Dobësimi i politikave të vjetra

Disa tipare kryesore t? zgjedhjeve lokale 2017, ishin dob?simi i partive t? vjetra, fragmentimi n? komunat shqiptare, dalja m? e ul?t, ndryshimi i kalkulimeve n? balotazh, si dhe ngusht?sia e rezultatit n? shum? komuna.

05 dhjetor 2017 11:24

Dobësimi i partive të vjetra

Nëse shikojmë numrin e këshilltarëve komunalë vërejmë se partitë më të vjetra (AAK, LDK, PDK) kanë zvogëlim të numrit të tyre. AAK ka 127 këshilltarë nga 132 sa kishte (4% më pak); LDK 212 nga 224 (5.5% më pak); PDK 215 nga 359 (40% më pak); si dhe AKR 36 nga 41 (12% më pak). Kurse partitë më të reja kanë rritje. LVV ka gati dyfishim të këshilltarëve (127 nga 69; 84% më shumë); NISMA ka zgjerim në tërë territorin e Kosovës nga zero (me 50 këshilltarë), sepse në zgjedhjet e kaluara lokale nuk ekzistonte si parti, por vetëm si iniciativë qytetare në Malishevë. Dhe Alternativa ka fituar tetë këshiltarë, në tri komuna. Subjektet e tjera të vogla kanë fituar mbi 30 këshilltarë: LB 7, PD 6, Iniciativa të ndryshme qytetare 18, dhe Fjala 1. Dobësimi i subjekteve të vjetra vërehet edhe te kryetarët e komunave.

Fragmentimi në komunat shqiptare dhe konsolidimi në ato serbe

Harta politike është shumëngjyrëshe dhe, fragmentimi po vazhdon si shtytës i dobësimit të partive të vjetra. Tashmë kemi dy komuna të udhëhequra nga kandidatë të pavarur; dy komuna të udhëhequra nga parti që udhëheqin vetëm në një komunë përkatëse (AKR në Mitrovicë, Nisma në Malishevë) dhe gjithashtu kemi 7 komuna që udhëhiqen nga një parti e vogël (AAK) (e cila është në garë edhe për një komunë shtesë ku ka rivotim, Istogu). Pjesa tjetër ndahet nga LDK, PDK, e LVV. Komunat me shumicë shqiptare ndahen mes 8 subjekteve të ndryshme. Kjo përbën gati trefish numrin e subjeteve në krahasim me periudhën e pasluftës kur komunat udhëhiqeshin nga LDK, PDK e AAK. Fragmentimi do të kishte qenë edhe më i madh po të kishte fituar Alternativa në Gjakovë, që ishte në balotazh.

Për dallim nga komunat shqiptare në ato serbe ka konsolidim të Listës Srpska. Tash ajo udhëheq të gjitha komunat serbe (nga 9 në 10). Edhe në Kllokot, ku në balotazh fitoi një kandidat i një subjekti tjetër, ai kandidat kaloi në Listën Srpska.

Asnjë parti nuk dominon

Nga 27 komuna me shumicë shqiptare, numrin më të madh e udhëheqin LDK dhe AAK me nga 7 (këto të dyja janë në garë për Istogun në rivotim, dhe njëra nga to do të ketë 8 komuna). Ky  numër nuk është shumicë, por thjesht një pluralitet i dobët. Pas LDK-së e AAK-së vjen PDK me 4, LVV me 3, AKR me 1, Nisma me 1, dhe kandidatët e pavarur në 2 komuna.

Nëse e krahasojmë gjendjen pas zjedhjeve të 2017-ës me atë para zgjedhjeve, shohim se ndryshimi më i madh është te PDK që udhëheq 6 komuna më pak, që nënkupton zvogëlim nga 10 në 4. LDK bie nga 9 komuna në 7 (potencialisht 8 me Istogun). Pastaj, te AAK ka rritje/dyfishim nga 3 në 7 (potencialisht 8 me Istogun). LVV ka rritje/trefishim nga 1 në 3, Nisma nuk e ndryshon gjendjen ku vazhdon të udhëheqë me 1 komunë. AKR, tash ka vetëm një komunë në krahasim me zgjedhjet e kaluara, mirëpo Gjakovën veç e kishte humbur para zgjedhjeve për shkak të ikjes nga partia të kryetares. Alternativa shkon nga 1 komunë në zero.

Dalja më e ulët

Një tipar tjetër i zgjedhjeve ishte edhe dalja më e ulët e votuesve. Kjo mund të jetë për shkak të faktit se kishte zgjedhje parlamentare para disa muajve. Por kjo dalje mund të jetë edhe indikator i rritjes së pakënaqësisë me institucionet, si dhe e pakënaqësisë me krijimin e koalicionit qeverisës në qendër.

Risitë e balotazhit

Një risi e balotazhit ishte faktori Vetëvendosje, që i prishi parashikimet. Në Kamenicë normalisht në balotazh ka fituar kandidati i dytë, për shkak të fragmentimit të votës. Mirëpo, kësaj radhe fitoi kandidati i parë. Kjo mund t’i mveshet faktit që ky kandidat ishte i Vetëvendosjes, sepse në komuna tjera ku pritej përmbysje në balotazh, ashtu edhe ndodhi (p. sh. Rahovec). Kurse në Prizren pati përmbysje edhe pse gjasat ishin më të vogla, që ishte një përsëritje e rastit të Prishtinës më 2013. Prapë kjo mund t’i mveshet faktorit LVV, por edhe faktit që si te Prishtina aty kemi të bëjmë me një komunë urbane. Kjo duhet ta shtyjë LVV-në të shohë pse nuk performoi mirë në një komunë urbane si Gjilani.

Rezultati i ngushtë

Një risi tjetër është se rezultati në shumë komuna ishte i ngushtë, me dallim prej qindra ose dhjetëra votash. Rasti i Prishtinës e i Prizrenit ishte më i njohur, por rezultati i ngushtë ishte edhe në shumë komuna tjera, dhe në Istog u ndryshua nga votat me postë gjë për të cilën shkoi në rivotim komuna për shkak të ankesave. Kjo nënkupton se partitë do të mundohen të sigurojnë vota me çdo kusht në të ardhmen, sidomos nga diaspora, sepse secila votë ka rëndësi.

Pakënaqësia me balotazhin

Në këto zgjedhje u rritën zërat që shprehin pakënaqësi me balotazhin. Këtu duhet theksuar se nëse eliminohet balotazhi, ai nuk duhet të zëvendësohet me një sistem ku thjesht i pari fiton (që nuk është demokratik), por me një sistem të votës alternative. Një opsion është vota preferenciale ku rangohen kandidatët sipas preferencës së votuesit, dhe në rast se njëri nuk merr mbi 50% preferenca të para, atëherë numërohen preferencat e dyta. Dhe një opsion tjetër i mirë është vota miratuese ku votohet për secilin kandidat me miratim, abstenim ose kundërshtim. Pra me këto sisteme “balotazhi” ndodh në raundin e parë dhe s’ka nevojë për raund të dytë.

Gjithashtu, duhet problematizuar faktin se kryetarët e komunave kanë pushtet të madh. Kjo u vendos me ligj kur u ndryshua mënyra e zgjedhjes së tyre. Një pjesë e pushtetit të tyre duhet t’u kthehet kuvendeve dhe duhet të konsiderohet edhe zgjedhja e kryetarëve bashkë me këshilltarët komunalë me lista të hapura.  

05 dhjetor 2017
11:24

Seb Bytyçi