Dhjetë gjëra që komunat mund t’i bëjnë për zhvillim

29 nëntor 2017 11:02

Fushata për balotazhin e zgjedhjeve lokale 2017 ka treguar një përmirësim shumë të vogël në krahasim me fushatat e mëhershme. Fatkeqësisht ende kandidatët merren me shuma astronomike të premtimeve për investime e vende pune. Pra, mungoi një sens i realizmit në premtime e në debate. Gjithashtu, vazhdoi trendi i temave popullore. Në zgjedhjet e mëhershme temë popullore ishte partneriteti publiko-privat (PPP), kurse në këto zgjedhje janë “fondet e punësimit”. Nuk pati ndonjë vlerësim se sa u realizuan ato premtime për PPP. Gjithashtu, fakti që askush nuk i analizoi projektet e realizuara me PPP është brengosës. Do të dëshiroja të thosha se ka rritje të cilësisë së debatit. Mirëpo këto dukuri më shtyjnë të theksoj se nëse ka ngritje cilësie ajo është tepër e vogël.

Përveç asaj, vazhdon edhe hutia me përzierjen e kompetencave me qeverinë qendrore. Dhe, sa i përket zhvillimit mbizotëron përshtypja se komunat munden vetëm të bëjnë “lehtësime tatimore”. E vërteta është se komunat mund të bëjnë shumë gjëra për të nxitur zhvillimin. Më poshtë i kam listuar dhjetë gjëra që mund të bëjnë komunat për zhvillim. Te shumica komunat mund të sigurojnë ndihmë përmes donacioneve ose investimeve përveç investimeve të veta. Ato mund të ndahen në tri kategori: krijimi i organizmave të ri, nxitja e bashkëpunimit, dhe nxitja e investimeve.

Krijimi i trupave të rinj

Komunat mund të krijojnë organizma të rinj për t’u marrë me problemet zhvillimore brenda territorit të tyre. Këto trupa mund të jenë ndërmarrje publike komunale, por mund të kenë edhe forma tjera organizimi. Si forma tjera mund të jenë kooperativat ose edhe organizatat jofitimprurëse. Disa nga këto nisma mund t’i sjellin të ardhura komunës për t’i investuar ato në projekte tjera zhvillimore, pra përveç zgjidhjes se menjëhershme të problemeve. Më poshtë janë pesë shembuj.

1. Ndërmarrje te reja Publike Komunale

Gjëja e parë që mund ta bëjnë komunat është themelimi i ndërmarrjeve të reja publike komunale. Kjo mund të bëhet duke themeluar një ndërmarrje për ta menaxhuar një fushë të jetës publike, apo për ta zgjidhur një ose më shumë probleme. Për shembull mund të ketë ndërmarrje për ndërtim që e zgjidh problemin e banimit, sidomos për kategoritë e cenueshme sociale. Gjithashtu mund të themelohet një ndërmarrje për riciklim, për të nxitur riciklimin e mbeturinave dhe kështu për të përmirësuar cilësinë e jetesës në përgjithësi e ambientin në veçanti. Një gjë e tillë do të mund të ndihmonte edhe te qartësimi i kompetencave në relacion me qeverinë qendrore, sepse shumë ndërmarrje ekzistuese komunale, janë kompetencë e qeverisë qendrore. Kjo ndodh për shkak se ato shërbejnë më shumë se një komunë. Ligjet qendrore me një dorë u japin komunave kompetenca e me dorën tjetër ua marrin. Duke themeluar ndërmarrje që shërbejnë vetëm një komunë do të ikej nga hutia ekzistuese dhe në të njëjtën kohë do të qartësohej përgjegjësia e liderëve komunale për sukseset e dështimet.

2. Union kreditor

Një gjë tjetër që mund të bëhet është krijimi i unioneve kreditore. Këto funksionojnë si banka, dhe fokusi i tyre do të ishte në kursime. Gjithashtu shërbimet e tyre do të ishin më të lira, pa komisione të larta e pagesa per "mirëmbajtje" që merren nga bankat komerciale. Kjo mund të përfshijë fillimisht stafin e komunës, pastaj stafin e sektorit publik në komunë e më vonë edhe patronë tjerë. Organizatat publike e praktikojnë këtë shpesh, ku një shembull është Unioni Kreditor i Universitetit Indiana në SHBA.

3. Kooperativat

Komunat mund të krijojnë kooperativa, sidomos ato që merren me shërbimet që i blen komuna, siç është pastrimi, por edhe shërbime tjera si rryma elektrike. Pra në vend se komuna të paguajë një kompani private për atë shërbim, themelon një kooperativë që e kryen atë shërbim. Një gjë të tillë e ka bërë Universiteti Shtetëror i Ohajos (Ohio) në SHBA, ku kanë themeluar kooperativa që mes tjerash merren edhe me gjenerimin e rrymës përmes paneleve solare. Për shkak të suksesit, tash universiteti ka edhe një qendër të zhvillimit të kooperativave me reputacion global.  

