26 tetor 2017
11:08

Zgjedhjet lokale t? 22 tetorit 2017, edhe pse me disa probleme, n? p?rgjith?si mund t? thuhet se ishin t? mira p?r demokratizim. Kjo p?r shkak se kishte nj? dob?sim t? bastioneve militante, si dhe nj? rritje t? vot?s luhat?se. Sidoqoft?, vazhdon t? mbetet brengos?se prania e klientelizmit.
Tri fenomene
Tipari kryesor i këtyre zgjedhjeve është vazhdimi i fragmentimit të elektoratit. Skenës politike lokale iu shtuan edhe një subjekt politik (Alternativa), një kryetar i pavarur i konfirmuar (në Skënderaj) dhe potencialisht një tjetër (në Shtime). Në balotazh krijohet përshtypja se kemi një luftë të secilit kundër tjerëve. Partia kryesore e pushtetit qëndror, PDK, garon me jo më pak se 6 subjekte të ndryshme në balotazh (ku përfshihet një kandidat i pavarur), në 10 komuna. Gjithashtu gara e balotazhit është pasuruar me LVV e cila tash garon në 6 komuna, në krahasim me zgjedhjet e kaluara ku garonte vetëm në një. Edhe nëse i shohim 8 komunat më të mëdha, në 7 nga to kemi gara mes subjekteve të larmishme që nga AAK vs Alternativa në Gjakovë, deri te LVV vs LDK në Podujevë e PDK vs AKR në Mitrovicë Jugore.
Një tipar tjetër i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është dobësimi i bastioneve. LDK po shkon në balotazh në dy bastionet e saj, Podujevë e Istog. Gjithashtu, PDK dobësohet ne Skënderaj, Shtime, e Kaçanik - tri bastione të saj. Pra, numri i votuesve militantë është zvogëluar, sidomos për dy partitë më të vjetra.
Në përputhje me dobësimin e bastioneve, kemi rritjen e votës luhatëse. Kjo kryesisht ka shkuar te LVV, por një pjesë e saj shkon edhe te partitë e tjera më të vogla, sidomos kur dihet dallimi i rezultatit të LVV në zgjedhje lokale me atë në zgjedhje parlamentare. Pra ky proces mund të shihet si ndihmues në demokratizim dhe forcimin e llogaridhënies.
Rezultat i përsëritur
Sa i përket rezultatit të përgjithshëm, në disa aspekte patëm përsëritje të rezultateve të mëhershme. Së pari nuk ka fitues të qartë, nga 27 komuna me shumicë shqiptare vetëm 7 patën fitues pa balotazh, 4 nga ato LDK-në. Nga ato të mbeturat, LDK shkon në balotazh në 10 komuna, PDK në 10, LVV në 6, AAK në 6. Pra nuk pati fitues të qartë, edhe pse LDK ka arsye për të festuar më shumë se tjerët. Mund të thuhet se votuesit janë në kërkim të një alternative, por që për shkak të natyrës së politikës lokale e kanë të vështirë ta votojnë atë edhe nëse ekziston. Për dallim, në komunat me shumicë serbe, Srpska fitoi në raundin e parë në nëntë nga 10 sosh.
Së dyti, LDK kishte një epërsi të lehtë por nuk ishte fitues i qartë, ashtu si në vitin 2013. Shkuarja në balotazh në bastione e zbeh fitoren pa balotazh në Pejë e Lipjan. Dhe numri relativisht i madh i votave nuk paraqet zgjerim në territore të reja, por më shumë thellim në katër komuna që i fitoi në raundin e parë.
Gjithashtu, AAK pak a shumë përsëriti rezultatin e zgjedhjeve të 2009-ës. Kjo ka të bëjë me kthimin e kryetarit të saj nga arresti jashtë vendit. Për dallim tash AAK është në qeveri dhe kjo mund t’i ndihmojë në balotazh. Poashtu duhet theksuar se AAK vazhdimisht merr më shumë vota në nivel lokal se qendror, kështu që peformanca e saj nuk duhet të shihet si tepër e mirë.
Risia e kryesore e këtyre zgjedhjeve ishte fakti që LVV shkon në balotazh në 6 komuna, ku 4 nga to janë të mëdha. Në dy, Prishtinë e Kamenicë, shkon në pozitë të parë, kurse tjerat në pozitë të dytë. Performanca e LVV-së ishte nën pritjet që u krijuan pas zgjedhjeve nacionale, dhe kjo e zbeh suksesin relativ. Sidoqoftë, duhet theksuar se për dallim me dy rastet e tjera ku erdhën në pushtet parti të reja (Gjakovë e Mitrovicë) në 2013-ën, në Prishtinë, LVV u rendit e para, që përbën një sukses të kualifikuar.
