Çka mund të bëjnë komunat për zhvillim?

16 tetor 2017 13:16

Në çdo fushatë për zgjedhje lokale i dëgjojmë kandidatët për kryetarë komunash duke bërë premtime. Shumë nga këto premtime vështirë se janë të besueshme. Sidomos ato që kanë të bëjnë me punësimin e zhvillimin. Deri tash, ajo që ka ndodhur nëpër komuna është se kryetarët, duke qenë në presion për të mbajtur premtimet e tyre për punësim, kanë rritur numrin e punonjësëve në administratë e ndërmarrje publike komunale. Kjo tregon se ka munguar kreativiteti në përpjekjet për të krijuar vende pune. Po ashtu, duhet theksuar se këto punësime kanë qenë të ndikuara nga lidhjet partiake e personale. Kjo nënkupton se institucionet në fakt janë dëmtuar, për shkak të mungesës së meritokracisë, gjë që e vështirëson punën e tyre për të ulur papunësinë.

Sa i përket zhvillimit lokal, ai zakonisht kuptohet si ndërtim i infrastrukturës fizike. Fatkeqësisht, zhvillimi lokal ende nuk ka marrë vëmendje serioze në Kosovë. Potenciali i autoriteteve lokale për të ndihmuar në zhvillim është injoruar. Një hap në këtë drejtim mund të llogaritet krijimi i Agjencive Zhvillimore Rajonale (AZHR) të BE-së, të cilat kanë për qëllim të krijojnë zhvillim, gjë që mbetet e pavërtetuar. Një përvojë treguese është ajo e Bullgarisë, ku AZHR-të e krijuara nga BE u zhdukën sapo përfundoi financimi nga BE-ja.

Një praktikë e deritashme e komunave kosovare, e cila ia vlen të veçohet, ka qenë përcaktimi i disa “zonave industriale” ose “parqeve industriale” ku bizneset lirohen nga tatimi dhe e përdorin lokacionin pa kompensim. Kryesisht mësimet nga kjo përvojë, janë se këto parqe industriale siç kanë realizuar deri tash nuk janë zhvillimore. Një problem i madh është klientelizmi, me kompanitë që përfitojnë nga lidhjet me politikanët lokalë ose qendrorë. Problem tjetër është lloji i kompanive; zakonisht nga kjo politikë kanë përfituar kompani që nuk kanë krijuar zhvillim apo punësim të ri. Nuk është përkrahur sektori industrial e prodhues, por sektorët që edhe ashtu kanë qenë dominues në ekonomi, si tregtia apo ndërtimtaria.

Rëndësia e qeverive lokale

Një koncept shumë i rëndësishëm për nivelin lokal është “Shteti zhvillimor lokal”. Ky koncept nënkupton një qeverisje lokale e cila ka vizionin, aftësinë, mjetet, dhe politikat për të promovuar në mënyrë aktive zhvillimin lokal (urban e rural) përmes përmirësimit të industrisë, varësisht nga konteksti dhe sfidat e brendshme e të jashtme. Pra ky është një koncept i ngjashëm me atë të shtetit zhvillimor, mirëpo që vlen për nivelin lokal.

Përvojat me shtetin zhvillimor lokal janë të shumta. Ky koncept është realizuar në praktikë nga shtete të ndryshme në fazën e zhvillimit. Është përdorur nga Gjermania, Japonia, Italia, Korea Jugore, e tash po përdoret edhe në Kinë për të arritur zhvillimin. Në fakt mund të thutet se kudo që është instaluar shteti zhvillimor është instaluar edhe ndonjë version i shtetit zhvillimor lokal. Administratat rajonale e lokale kanë qenë të rëndësishme në implementimin e gjenerimin e politikave zhvillimore në këto shtete.

Disa tipare kryesore të shtetit zhvillimor lokal kanë të bëjnë me themelimin e ndërmarrjeve, garantimin e kapitalit, e kohezionin social. Qeveritë lokale mund të themelojnë ndërmarrje të ndryshme që shfrytëzojnë kapacitetet vendore për të arritur zhvillimin. Këtu përfshihen inkubatorë biznesi, agjenci zhvillimi, banka etj. Sigurimi i kapitalit është problem kryesor për ndërmarrësit. Në mungesë të një banke investive nacionale ose paralelisht me të, krijimi i bankave të ndryshme lokale e rajonale do të ndihmonte shumë në këtë aspekt. Krijimi i fondeve apo i unioneve kreditore për të nxitur kursimin dhe për të krijuar kapital vendor do të ishte një alternativë ndaj gjendjes aktuale, ku qasja në kapital është shumë e vështirë dhe normat e interesit janë shumë të larta. Aspekti tjetër është kohezioni social, qeveria lokale mund ta luajë një rol të rëndësishëm në garantimin e mirëqenies sociale në periudha të vështira. Këtu përfshihet mbrojtja e punëtorëve nga eksploatimi dhe sigurimi i qasjes së barabartë në tregun e punës.

Opsionet për komunat

Një qasje e mundshme për të realizuar shtetin zhvillimor lokal është themelimi i grupimeve (clusters). Kjo nënkupton, grupimin e sektorëve publikë, privatë e të shoqërisë civile për të arritur objektiva zhvillimore. Zakonisht kjo merr formën e trupave koordinues ku përfshihen qeveritë lokale, bizneset lokale (shoqatat e bizneseve), dhe institucionet arsimore ku analizohen nevojat zhvillimore dhe bashkërisht përcaktohen hapat që secili sektor duhet të ndërmarrë për të arritur qëllimet. Për shembull, institucionet arsimore apo organizatat e shoqërisë civile mund të ofrojnë trajnimin e aftësimin e punëtorëve për të cilët ka nevojë sektori privat. Universitetet mund të krijojnë iniciativa të transferit të njohurisë ku shpikjet shkencore shndërrohen në ndërmarrje biznesore. Dhe qeveritë lokale shërbejnë si shtytëse duke ofruar shërbime publike.

Konkretisht hapat që mund të merren në Kosovë janë formimi i kompanive publike të reja, përdorimi i kompanive publike për investime zhvillimore, krijimi i bankave kursimore rurale, përfshirja e diasporës përmes fondeve zhvillimore, krijimi i lidhjeve më të mira transportuese urbane dhe rurale për të garantuar qasje në tregun e punës, themelimi i inkubatorëve të biznesit, lirimi nga tatimi për bizneset prodhuese.

Lista e veprimeve të mundshme është e gjatë, nevojitet vetëm vullneti politik.

16 tetor 2017
13:16

Seb Bytyçi