A mund t'i shpëtojë ndarjes Lëvizja Vetëvendosje?

16 janar 2018 10:25

Pas dorëheqjeve të disa vetave nga postet drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje është hapur çështja e ndarjes së saj. Këtu do të diskutojë për faktorët e mundshëm që ndikojnë në përçarjet e brendshme dhe ndarjen e mundshme.

Dhimbjet e rritjes

Për shumë njerëz ishte shokuese kur papritmas subjekti më i madh në vend filloi t’i lajë të palarat e veta në shesh. Mirëpo ky zhvillim nuk duhet të jetë patjetër befasues pas zhvillimeve nëpër të cilat kaloi LVV. Këto zhvillime është e pritshme se do të shkaktonin dhimbje të rritjes. Janë dy faktorë kryesorë që ndikojnë në përçarjet e brendshme. Së pari, është pranimi i vazhdueshëm i njerëzve të ndryshëm në lëvizje, duke përfshirë në pozita drejtuese. Dhe së dyti, e për mua më i rëndësishmi, është procesi i byrokratizimit.

Njerëz e ide

Gradualisht LVV është shndërruar në një subjekt që shumë i përngjan një partie “tendë e madhe” (“big tent”). Ky tipar mund të thuhet se ka ekzistuar deri diku që nga fillimi, kur dihet se LVV ka kombinuar majtizmin me nacionalizmin; aty ka pasë njerëz që kanë qenë në LVV për shkak të aspektit nacionalist (e që mund të mos kenë qenë majtistë), dhe në të njëjtën kohë tjerë që kanë qenë majtistë (e që mund të mos kenë qenë nacionalistë). Me kalimin e kohës në LVV kanë hyrë njerëz që kanë qenë në pika të ndryshme të spektrit ideologjik. Ka liberalë e konservatorë socialë në njërin bosht, në tjetrin ka jonacionalistë, etnonacionalistë, shtet-nacionalistë, dhe në boshtin ekonomik ka majtistë të nuancave të ndryshme, kenjzianistë e deri te (neo)liberalë. Është e natyrshme që njerëz me prapavijë të ndryshme ideologjike të mos i shohin zhvillimet me sy të njëjtë dhe kjo ndikon në përçarje.

Byrokratizimi

Fenomeni më i rëndësishëm që ndikon në përçarje, sipas informatave që janë në publik, është byrokratizimi. Me byrokratizim këtu nënkuptoj procesin strukturimit të organizatës dhe ndarjes së punëve ku krijohet një trup i veçantë që merret me punët e përditshme dhe karakterizohet nga profesionalizimi dhe meritokracia. Ky është një proces i natyrshëm nëpër të cilin kalon çdo organizatë, dhe është i lidhur ngusht me modernizimin. Së pari për këtë ka shkruar Ueber, i cili ka vërejtur procesin e byrokratiziit të të gjitha organizatave në shtetet që po modernizoheshin në Europën perëndimore.

Shtetet në transformim/tranzicion, kanë probleme me këtë proces, për shkak të mospërfundimit të modernizimit. Gjatë studimeve të mia për doktoraturë, kam gjetur se në Kosovë organizatat vuajnë nga mungesa e “byrokratizimit” pra nga profesionalizmi dhe meritokracia, gjë që i bën joefikase. Ato organizata që ishin më të “byrokratizuara” ishin më efektive dhe më eficiente (shpenzonin më pak).

Problemet rrjedhin nga polinormativiteti apo pasja e shumë llojeve të vlerave brenda një organizate. Në njërën anë organizatat shpallin vlera universaliste (që mishërohen me profesionalizëm, vlerësim të performancës, meritokraci etj.), kurse në anën tjetër janë terren i vlerave parokiale (që mishërohen me klika politike, shoqërore, familjare, klanore etj.). Kjo dikotomi e paralizon një organizatë.

