20 dhjetor 2017
14:36

Këtë vit ishte 500 vjetori i reformacioinit protestant. Natyrisht se është shkruar shumë për aspektet fetare të kësaj ngjarjeje historike. Mirëpo, ia vlen t’i shohim edhe aspekte tjera që lidhen me zhvillimin. Do të shohim se përveç fesë, kemi të bëjme me një storie që përfshin korrupcion, politikë dhe ushqim.
Maks Ueber kishte shkruar për lidhjen e protestantizmit me ekonominë, në veprën e tij Etika protesetante dhe fryma e kapitalizmit. Aty ai flet për lidhjen e fesë me zhvillimin e kapitalizmit, dhe thotë se protestantizmi ka ndikuar pozitivisht në lindjen e kapitalizmit për shkak të fokusit të tij në punë dhe shenjtërinë e punës; dhe për shkak të asketizmit, ndalimit të luksit, blerjes së ikonave dhe lëmoshës. Këto dy gjëra pra, sipas Ueber kishin çuar drejt grumbullimit të pasurisë në njërën anë dhe investimit të saj në anën tjetër që sillte edhe më shumë pasuri. Pra këto ishin efekte të paqëllimshme të protestantizmit që ndikuan në zhvillimin e kapitalizmit.
Ky përbën argument të fuqishëm të qasjes se kultura përcakton zhvillimin. Por në anën tjetër ekziston pikëpamja që janë politikat ato që përcaktojnë zhvillimin. E këto mund të ndryshojnë edhe kulturën.
Reforma protestante
T’i kthehemi reformës protestante për të parë se si edhe aty kanë luajtur rol politikat e ndryshme të kohës. Para se të flas për politikat që lidhen direkt me reformën protestante, duhet të kuptojmë kontekstin e përgjithshëm në të cilin ndodhi ajo. Së pari, në atë kohë po ndodhnin ndryshime globale. Ishin zbuluar rrugë të reja drejt lindjes përreth Afrikës nga Portugalia dhe Spanja për tregtinë e mëlmesave dhe produkteve tjera. Gjithashtu, këto dy shtete kishin filluar kolonizimin e kontinentit të sapozbuluar të Amerikës. Këto zhvillime pjesërisht ishin nxitur nga pushtimi i Konstantinopojës nga Perandoria Osmane duke çuar në kontrollin e rrugëve tregtare për në lindje nga osmanët.
Politikat papale
Kontrolli i rrugëve të lindjes nga osmanët pati edhe një ndikim tjetër në jug. Tregtarët dhe shtetet italiane, duke përfshirë edhe shtetin e papatit, që përfitonin më së shumti nga këto rrugë, u dobësuan. Ndërkohë, me konvertimin e Aja Sofias në xhami, papa Leo X, vendosi që ta rindërtojë bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, si kishën më të madhe në botë. Dhe për këtë i duheshin para. Mënyra për të siguruar paratë u gjet në shitjen e indulgjencave, që garantonin zvogëlimin e vuajtjeve në botën tjetër (edhe për të afërmit e vdekur të blerësve).
Shitja agresive e indulgjencave i shkonte për shtati edhe kryeklerikut të Gjermanisë, Albert fon Brandenburg (Albert ose Albrecht von Brandeburg), Kryepeshkopi i Majncit (Mainz). Ky e kishte blerë këtë pozitë me para të marra hua nga bankieri Fuger, dhe indulgjencat i shërbenin për t’i kthyer borxhet. Kështu që ky bëri marrëveshje me papën që gjysmën e parave të fituara t’i dërgonte në Romë.
Disa politika tjera që ndikuan në krijimin e kushteve për reformacionin kishin të bëjnë me ushqimin. Kisha kishte ndaluar përdorimin e gjalpit në ditët e festave. Kjo nuk duket si problem i madh, mirëpo në atë kohë festat fetare e zyrtare ishin të shumta. Duke qenë se dieta ushqimore ishte shumë e varfër në përgjithësi, një numër i madh i popullsisë varej nga gjalpi për mbijetesë. Kjo vlente sidomos për zonat larg mesdheut, që përdornin gjalp (prodhim vendor) dhe jo vaj ulliri, i cili nuk ishte i ndaluar. Për t’i rënduar gjërat edhe më shumë, nga kjo politikë përfitonin tregtarë nga Italia që shisnin vaj ulliri me cilësi të dobët e me çmime të larta në Gjermani.
Gjithashtu, këtu hyn në lojë edhe birra, përbërësit e të cilës ishin të caktuar nga kisha. Dhe kisha mbante monopolin e shitjes së atyre përbërësve. Përsëri, kjo nuk do të ishte ndonjë problem madhor, po të mos ishte fakti që shumica e popullsisë në atë kohë pinte birrë në vend të ujit, sepse uji ishte i papastër.
Politikat vendore
Nga ana tjetër, tepër të rëndësishme për reformacionin ishin politikat vendore në Gjermani, sidomos në shtetin e Saksonisë, vendlindjen e Martin Lutherit dhe një nga shtetet më të rëndësishme të Gjermanisë. Në vitin 1502, Frederiku III (i Urti), princi-elektor i Saksonisë kishte themeluar Universitetin e Uitenbergut (Wittenberg), ku më 1508, do të fillonte të jepte mësim Martin Lutheri. Gjithashtu, ky i ofroi mbrojtje Lutherit gjatë përndjekjes së tij nga kisha dhe leçitjes nga shteti gjerman.
Sekretari i Frederikut, Georg Spalatin, kishte luajtur rol të madh në reformacion për shkak të kundërshtimit të tij për ikjen e parave nga Gjermania drejt Italisë përmes indulgjencave e monopoleve tregtare. Pra, kemi këtu një lloj prot-merkantilizmi që shfaqet në Saksoni, por që ishte paraqitur edhe në vende tjera. Për shembull në Angli, më herët mbreti kishte ndaluar eksportimin e lëndës së parë të papërpunuar (leshit për tekstil) drejt Belgjikës e Holandës. Dhe në tërë baltikun ishte krijuar një pakënaqësi e lartë me kartelin tregtar të Hanzës, gjë që kishte çuar në shkatërrimin e Lidhjes Hanzeatike, e cila ishte luftuar aktivisht në Rusi nga shteti i ri i Muskovit. Konkurrenca mes shteteve, pra, po merrte tipare të merkantilizmit, dhe ikja e kapitalit nga Saksonia, ishte e papranueshme për liderët e saj.
Edhe përhapja e fesë së re protestante tregon për rolin e rëndësishëm të politikës. Patronazhi i princave për reformatorët protestantë ishte një nga faktorët kyç të përhapjes së fesë së re. Një tjetër faktor ishte autonomia politike më e madhe që ekzistonte në disa zona. Dhe, feja e re u përhap më shumë në ato rajone me potencial ekonomik por që kishin institucione politike të këqija.
20 dhjetor 2017
14:36