18 prill 2018
10:47

Procesi i ndarjes s? LVV-s? tashm? po ndodh edhe formalisht. K?to zhvillime i zun? n? befasi shum? njer?z dhe zhg?njyen shum? t? tjer?. Si t? kuptohet kjo ndarje?
Tri shkaqet kryesore për ndarje
Janë tri shkaqe kryesore të ndarjes së LVV-së: konflikti mes strukturës dhe pjesës “politike”, dallimet ideologjike, dhe qëndrimi në opozitë. Së pari, faktori i rëndësishëm është procesi natyror i institucionalizimit apo burokratizimit të subjektit, proces nëpër të cilin kanë kaluar të gjitha subjektet; kush më shumë e kush më pak. Ky proces nuk është zhvilluar si duhet dhe ka rezultuar në krijimin e rrjeteve të brendshme. Nga perspektiva e ndërtimit të institucioneve, struktura apo burokracia e brendshme ka gjasa që nuk është ndërtuar në baza të shëndosha meritokratike dhe është dominuar nga rrjete personaliste. Pastaj me krijimin e burokracisë së tillë ka lindur konflikti mes kësaj strukture dhe pjesës “politike” të lëvizjes. Konflikti mes burokracisë dhe politikës është i natyrshëm, mirëpo këtu nuk u zgjidh ai konflikt dhe ndodhi ndarja.
Së dyti, faji i lihet mospajtimeve ideologjike e programore, edhe pse është e vështirë të thuhet cilat janë ato, sepse debati është fokusuar kryesisht rreth temës së kandidimit të z. Kurti për kryetar. Edhe nëse ka mospajtime të tilla ato nuk janë artikuluar dhe nuk ka njohuri për to. Disa tema që janë diskutuar kanë pasur të bëjnë me organizim e që janë tema terciare, pra nuk është përmendur ndonjë temë parësore a dytësore. Duke u nisur nga fakti që ka pasë disa akuza e kundërakuza për afrim apo dëshirë për t’u afruar me pushtetin/PDK-në, mund të thuhet se bëhet fjalë për një lëvizje nga e majta drejt të djathtës. Secila parti “radikale”, e skajshme ose anti-establishment, ka lëvizur drejt qendrës/të djathtës me rritjen e saj e sidomos në rast të ardhjes në pushtet. Një shembull i mirë është aleanca e majtë ne Greqi, Syriza, e cila shkoi djathtas pas ardhjes në pushtet. Edhe vetë LVV ka lëvizur shumë nga koha kur ishte subjekt kundër pjesëmarrjes në zgjedhje. Te LVV, si duket ka pasë dy krahë që duan dy shpejtësi të ndryshme të lëvizjes, pra njëri që don lëvizje më të shpejtë kah qendra ose djathtas.
Së treti, ka gjasa që qëndrimi në opozitë i LVV-së pas zgjedhjeve parlamentare të ketë shërbyer si nxitës që këto ndarje të dalin në pah, sepse mund të ketë njerëz që nuk janë pajtuar me qëndrimin në opozitë. Kështu që si duket janë kombinuar mospajtimet me hapat pas zgjedhjeve, lëvizjen kah qendra/djathtas me efektet e burokratizimit për të çuar drejt ndarjes.
Pse u nda LVV nëse dallon nga partitë e tjera?
Për ta kuptuar këtë duhet ta kuptojmë se “dallimi” këtu nuk është koncept absolut por relativ. Sigurisht se LVV është më “ndryshe” por pyetja është sa për qind më “ndryshe”. Ndarja tregoi se kjo përqindje nuk është aq e lartë sa kanë shpresuar shumë njerëz.
Por të ndalemi pak pikërisht te ajo se çka e bën LVV-në të dallohet? Janë dy gjëra: definimi më i qartë ideologjik (majtizëm me nacionalizëm), dhe niveli më i lartë të universalizmit e më i ulët i parokializmit (ky koncept përfshin: klientelizëm, nepotizëm, familjarizëm, provincializëm, personalizëm). Ndarja e detyron LVV-në ta sqarojë se në cilën pikë të spektrit majtas-djathtas do të jetë LVV tash e tutje.
