Kah po marshojnë gratë

K?t? 8 mars u organizua p?r her? t? dyt? protesta

29 mars 2018 13:17

O sa mirë

Për aq sa mund të quhet "lëvizje", lëvizja "Marshojmë, S'festojmë" është një zhvillim i mirë dhe për t'u përshëndetur. Të paktën vërehen disa përpjekje për të përfshirë sektorë të ndryshëm të shoqërisë, dhe nuk mund të thuhet më se lëvizja e grave është vetëm nje grumbull OJQ-shë të financuara nga donatorë të huaj, siç ishte gjendja pas luftës. Edhe vetë protesta është zhvillim pozitiv. Tashmë ka lëvizje nga situata ku 8 marsi ishte shndërruar nga një datë e Ditës Ndërkombëtare të Grave, në një fjalë e vetme si "tetmarsi", e në togfjalëshin "urime tetmarsi", që përsëritej në mënyrë formulaike pa ndonjë mendim për domethënien e saj. Edhe pse ky formalitet dhe urimet, përshëndetjet e festimet vazhdojnë, tashmë krahas tyre ka edhe aktivitete që synojnë ta kthejnë vëmendjen tek çështje që nuk janë për t’u festuar. E vetë kjo është arsye për të festuar.

Gjithashtu ishte pozitive zgjedhja e çështjeve ekonomike si temë e protestës. Dihet se gratë janë shumë më pak të përfshira në tregun e punës, dhe papunësia mes tyre është shumë më e lartë në krahasim me burrat në Kosovë. Diskriminimi gjinor është realitet si në punësim ashtu edhe mes personave të punësuar. Pa fuqizim ekonomik nuk mund të ketë as fuqizim social e politik. Pra, është mirë të kritikohet diskriminimi strukturor që u bëhet grave në shoqëri. Në këtë aspekt, është mirë që janë përfshirë edhe gratë sindikaliste në protestë, sepse lëvizja sindikale ka potencial të madh për të ndikuar në ndryshime strukturore. Edhe vetë ideja e grevës per 8 mars është e qëlluar dhe me potencial për të pasur ndikim më të madh në të ardhmen.

O sa keq

Përkundër gjithë të mirave që i ka kjo protestë, duhet përmendur aspektet negative. E para është formaliteti, që shprehet në shfaqjen e një "multietniciteti" të lëvizjes. Kjo bëhet përmes mbajtjes së parullave në gjuhën serbe e turke nga gra që janë shqiptare. Pra, këtu kalojmë në ujëra të përfaqësimit të rremë që është problematik. Si mund të pretendojë një grua shqiptare t'i përfaqësojë gratë serbe me një parullë serbisht? Këtu duhet përmendur fenomenin e Luftëtarëve të Drejtësisë Sociale (LDS, nga anglishtja Social Justice Warriors, SJW) në perëndim, të cilët kritikohen, mes tjerash, për shkak të pretendimit për të folur në emër të të gjithë personave të shtypur/pakicave. Këtu pra kemi të bëjmë me importimin e një fenomeni nga perëndimi, edhe pse vet atje ai është problematik. Ndoshta mund të thuhet se ky formalitet dhe importim ka ardhur nga ndikimi i donatorëve.

Pikërisht varësia e madhe ndaj donatorëve të huaj është një nga problemet kryesore të lëvizjes. Ky është problem me shoqërinë civile në përgjithësi. Megjithatë është inkurajues fakti se në lëvizje marrin pjesë grupe e individë që nuk janë të varur nga donatorët e huaj.

