Qeveria e numrave të fryrë

Qeveria e formuar pas zgjedhjeve t? 11 qershorit 2017, u mund?sua p?rmes fryrjes se numrave. K?tu e kam fjal?n p?r dy lloj numrash. At? t? deputet?ve t? ul?seve t? garantuara, dhe numrin e ministrive.

02 tetor 2017 10:19

Vendet e rezervuara

Së pari, për t’u krijuar kjo qeveri duhej bashkëpunimi i domosdoshëm i deputetëve të pakicave etnike. Pra, pasi që koalicioni PAN siguroi votat e AKR-së (minus një deputet), duheshin edhe 20 votat e këtyre deputetëve për të formuar qeverinë. Të tëra 20 ulëset e deputetëve të pakicave etnike janë të rezervuara, që do të thotë se pa marrë parasysh sesa vota marrin partitë e pakicave, ato do të marrin së paku 20 ulëse në Kuvend (me mundësinë që të kenë edhe më shumë ulëse). Kjo është formula e Planit të Ahtisarit që garanton mbipërfaqësim të pakicave. Konkretisht, mbipërfaqësimi është sa dyfishi i përqindjes së popullsisë. Pra, pakicat përbëjnë rreth 8% të popullsisë së Kosovës, mirëpo ulëset e garantuara janë sa 16.66% e ulëseve në Kuvend. Kjo nënkupton që 61 deputetët (50.8% e gjithë deputetëve) që votuan qeverinë, përfaqësojnë rreth 46% të votave të qytetarëve të Kosovës. Një situatë e ngjashme ishte edhe në qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 2010-ës, ku edhe aty ishin në koalicion PDK e AKR (pa AAK-në e Nismën).

Rritja e numrit të ministrive

Kjo qeveri përbën një rekord për nga numri i posteve ministrore, me gjithsej 27. Këtu përfshihen një kryeministër, 5 zëvendëskryeministra, dhe 21 ministri, ku hyn edhe një ministri pa portofol. Kjo fryrje e numrit të posteve ishte e nevojshme si duket për të përmbushur apetitet e të gjithë anëtarëve të koalicionit, ku vetëm partitë shqiptare janë pesë (PDK, AAK, NISMA, AKR dhe Lista Rugova). Ende nuk dihet saktë sa është e sa do të jetë numri i zëvendësministrave, por ka gjasa që kur të kompletohet qeveria, për nga numri i posteve do të garojë me vetë Kuvendin.

Kjo rritje e madhe e posteve ministrore është rezultat i kushtëzimeve. Për shkak të pamundësisë së asnjë partie për të fituar shumicën, PAN bëri koalicion më AKR-në duke ia premtuar 4 ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit të parë. Kjo me gjithë faktin se AKR i ka vetëm dy deputetë pas formimit të qeverisë.

Gjithashtu, Lista Serbe dhe përmes saj Beogradi zyrtar, kushtëzuan PAN-in duke marrë 3 ministri, megjithë faktin se partive serbe u garantohet një ministri me kushtetutë, dhe dy nëse qeveria ka mbi 12 ministri. Këtu përfshihet edhe ministria e bujqësisë, që është një nga ministritë me buxhetin më të madh në vend (Pushteti i ri i Listës Serbe u dëshmua me mosguximin e kryeministrit që ta shkarkojë ministrin Rikallo të akuzuar për krime lufte nga qytetarët). Kushtëzimi i Beogradit dhe Listës Serbe në këtë rast funksionoi në rritje të numrit të ministrive.

S’do mend se ky shtim i ministrive do të çojë drejt rritjes së shpenzimeve të kota të buxhetit. Gjithë këta ministra do të marrin një numër edhe më të madh të këshilltarëve, shoferëve e sekretarëve si staf ndihmës. Blerja e telefonave të rinj nga Kryeministria me vlerë 8000 euro ishte një episod pararendës i shpenzimeve që do t’i shohim në këtë mandat.

Më shumë ministri – më shumë zhvillim?