Sa i përket parokializmit, çështja është më e thellë. Dihet se çdo institucion e përfaqëson shoqërinë nga ai del, dhe LVV, është e natyrshme se do të ishte e “prekur” nga patologjitë sociale të cilat synon t’i luftojë. Por nëse një subjekt me kredenciale më universaliste si LVV, është infektuar nga parokializmi deri në atë masë sa që duhet të ndahet, çka do të thotë kjo për vendin? A do të duhet të dalë një subjekt edhe më radikal për të luftuar këto patologji? A duhet LVV të merr masa më radikale për ta luftuar parokializmin brenda vetes? Këto pyetje dhe përgjigjet e LVV-së dhe shoqërisë ndaj tyre do ta përcaktojnë rrjedhën e politikës në vitet e ardhshme.
A dallon LVV nga partitë tjera do të varet nga ajo se çfarë subjekti do të del pas kësaj metamorfoze. Ndoshta pas reformave LVV mund të bëhet edhe më “ndryshe” sipas definimit më lartë. Krizat janë edhe mundësi dhe LVV mund të definojë edhe më qartë ideologjinë e saj dhe pozicionin ndaj fenomeneve që lidhen me parokializmin.
Pasojat e ndarjes për LVV
Një pasojë e ndarjes ishte edhe votimi i demarkacionit me Malin e Zi. Nga kjo shihet se ikjet nga LVV kanë pasoja, sidomos në afatin e shkurtë, në zvogëlimin e numrit të deputetëve në kuvend si dhe komunat e qeverisura nga LVV. Mirëpo, pasojat afatgjata do të shihen pas zgjedhjeve të ardhshme. Gjithashtu, ato varen nga ajo se a do të mësojë LVV nga kjo përvojë. Këto zhvillime ia imponojnë përcaktimin më të saktë ideologjik. LVV duhet të reflektojë thellë dhe t'i analizojë pohimet e të rebeluarëve si dhe shkaqet e ndarjes. Por, përgjigja nuk duhet të jetë dogmatike dhe që krijon mentalitet viktimizimi. Së pari, strukturat organizative të ndërtohen bazuar në meritokraci dhe profesionalizëm. Së dyti, politikat qeverisëse të jenë të bazuara në kontekstin vendor dhe në politika që kanë funksionuar në kontekste të ngjashme e jo në dogma. E gjitha kjo duhet të shfaqet me punë aty ku është në pushtet LVV.
Pasojat për politikën
Pas ndarjeve një parti e re, si duket, do të jetë realitet, edhe pse përvoja e partive të reja deri tash nuk ka qenë shpresëdhënëse, përveç e LVV-së që është rritur. Për të pasë perspektivë kjo parti duhet ta mendojë mirë pozicionimin e vet; dhe duhet ta arsyetojë ekzistencën e vet, duke iu përgjigjur pyetjeve: Si është ndryshe nga LVV dhe pse i duhet ajo vendit?
Këtu pra kemi të bëjmë me një faktor të ri politik. Konkretisht, është krijuar një burim i mundshëm i votave për qeverinë për kalimin e ligjeve. Tashmë me daljen e Listës Srpska nga qeveria, mund të bëhet edhe pyetja e hyrjes së kësaj partie të re në qeveri. Sidoqoftë, në përgjithësi, mund të thuhet se po vazhdon fragmentimi i skenës politike si në nivel qendror edhe lokal.
Edhe pse shumë votues janë zhgënjyer nga këto zhvillime, fakti mbetet që LVV është ende e paprovuar në pushtet qendror. Me gjithë zhgënjimin, vështirë se mund të kthehet besimi i qytetarëve te partitë që ishin në pushtet deri tash. Mirëpo mund të krijohet bindja se ndryshimet do të jenë më të ngadalshme.
Për fund duhet theksuar se kjo është një lloj fitoreje për pushtetin, mirëpo edhe vetë partitë në pushtet janë të paunifikuara dhe nuk mund ta gëzojnë këtë fitore. Nëse nisemi nga numrat mund të shihet si dobësim i opozitës se partia më e madhe opozitare është dobësuar. Mirëpo opozitëbërja varet më shumë nga aktiviteti, e jo patjetër nga numrat.
18 prill 2018
10:47