Më duhet të theksoj, për shkak të konotacionit negativ të termit “byrokraci”, se ky proces nuk duhet të shihet si diçka negative. Gjithashtu, duhet theksuar se fakti që LVV po përballet me këto probleme është indikator se është organizatë më moderne në krahasim me partitë e tjera, të cilat nuk shquhen për pasjen e një byrokracie, dhe ku gjërat më shumë funksionojnë sipas vlerave parokiale. Sidoqoftë, LVV, si duket, ka dështuar në raundin e parë të byrokratizimit. Diagnoza për këtë sigurisht ka të bëje më ato që i thashë më lart, pra me shfaqjen e rrjeteve me tendenca parokiale që e kanë bërë byrokracinë të jetë joefikase. (Nga ky prizëm, rezultati zgjedhor i LVV-së del të jetë edhe më i mrekullueshëm seç e kemi menduar deri tash).

Partitë politike mund të kompensojnë mangësitë byrokratike, për shkak se njerëzit mund të motivohen që të punojnë për arsye ideologjike. Te partitë më parokiale motivimi mund të jetë më shumë nga arsye që kanë të bëjnë me shpërblime afatshkurta si vende pune etj. Sidoqoftë, partitë mund t’i mbulojnë mangësitë për shkak të natyrës së tyre për dallim nga organizatat e tjera si administrata publike, ku punësimet sipas rrjeteve parokiale janë të shpeshta (ose edhe sektori privat ku firmat e vogla nuk punësojnë njerëz jashtë familjes). Si duket ishte afrimi i zgjedhjeve brendapartiake në LVV që i nxori në pah problemet.

Perspektiva për një parti të re

Nuk dua të futem shumë në spekulime për atë se çka do të ndodhë, mirëpo zgjedhjet do të jenë pika kritike mbas të cilës krahu i ish-funksionarëve të lartë do të publikojë planet se a do të formojnë parti të re a jo. Kjo ngase kërkesa e tyre kryesore ishte që z. Kurti, që pritet të jetë kryetari i ri, të mos kandidojë për kryetar. Nëse ky krah vendos të formojë parti të re do ta ketë sfidë identifikimin ideologjik. Ata do të ndodhen para një dileme se në cilën pikë të spektrit të përcaktohen. Për shkak se LVV është qendër e majtë, një parti e re po të përcaktohej si qendër e majtë gjithashtu, kjo do të vinte në pikëpyetje ekzistimin e vetë partisë, sepse do të ishte dyfishim i diçkaje që ekziston. Gjithashtu kjo do të nënkuptonte se ndarja nuk është bërë për arsye ideologjike po për arsye të tjera (që mund të lidhen me parokializmin e diskutuar më lart).

Nëse një parti e re shkon në drejtim të djathtë dhe përcaktohet si parti e qendrës atëherë perspektiva e saj elektorale do të ishte e dyshimtë. Kjo për shkak të trendeve vendore e globale të dobësimitë të qendrës dhe thellimit të ndarjes i majtë - i djathtë. Performanca e subjektit të ri, Alternativa, në zgjedhjet e fundit mund të shërbejë si indikator për apetitin e qytetarëve për një parti të qendrës. Gjithashtu, historia e krijimit të partive të reja, sidomos nga ndarjet, në Kosovë, nuk është aq shpresëdhënëse për një parti të re.

Reformat

Një shpëtim nga ndarja mund të jetë procesi i reformimit që duhet të ndodhë në LVV. Ky subjekt duhet të fillojë përpjekjen e dytë për të krijuar një byrokraci moderne, të profesionalizuar e meritokratike, gjë që do të parandalonte krijimin e rrjeteve parokiale të mundshme. Nëse bëhet si duhet ky proces, do të krijonte një organizatë efikase që nuk do të varej nga thirrjet ideologjike dhe pritjet afatshkurta parokiale për të dhënë rezultate efektive.

Në të njëjtën kohë, LVV mund të krijojë trupa të brendshëm që e integrojnë krahun e përçarë. Për shembull, mund të krijohet një pleqësi si trup këshilldhënës senatorial. Gjithashtu, pjesëtarët e këtij krahu do të mund të kyçeshin në trupa të tjerë si kolegjiume profesionale, si dhe shërbimet vullnetare. Shumë parti kanë krahë të ndryshëm brenda vetes dhe ndarja nuk është opsioni i vetëm.

16 janar 2018
10:25

Seb Bytyçi