Por çka mund të pritet nga kjo qeveri sa i përket zhvillimit e krijimit të vendeve të punës, tema që janë diskutuar mjaft gjatë fushatës. Ashtu siç pati rritje të numrit të ministrive në përgjithësi, ajo që bie në sy është rritja e numrit të dikastereve që merren me ekonomi. Tash janë shtatë ministri që merren direkt me ekonominë. Ato janë Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Financave, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Diasporës dhe e Investimeve Strategjike si dhe Ministria e Bujqësisë. Koalicioni qeverisës ka krijuar ministrinë e re për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe e ka shtuar dikasterin e “investimeve strategjike” te Ministria e Diasporës.

Kjo përhapje e numrit të ministrive që merren me ekonomi, do të duhej të ishte një lajm i mirë. Sa më shumë institucione që merren me një lëmi, aq më i madh do të ishte zhvillimi i asaj lëmie. Në realitet, ndodh e kundërta në vendet si Kosova. Përvoja e deritashme e dëshmon këtë. Një fushë që e ka parë rritjen e institucioneve që merren me të është korrupsioni. Përveç Agjencisë, u krijuan edhe një Task Forcë, si edhe një Trup Koordinues për të luftuar korrupsionin. Korrupsioni nuk u luftua. Sa për ta ilustruar tragjikomedinë e kësaj pune, kreu i Task Forcës u arrestua për korrupsion për shkak të keqpërdorimit të pozitës së re të sapokrijuar. Kështu që, nëse nisemi nga përvoja e deritashme, mund të ndodhë që ky shtim i institucioneve që merren me ekonomi të jetë i dëmshëm për ekonominë.

Inovacioni, ndërmarrësia dhe investimet strategjike

Për fund duhet të merremi me tri portofolet e krijuara rishtazi. Krijimi i tyre është indikacion se qeveria i sheh këto fusha si të rëndësishme për zhvillim. Mirëpo, vështirë se fokusi në këto lëmi mund të sjellë zhvillim me kushtet aktuale në vend. Inovacioni nënkupton shpenzime për kërkim e zhvillim që rezulton në patenta të reja. Shpenzimet e tilla në Kosovë janë pothuajse joekzistente në firmat private. Kurse shpenzimet e shtetit për shkencë asnjëherë nuk kanë arritur njëpërqindëshin e buxhetit.

Sa i përket ndërmarrësisë, shpesh thuhet se ka mungesë ndërmarrësie dhe nxitja e saj do të sillte zhvillim. E kundërta është e vërtetë. Kosova ka mjaft shumë ndërmarrësi. Secilin vit krijohen mbi 1000 ndërmarrje të reja (dhe poaq shuhen). Shumica absolute e ndërmarrjeve janë në pronësi individuale dhe ndërmarrje të vogla. Pra kryesisht kemi të bëjmë me ndërmarrës që ndoshta me dëshirë do të punonin diku me rrogë, por hapin një ndërmarrje për vetëpunësim në mungesë të alternativave. Hapja e ndërmarrjeve të reja nuk ka lidhje me inovacionin, por është vetë simptomë e gjendjes së rëndë të papunësisë.

Investimet strategjike si portofol janë vendosur te Ministria e Diasporës, gjë që nënkupton se qeveria pret ta nxisë diasporën të bëjë investime në Kosovë. Kjo gjë më shumë është dëshirë sesa diçka e bazuar në realitet. Përvoja e deritashme tregon se shumë mërgimtarë janë të zhgënjyer me investimet e tyre. Arsyet janë të shumta, por kanë të bëjnë me pasigurinë, zhvatjen e fenomene të ngjashme. Një mërgimtar do të kishte më shumë leverdi ta vendoste kapitalin në një llogari kursimesh në Gjermani sesa të investonte në një projekt me shumë stres në Kosovë. Prandaj edhe kjo ministri, vështirë se do të sjellë ndonjë investim dhe të ketë efekt në zhvillim.

02 tetor 2017
10:19

Seb Bytyçi