Mësimet nga revolucioni rus

03 janar 2018 11:20

Viti 2017 shënoi 100 vjetorin e revolucionit rus. Është shkruar shumë si për shkaqet e kësaj ngjarjeje ashtu edhe për rrjedhën e saj. Në shtypin shqiptar mungoi ndonjë shkrim që e trajtonte seriozitetin e kësaj ngjarje. Ndoshta kjo është nga traumat e rënda të komunizmit. Vetë kjo tregon për rëndësinë e kësaj ngjarjeje pasojat e të cilës i bartim edhe ne sot. Mund të thuhet se ky revolucion ishte një nga momentet më të rëndësishme të shekullit 20-të me pasoja që vazhdojnë. Prandaj ia vlenë ta trajtojmë atë në 100 vjetorin e tij. Gjëja më me rëndësi është që të marrim mësime nga kjo ngjarje. Dhe këtu janë dy mësime kryesore që duhet t’ia përkujtojmë vetes. Së pari, mbështetja ndërkombëtare nuk mjafton për të mbajtur në këmbë një regjim të korruptuar. Dhe së dyti, nëse “reformatorët” nuk i ndryshojnë gjërat, pas tyre vijnë radikalët.

Mbështetja ndërkombëtare nuk garanton mbijetesë

Pra, mësimi i parë është se për një regjim të korruptuar mbështetja ndërkombëtare nuk mjafton që ai regjim të mbijetojë. Sado e fortë që është ajo mbështetje e huaj për regjimin, nëse qeveritë e njëpasnjëshme të atij regjimi nuk përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve, atëherë jeta e regjimit është e kufizuar. Carët e Rusisë e kishin mbështetjen ndërkombëtare para revolucionit. Rusia e asaj kohe ishte integruar në regjimin ndërkombëtar të tregtisë së lirë, që dominonte para Luftës së Parë Botërore. Mirëpo, kjo nuk kishte garantuar përmirësimin e gjendjes për qytetarët e thjeshtë, dhe përfundimisht nuk kishte garantuar jetën e regjimit. Pjesëmarrja në luftën e parë botërore vetëm se e kishte “mbushur kupën” duke rezultuar në revolucion.

Një zhvillim i ngjashëm i ngjarjeve ndodhi edhe në Iranin pararevolucionar. Shahu atje kishte mbështetjen ndërkombëtare. Gjithashtu, Irani ishte integruar në sistemin ndërkombëtar të tregtisë së lirë, dhe kishte investitorë të jashtëm, sidomos në sektorin energjetik (naftës). Mirëpo, asnjë nga këto gjëra nuk ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Dallimi mes elitës dhe qytetarëve rritej gjithnjë e më shumë. Dhe përfundimisht, asnjë nga ato gjëra nuk ia shpëtuan jetën regjimit.

Radikalët janë në radhë

Mësimi tjetër tepër i rëndësishëm është se ekstremistët po presin në radhë nëse “reformatorët” dështojnë. Para revolucionit bolshevik të tetorit 1917, Rusia pati një revolucion tjetër në shkurt 1917. Ishte ky revolucioni i parë që solli abdikimin e carit Nikollas II, dhe krijimin e nje Qeverie të Përkohshme. Kjo qeveri përfshinte njerëz nga një spektër ideologjik ku përfaqësohej e djathta dhe qendra e majtë. Ndërkohë të majtët (ku përfshiheshin bolshevikët) kishin krijuar sovietet (asambletë) që ishin si institucione paralele. Sidoqoftë, e majta nuk e kundërshtoi qeverinë e përkoshme dhe e lejoi atë të punojë.

Kjo qeveri e përkohshme kishte dështuar t’i zgjidhte problemet me të cilat ballafaqohej. Si shembull, qeveria nuk e kishte ndërprerë pjesëmarrjen në luftën e parë botërore, edhe pse pakënaqësia me këtë pjesëmarrje ishte tepër e madhe në popullsi. Dhe dështimi për t’u marrë me problemet e shoqërisë çoi në rënien e kësaj qeverie. Dihet se ata që e morën pushtetin në revolucionin e dytë, atë të tetorit, ishin më radikalë se grupet që përbënin qeverinë e përkohshme. Pra bëhet fjalë për bolshevikët që bënë revolucion të armatosur. Rezultati i kësaj ishte lufta civile, dhe përfundimisht themelimi i Bashkimit Sovietik.

Shumë spekulime mund të bëhen, e janë bërë, për gjasat e suksesit të qeverisë së përkohshme. Si do të ndodhnin gjërat nëse ajo qeveri do të kishte sukses? Si do të shkonte rrjedha e historisë? Dhe pse nuk pati sukses? Është vështirë të dihen përgjigjet në këto pyetje. Por ajo që dihet është se mosgatishmëria për t’i dëgjuar kërkesat e qytetarëve krijoi kushtet për revolucionin e dytë. Një qeveri që nuk u përgjigjet nevojave të kohës, nuk mund të jetë e sukseshme. Dhe nëse ato nevoja janë akute, atëherë qytetarët e përkrahin atë alternativë që premton ballafaqimin me to.

Këtu mund ta zgjerojmë spektrin kohor, dhe të shohim se edhe vetë revolucioni i shkurtit 1917 u shkaktua nga dështimi i reformave të një revolucioni të mëhershem, atij të vitit 1905. Rezultati i këtij revolucioni ishte miratimi i kushtetutës dhe themelimi i parlamentit, ku cari u detyrua ta ndajë pushtetin e tij. Dhe ai revolucion ishte shkaktuar nga ekspozimi i vendit ndaj sistemit financiar europian, ku një krizë e viteve 1899-1900 kishte shkaktuar pasoja të rënda në Rusi për disa vite. Gjendja e rëndë e një pjese të madhe të popullsisë nuk ishte përmirësuar që nga revolucioni i vitit 1905, dhe si rezultat kishte ndodhur revoluconi i radhës.

Gjithashtu, prapë mund ta marrim shembullin e Iranit. Aty, një puç kundër qeverisë së majtë në vitin 1953, rezultoi në forcimin e regjimit të Shahut. Ky regjim, edhe pse kishte përkrahje ndërkombëtare, për shkak se ishte i korruptuar dhe nuk përmbushte nevojat e popullsisë, përfundimisht e gjeti fundin në vitin 1979. Këtu, “papëlqyeshmëria” e të majtëve, solli në pushtet ekstremistët fetarë që instaluan një teokraci, edhe pse revolucioni ishte filluar prap nga të majtët. Ngjashëm edhe në Gjermaninë e Italinë e mes dy luftave botërore, dështimi i social-demokratëve solli në pushtet naci-fashistët. Prandaj mësimi është se kur refuzohen ose dështojnë ato grupe që tentojnë të bëjnë reforma, pas tyre forcohen grupe radikale e ekstremiste të të gjitha llojeve.

03 janar 2018
11:20

Seb Bytyçi