Politika kosovare dominohet nga klientelizmi (marrëdhëniet padron-klient) dhe zgjedhjet lokale janë hapësira kryesore ku kjo formë e politikës vjen në shprehje. Kjo vërehet në disa fenomene, që janë të pranishme në të gjitha komunat siç janë punësimet politike. Komunat ku ka votues të luhatshëm në masë të madhe, ku rezultatet ndikohen edhe nga pikëpamjet ideologjike apo parimore, janë Prishtina dhe gjashtë qytetet e tjera të mëdha. Sidoqoftë, edhe në këto komuna klientelizmi është i fortë, siç është shumë i fortë në të gjitha komunat e tjera, me gjithë rritjen e votës luhatëse.
Fushata e përsëritur
Në këto zgjedhje, ajo që mund të vërehet, sa i përket ofertës politike është se kishte një përsëritje të fushatave. Së pari, kemi ofertën kryesore që është vazhdimi i së njëjtës politikë të fokusit në infrastrukturë. Kjo vërehet te tri partitë, PDK, LDK dhe AAK si dhe te AKR. Kjo ofertë përbëhet nga politika e projekteve infrastrukturore, që kryesisht i bie të jetë, ndërtimit (shtrimit) dhe mirëmbajtjes së rrugëve me asfalt, si dhe disa projekteve për ujë e kanalizim të shkollave. Dallimet mes partive në këtë çështje janë shumë të vogla, dhe votuesit detyrohen të votojnë në bazë të konsideratave si ato që kanë të bëjnë me vendbanimin e tyre (a është shtruar rruga në lagjen e tyre?), lidhjet rajonale, familjare e emocionale me një parti. Kjo politikë nuk ka program zhvillimor, ideologjikisht është e dominuar nga neoliberalizmi që vjen nga lart, është ushqimi i klientelizmit si dhe mundësohet nga klientelizmi. Së dyti, përderisa mund të ketë patur fushatë programore, kemi ofertën paksa më ideologjike neoliberale që është e ndërlidhur me të parën, që ka të bëjë me politika si fonde punësimi, pushime tatimore e zonat e lira ekonomike që lidhen me investitorë të jashtëm. Kjo përfaqësohet nga AKR e Alternativa, por edhe partitë e tjera, PDK, LDK e AAK.
Në anën tjetër, kemi fushatën e ofertën politike që bazohet në qeverisjen e mirë, e luftimin e korrupsionit nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo paraqitet si alternativë e politikës klienteliste dhe premton luftën kundër korrupsionit e zvogëlimin e shpenzimeve të parasë publike nga zyrtarët publikë. Gjithashtu, kjo fokusohet në përmirësimin e shërbimeve publike, si uji, kanalizmi, mbeturinat, e ngrohja, si edhe transporti publik, çerdhet për fëmijë, e parkingjet e veturave.
Pra edhe pse kemi një përmirësim të cilësisë së debatit parazgjedhor, prapë ofertat kryesisht mbeten të vjetëruara dhe propozojnë politika që nuk kanë pasë sukses sa i përket zhvillimit lokal.
Paqartësia
Pra, siç e pamë më lart, me gjithë rritjen e numrit të subjekteve garuese, në këto zgjedhje pati një përsëritje të ofertave politike. Ato kanë të bëjnë me vazhdimin e së njëjtës (politika e asfaltit), thirrje për masa të mëtejshme neoliberale, qeverisjen e mirë, dhe shërbimet publike. Është zhgënjyese që nuk pati promovim të opsionit të shtetit zhvillimor lokal.
Vota luhatëse si duket, kryesisht shkoi te politika klienteliste për shkak të natyrës së politikës lokale. Një gjë kryesore që mund të thuhet është se vota luhatëse është e papërcaktuar. Votuesit duket se janë të hutuar dhe të pasigurtë, dhe kjo mund të lidhet me ndryshimet që ndodhën në qeveri. Edhe pse LDK prin në numër komunash, votuesit vështirë se do të votojnë një fitues të qartë në balotazh. Kurse, nga komunat serbe u pa se Srpska do të vazhdojë të dominojë votën serbe, çka e rrit dukshëm ndikimin e Beogradit brenda vendit. Elektorati tashmë është i fragmentuar, dhe nëse një parti dëshiron të fitojë një mandat të qartë, duhet të dalë me program konkret që merret me problemet ekonomike të papunësinë, bashkë me përmirësimin e shërbimeve.
26 tetor 2017
11:08