Një problem tjetër, që lidhet me këta dy të parët, është injorimi i dallimeve të vërteta në shoqëri. Të folurit në emër të grave serbe është problem në vete siç e pamë më lart, por gjë edhe më e keqe është injorimi i grupeve që i kanë punët më së keqi, siç janë gratë e bashkësive rome, ashkali e egjiptase. Indeksi i Zhvillimit njerëzor tregon se në fakt serbët kanë zhvillim njerëzor më të lartë se grupet tjera etnike në shoqëri. Ky fakt e bën edhe më absurde mbajtjen e parullave në gjuhën serbe nga gra shqiptare; në të njëjtën kohë kur gjendja sociale e shqiptareve është më e keqe; dhe kur injorohen gratë me zhvillimin më të ulët në vend, pra ato rome, ashkalinje e egjiptase. Kjo përbën një përçudnim sui generis të konceptit të intersekcionalitetit që thërret për kushtim të vëmendjes ndaj grave të pakicave të shtypura. Dhe në të njëjtën kohë, prapë nëpërnjet rrugëve të përçudnuara, reflekton një fenomen të përhapur në perëndim, që është fokusi në politika të identitetit te çështjet gjinore. Ky është një aspekt shumë i kritikuar - shumë me vend - i lëvizjeve feministe e gjinore. Veç se në Kosovë shfaqet përmes prizmit etnik serbo-shqiptar, si çdo gjë tjetër, që ia jep një karakter të dyfishtë identitarian këtij fenomeni.

Një tjetër aspekt negativ i protestës ishin disa parulla që mund të quhen të palogjikshme në vetvete, por edhe të shkëputura nga realiteti. Për shembull, parulla që thotë se nuk duhet të ketë punë shtëpie pa pagesë. Kjo nxitë disa pyetje që edhe pse mund të tingëllojnë cinike dhe të pandjeshme, duhet shqyrtuar seriozisht. Për shembull: Si do të realizohej kjo thirrje? Nga cili buxhet duhet të paguhen njerëzit e shtëpisë që kryejnë punët e shtëpisë? Logjikisht, do të duhej të paguheshin nga buxheti familjar. Në këtë rast, a do të duhej të paguheshin të gjithë anëtarët e familjes për punët shtëpiake, apo vetëm gratë? Dhe si t'ia bëjmë me faktin që vetëm një përqindje relativisht e vogël e familjeve kanë të ardhura formale nga punësimi? Këtyre pyetje nuk mund t’ju përgjigjemi pa i konsideruar disa pyetje tjera edhe më të vështira: si p.sh., a duhet një familje t’i shesë asetet (p.sh. lopën në fshat) që i përdorë për mbijetesë, që t'i paguajë anëtarët e saj për punët shtëpiake? Pastaj ka pyetje tjera interesante, por ndoshta që jo patjetër duhet përgjigjur, si: ku do t'i dërgonin të ardhurat ata që paguhen? Prapë në buxhetin familjar? Në llogari kursimesh? Apo në shpenzime konsumi (p.sh. në telefon, kafe etj.)? Këtu prapë kemi të bëjmë me importim te parullave copy-paste nga lëvizje perëndimore që jo vetëm se janë të palogjikshme vetvetiu, por edhe e injorojnë kontekstin vendor totalisht.

Kundërreagimi

Këto gafa janë të rëndësishme sepse mund të sjellin një kundërreagim të fortë nga pjesët konservative të shoqërisë. Dhe çfarëdo suksesi që është arritur deri tash rrezikohet të zhbëhet. Kjo lëvizje nuk guxon t'ia lejojë vetes bërjen e gabimeve të tilla.

Në këtë kontekst ky shkrim është thirrje për të qenë autentik, të bazuar në gjendjen vendore si dhe për të qenë strategjik. Duhen zgjedhur betejat në vendin dhe kohën e duhur. Importimi blanko i parullave të huaja nuk është i nevojshëm kur ka çka thuhet mjaft vendorisht. Rrjedhimisht në vijim janë disa këshilla të paftuara.

Kah tash?

Së pari, lëvizja duhet të jetë më proaktive. Duhet shfrytëzuar ngjarjet vendore për të zmadhuar ndikimin e tyre dhe të lëvizjes. Për shembull, kerkesa e Ministrisë së Pushtetit Lokal ndaj komunave për të respektuar kuotat gjinore në formimin e trupave komunale pas zgjedhjeve ishte një rast i mirë per të kërkuar që të instalohen kuota në nivel qendror si dhe në të gjitha institucionet publike. Ky ishte një rast i humbur sepse kërkesa e Ministrisë pati bujë mediale. Gjithashtu, edhe pse lëvizja #metoo u përhap në tërë botën, në vend nuk pat ndonjë aktivitet të theksuar për të ngritur vëmendjen për problemin e ngacmimit seksual në punë. Pra, kërkohet të bëhen aktivitete vazhdimisht, e jo vetëm kur arrihet financimi me projekte të donatorëve.

