16 shkurt 2018
11:25

Dhjet?vjetori i shpalljes s? pavar?sis? duhet t? na shtyj? t? mendojm? mbi dometh?nien e pavar?sis? s? shtetit.
Mbreti nuk ka rroba
Dekada e fundit ka shënuar disa përpjekje për forcimin e shtetit të Kosovës, mirëpo ato nuk kanë dhënë shumë rezultate. Viti i kaluar si vit zgjedhor nxori në pah shumë dobësi me shfaqjen e disa problemeve. Problemet e murit në Mitrovicën veriore, trenit nacionalist dhe arrestimit të kryetarit të një partie në Kosovë e ekspozuan dobësinë e shtetit të Kosovës. Sikur në përrallën ku mbreti është i zhveshur por të gjithë shtiren sikur ai është i veshur, shoqëria jonë po shtiret sikur ka një shtet të pavarur. Këto skandale kanë ndikuar që një numër i njerëzve t’i hapin sytë dhe të shohin se mbreti nuk ka rroba. U pa se shteti Kosovar është shumë më i dobët sesa pretendohet nga udhëheqësit e këtij shteti.
Tashmë 18 vite pas përfundimit të luftës, dhe 10 vite nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk ka arritur të bëjë asgjë që të shfuqizohen fletarrestimet e Serbisë për liderët kosovarë të luftës. Logjikisht, një shtet që synon të tregojë pavarësinë e vetë, do ta çonte këtë çështje në negociata. Mirëpo, edhe pas shumë viteve të negociatave me Serbinë, këto fletarrestime qëndrojnë mbi supe të shqiptarëve. Shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë që ta ndryshojë këtë situatë. Përderisa, liderët serbë të luftës avancohen në pozita profesionale, edhe pse ka dyshime të forta se janë përgjegjës për krime lufte, pa reagime nga Kosova.
Politikanë të fortë, shtet i dobët
Rasti i murit dhe ai i trenit janë edhe me të komplikuar, dhe fatkeqësisht mund të dëshmojnë për sjelljen e vetëdijshme të elitës politike në dëm të forcimit të shtetit. Sa i përket murit, politikanët kosovarë mund të kenë bërë marrëveshje për të me Beogradin ose të paktën të kenë qenë në dijeni se muri do të ndërtohet. Kjo do të bëhej në këmbim të hapjes së urës mbi ibër. Pajtimi me ndërtimin e një muri ndarës, do tregonte të paktën për një pamaturi të thellë të politikanëve tanë. Në rastin më të keq ajo tregon për një pajtim të vetëdijshëm me ndarje fizike të territorit të Kosovës që mund të ketë pasoja politike të rënda.
Kurse rasti i trenit, mund të jetë si dëshmi e një marrëveshje të pashkruar mes elitës politike të Beogradit e asaj të Prishtinës. Përveç pasigurisë te qytetarët, nisja dhe kthimi i trenit në kufi, nuk prodhuan asgjë tjetër. Por i gjithë ai teatër ishte një rast i mirë për demagogët në Beograd e Prishtinë të rrahin gjoks. Politikanët e Beogradit patën rastin të deklarojnë se do të bëjnë çmos për të mbrojtur serbët e Kosovës. Dhe në anën tjetër politikanët e Prishtinës e shfrytëzuan mundësinë të thonë se bënë gjithçka për të mbrojtur sovranitetin e shtetit. Sa e dobishme kjo, për një vit zgjedhor. Sigurisht se me afrimin e zgjedhjeve tjera mund të presim edhe tentim-penetrime tjera të ngjashme të shoqëruara me krekosje politike. Vënia në pyetje e stabilitetit të shtetit për përfitime politike tregon se në këto 10 vjet është krijuar një shtet i dobët, por ku politikanët kanë fuqi të madhe.
Pavarësi me P të madhe
Besoj që këto ngjarje duhet të na bëjnë të kuptojmë se pavarësia e shpallur nga Kosova duket si një etiketë. Mund të thuhet se shteti i Kosovës ka Pavarësi, por jo pavarësi. Pra, ka diçka që dëshiron ta quajë Pavarësi me P të madhe, por nuk ka pavarësi të vërtetë. E kemi shpallur pavarësinë mirëpo nuk e kemi mishëruar atë në këto dekadë.
Përveç çështjeve që i përmenda, janë edhe probleme tjera që tregojnë se pavarësia nuk është mishëruar. Për shembull, diskutimet e kohëve të fundit për “shkëmbim të territoreve” – që në fakt është diskutim për ndarje të Kosovës – tregon për dobësinë e themeleve të shtetit. “Skandali” me flamujt te rrethi i spitalit në Prishtinë, gjithashtu është një simptomë e shtetit të dobët, ku politikanët kapen pas simboleve shtetërore duke qenë të vetëdijshëm se substanca është e dobët. Për më tepër, dokumenti i fundit i BE-së për zgjerim, ku nuk qartësohet se rruga për anëtarësim është e hapur – një degradim në krahasim me dokumentet e mëhershme – tregon se edhe në arenën ndërkombëtare pavarësia e Kosovës, jo vetëm nuk po e merr kuptimin e saj të duhur, por ajo po e humb kuptimin e saj.
Një shtet ku politikanët janë më të fortë se shteti, është i dobët. Fatkeqësisht, politikanët tanë kanë dëshmuar se janë të gatshëm edhe të bëjnë veprime që e dëmtojnë shtetin, përderisa e forcojnë pozitën e tyre. Kjo vlen ose për injorimin e kërcënimeve serbe për rivalët politikë, por edhe për lehtësinë me të cilën i pranojnë veprimet e Beogradit që rrezikojnë ndarjen e vendit dhe sjellin pasiguri tek qytetarët, si edhe për fokusin në fasada, simbole e forma kur substanca e shtetit nuk forcohet. Ky dhjetëvjetor duhet të shërbejë për reflektim mbi nevojën e forcimit të shtetit, në vend të fokusit në fasadë.
16 shkurt 2018
11:25