëlimi i popullsisë.

A mund të presim për një Plan Marshall nga BE apo SHBA? Fatkeqësisht, përgjigja është jo, për shkak të gjendjes ekonomike. Vendit i duhet një Plan Marshall autokton për ta ringjallur procesin e industrializimit që është e vetmja shpresë për zhvillim. As “ndihmat” e huaja e as kreditë nuk kanë arritur ta bëjnë zhvillimin. As integrimi me BE nuk do ta bëjë (siç u pa nga pasojat e MSA-së). Duhen politika vendore industriale dhe ato urgjentisht.

 

23 prill 2018
10:21

Seb Bytyçi