E dyta, duhet fokusuar në çështje konkrete duke kërkuar ndryshime konkrete. Kjo ndodhë deri diku në fushën e drejtësisë për viktimat e vrara, por duhet të ndodhë edhe në fusha tjera. Për shembull një çështje konkrete është kujdestaria për të sëmurët në familje. Dihet se kjo bëhet më shumë nga gratë. Ligji aktual parasheh kompensim për kujdestarët e të sëmurëve që janë krejtësisht të palëvizshëm. Mirëpo kjo nuk mjafton, sepse ka shumë të sëmurë që edhe pse nuk janë krejt të palëvizshëm kërkojnë përkujdesje të plotë ose të pjeshme. Kujdestarët nëpër shtëpi ia heqin një barrë të madhe sistemit shëndetësor dhe duhet të kompensohen. Një arritje e tillë do të kishte efekte të mëdha pozitive për tërë shoqërinë.

Pastaj është ligji për martesa që lejon martesën në moshën 16 vjeçare me lejen e prindërve. Lufta e suksesshme kundër martesave të hershme mund të bëhet vetëm nëse ndryshohet ky ligj. Kjo tashmë është bërë e domosdoshme kur dihet numri relativisht i madh i martesave të hershme dhe analfabetizmi pas luftës.

Gjithashtu, nuk duhet harruar se ekziston edhe niveli komunal e jo vetëm ai qendror. Fushatat duhet të përqendrohen edhe tek komunat. Nëse e ke parë ndonjëherë ndonjë nënë duke bartur karrocën shkalleve të Prishtinës për mungesë të shtigjeve, besoj se e kupton për çka e kam fjalën. Rregullimi i shtigjeve përreth miliona shkallëve të qytetit do të kishte pasoja në rimendimin e qasshmërisë për të gjithë këmbësorët, e sidomos për ata me aftësi të kufizuara. Pastaj ka çështje tjera që mund të ngriten në nivelin komunal që nga çerdhet e deri të kërkesat ndaj bizneseve private për akomodim të grave e fëmijëve për shembull përmes qasjes fizike e hapësirës së toaleteve e dërrasave për ndërrim të bebeve (që në këtë kryeqytet europian të shekullit 21 janë inekzistente).

Për fund, duhet adresuar kulturën e festimit të "tetmarsit" që vazhdon të manifestohet për arsye socio-historike. Vetë emri i lëvizjes synon ta sfidojë këtë por duke ditur kulturën e fortë të festimit ka pasë reagime cinike ndaj marshimit që thonë se të njëjtat gra që marshojnë festojnë në mbrëmje. Si duket duhet të çlirohet koncepti i të festuarit nga festimi tradicional me lule e restorante. Është e nevojshme të bëhet festimi përmes ngritjes së figurave historike dhe personave që kanë ndikuar e ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së grave. Kështu të njëjtit njerëz mund të marshojnë paradite e të festojnë pasdite.

Ndoshta lëvizja duhet ta ndryshojë emrin në "Marshojme dhe festojmë". Ka mjaft edhe për t'u festuar, që nga lëvizja për zhdukjen e analfabetizmit mes grave gjatë viteve e 1990-ta, deri te kooperativat e grave që merren me përpunim bujqësor, duke përfshi edhe ato multietnike (si në Krushë dhe Klinë).

Pasojat shoqërore

Një lëvizje e mirëfilltë autentike e grave është më se e nevojshme. Çfarëdo përparimi në gjendjen e grave do të ishte përparim për shoqërinë. Këtë e them jo vetëm si deklaratë sipërfaqësore, por me mendim konkret. Në një shoqëri ku mungojnë sigurimet sociale dhe papunësia është shumë e lartë, sigurimi i të ardhurave për kujdestarët e të sëmurëve kronikë do të ishte progres social i mirëfilltë. Në këtë kuptim, lëvizja e grave mund të bëhet shtyllë kryesore e lëvizjes progresiste. Edhe pse tingëllon si deklaratë boshe, me të vërtetë, progresi i grave është progres për tërë shoqërinë.

29 mars 2018
13:17

Seb Bytyçi