4. Fabrikat

Me fabrikë nuk duhet patjetër të nënkuptohet uzinë me mijëra punëtorë. Këto mund të jenë të vogla. Për shembull ato mund të merren me përpunim të produkteve bujqësore që rriten në atë komunë. Ose të merren me përpunimin e produkteve blegtorale. Më këtë komuna do të mund ta shfrytëzonte kapacitetin e tepruar të krijuar në prodhime primare (fruta e qumësht), për shkak të investimeve të gabuara qeveritare, duke nxitur ngritjen e kapaciteteve sekondare. Nëse çdo vit blihet një makineri e re, pas katër vitesh ajo fabrikë nga ndërmarrje e vogël shndërrohet në të mesme. Ato mund të organizohen si kooperativa ose përmes formave tjera të organizimit ligjor. Një shembull mund të jetë kooperativa Mondragon nga shteti Bask, e cila ka lloje të ndryshme të fabrikave. Të paktën këto do të mund të shërbenin si fabrika model për të nxitur investimet e ndërmarrësve në një sektor.

5. OJF për shërbime

Një gjë tjetër është krijimi i organizatave jofitimprurëse për shërbime (OJF). Dihet se komunat ballafaqohen me qentë endacak, dhe mund ta zgjidhin këtë problem duke themeluar strehimore të qenëve. Këto do të ishin OJF ku angazhohen veterinarë si dhe vullnetarë ndihmës. Për këtë gjë lehtë mund të gjenden edhe fonde nga jashtë si donacionet. Strehimoret e tilla ekzistojnë në çdo qytet në vendet e zhvilluara.

Nxitja e bashkëpunimit mes ndërmarrjeve/sektoreve të ndryshëm

6. Grumbullimet (Cluster)

Një fenomen i përhapur sidomos në Europë është krijimi i grumbullimeve (mbledhimeve) apo kllasterëve. Me grumbullim nënkuptohet mbledhje bashkë e tre sektorëve: arsimit, biznesit privat dhe sektorit publik. Gjithashtu nënkuptohet grumbullimi i bizneseve të një sektori në një zonë gjeografike, bashkë me furnizuesit e tyre si dhe institucione tjera përkrahëse. Roli i komunës është nxitja e bashkëpunimit në mënyrë që sektori i arsimit të jetë në përputhje me nevojat e tregut të punës. Përveç kësaj aty komuna mund të luajë funksione tjera përmes ofrimit të infrastrukturës, e shërbimeve si shëndetësia, çerdhet (për fëmijët e punëtorëve) etj. Një shembull është Barcelona Aktiva.

7. Shoqata biznesore/kooperativat e bujqve

Komuna gjithashtu mund të nxisë krijimin e shoqatave biznesore. Një shoqatë mbledh një industri/sektor që ia mundëson firmave të vogla të garojnë në tregun ndërkombëtar së bashku. Shembull i njohur është shoqata e prodhuesve ushqimor në Parma të Italisë. Ata njihen për prodhim dhe eksport jashtë shtetit, dhe marrin përkrahje nga të gjitha nivelet qeverisëse. Në Kosovë tashmë është themeluar shoqata e prodhuesve të mobiljeve në Ferizaj.

Gjithashtu një lloj shoqate mund të jetë kooperativa bujqësore, që u mundëson bujqve të garojnë më fuqishëm bashkë. Në Shqipëri ky model po ka sukses, për shembull si rasti i prodhuesve të ullijve/vajit në Sarandë, ku parimi i kooperativës është “prodhimi i veçantë, shitja e përbashkët”.

8. Valuta lokale

Një gjë tjetër që mund të bëhet është nxitja e krijimit të një valute lokale. Këtu bizneset krijojnë një valutë alternative nga ajo ekzistuese, ku pranojnë pagesa përmes asaj valute. Qëllimi është që të mos ikë kapitali nga komuna por të qarkullojë brenda komunës. Komuna mund të luajë rol duke bërë pagesa pjesërisht me valutë lokale. Gjithashtu diaspora mund ta blejë atë valutë si bono (shih më poshtë). Një shembull i njohur është në qytetin e Bristolit, Angli.

Gjetja e fondeve për investimet

9. Parapagimi në ndërmarrjet publike komunale
Sa i përket investimeve, komuna mund të sigurojë fonde duke instaluar parapagimin në ndërmarrjet komunale. Për shembull, mund të kërkojë nga shfrytëzuesit të paguajnë përpara për ujë, mbeturina e ngrohje në mënyrë që të mblidhen fonde për investime të reja siç mund të jenë zgjerimi i rrjetit të ujit. Diaspora mund të paguajë për një pjesë të shfrytëzuesve.

10. Diaspora
Diaspora mund të jetë burim investimesh por deri tash nuk është gjetur metoda e duhur, dhe dërgesat shkojnë në konsum (të produkteve të huaja në Kosovë). Dy shembujt më lart mund të shërbejnë si mënyra për të përdorur dërgesat e diasporës për investime zhvillimore. Për më tepër diaspora mund të nxitet të bëjë blerje aksionesh për projekte të reja. Banorët jashtë shtetit, për shembull, mund të bëhen patronë në një kooperativë siç është një fshat turistik/etnografik, të cilin ata e shfrytëzojnë (me çmime më të lira) përderisa janë në vendlindje. Gjithashtu, komuna mund të mundësojë pagesa nga jashtë për shërbime komunale në konto të shfrytëzuesve pa komision, ku mërgimtarët mund të paguajnë për familjarët e tyre në Kosovë.

29 nëntor 2017
11:02

Seb Bytyçi