11 shtator 2017
11:14

Kosova ka krijuar nj? tradit? t? zgjatjes s? krijimit t? institucioneve pas zgjedhjeve. K?to vonesa shkaktojn? probleme t? ndryshme dhe pasojat jan? t? m?dha.
Ngjashëm me vitin 2014, pas zgjedhjeve parlamentare ka vonesa në krijimin e institucioneve. Më 2014-tën, pas zgjedhjeve u krijuan dy blloqe politike me PDK, dhe partnerët e saj në njërën anë dhe LDK, AAK, Nisma e Vetëvendosje në anën tjetër. LVV, qëndroi jashtë bllokut LAN për një kohë edhe pse e mbështeti atë, kurse më vonë iu bashkangjit këtij blloku për t’u siguruar që PDK mos ta formojë qeverinë e re. Pas dështimit për ta konstituuar parlamentin herën e pare, dhe pas vendimit të gjykatës kushtetuese që konfirmoi se kandidatin për Kryekuvendar e propozon subjekti parazgjedhor me më shumë vota, blloku LVAN refuzoi ta bënte këtë për disa javë. Këto javë mund të llogariten të humbura për vendin. Mirëpo LVAN (ose vetëm LAN pa VV) më në fund ndërroi mendje dhe vendosi që të pranojë ta votojë kandidatin e PDK-së për Kryekuvendar. Kjo ngjalli shpresa te qytetarët se ngërçi politik u tejkalua. Por, pengesë e krijimit të institucioneve pastaj u bë PDK, e cila refuzoi ta thërret seancën konstitutive të Kuvendit. Edhe pse kjo gjë nuk qe prerogativ i PDK-së apo asnjë partie tjetër, por e deputetit/deputetes më të moshuar. PDK ishte në gjendje ta bëjë këtë formalisht, sepse deputetja më e moshuar në Kuvend i takon asaj.
Pas zgjedhjeve të qershorit 2017, patëm tri blloqe kryesore, PAN (PDK me partnerë), LVV dhe LAA (LDK me partnerë). Situata qe e ngjashme në disa aspekte. Edhe pse i takonte PAN-it ta propozojë kryekuvendarin, ata nuk patën vota të mjaftueshme në Kuvend për ta votuar atë. Dallimi është se në 2017-tën deputeti më i moshuar i takoi LVV-së, që të paktën ia pamundësoi PAN-it që përmes këtij institucioni të përkohshëm të ndikojë në kohëzgjatjen e institucioneve të reja..
Si në 2014-tën ashtu edhe në 2017-tën, periudha pas-zgjedhore ka parë veprime kokëforta nga blloqet kryesore. Vendimi i koalicionit VLAN që të mos e mbështesin kandidatin e PDK-së për Kryetar të Kuvendit që zgjati disa javë, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishte i pamatur. Nga kjo u bllokua krijimi i institucioneve të reja dhe vendi humbi shumë kohë, luks që nuk e patëm.
Më 2014-tën, PDK e kishte shfrytëzuar hutinë paszgjedhore që u krijua për të bërë diçka që s’kishte ndodhur kurrë në Kosovë, refuzimin e një qeverie ta lëshojë pushtetin pas zgjedhjeve edhe pas kalimit të afateve ligjore. PDK i bëri presion deputetës më të vjetër, znj. Brovina, që të mos bëj thirrje për seancë konstitutive të Parlamentit, siç e obligon Kushtetuta. Pasi që PDK morri garancion nga LAN që kandidati i tyre për Kryetar të Kuvendit do të votohet, u thirr seanca themeltare. Kurse më 2017, kryeministri Isa Mustafa, pas zgjedhjeve, emëroi në poste ministrore disa persona që e ngarkojnë buxhetin e shtetit edhe pas formimit të qeverisë (përmes pensioneve që iu takojnë). Edhe ky një vendim i dëmshëm jo vetëm për buxhetin publik por edhe për demokracinë.
U desh të kalojnë tre muaj pas zgjedhjeve për t’u formuar qeveria e re. Vonesa, ashtu si në 2014-tën, mund të shkaktojë probleme të ndryshme. Tri janë efektet kryesore të kësaj vonese sa i përket shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve. Këto do t’i shohim më poshtë.
Shërbimet publike
Vonesat e krijimit të institucioneve të reja kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në uljen e produktivitetit të institucioneve publike, duke përfshirë shërbimet për qytetarë. Dihet që sa herë që ka zgjedhje, institucionet publike pësojnë rënie në intensitetin e punës. Kjo është për disa arsye, duke përfshirë faktin që shumë punonjës publikë detyrohen nga partitë që të dalin të bëjnë fushatë për to. Por arsyeja kryesore është se institucionet publike janë të varura shumë nga politika, dhe kur kemi vakuum në ushtrimin e pushtetit politik atëherë kemi rënie të efikasitetit në punë te administrata. Kjo shihet edhe konkretisht, sepse pas zgjedhjeve është e mundur të vërehen punonjësit publik nëpër “pauza të drekës” shumë më të gjata se sa normalisht. Kjo mund të ndikojë sidomos te parregullsitë ne fillimin e vitit të ri shkollor.
Pasojat ekonomike
Mosformimi i institucioneve politike ka edhe pasoja ekonomike. Këtu e kam fjalën për pengesat e vonesat që ndodhin për shkak të “pauzës” që përkthehen në ekonomi dhe shoqëri në përgjithësi. Aty mund të përfshihen, për shembull, vonesat në kryerjen e pagesave për kontrata tenderuese, kryerjen e shërbimeve nga firma të ndryshme dhe vonesa të ngjashme që ndikojnë te aftësia e këtyre firmave për të vepruar dhe për t’i kryer obligimet te punëtorët e tyre.
Më 2014 vonesat e kishin bllokuar punën e AKP-së. Me muaj të tërë AKP priti që të plotësohet bordi i saj, por kjo ishte e pamundur për shkak se Kuvendi dhe Qeveria nuk qenë të konstituuara. Në gjendjen ekzistuese AKP nuk mund të takohej dhe të marrë vendime. Kjo nuk do të ishte shumë problematike po të mos varej fati i mijëra familjeve kosovare pikërisht nga AKP-ja. Si shembull mund ta marrim çështjen e kompensimit të punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj dhe të Pensionuarëve të Parakohshëm të Trepçës në Mitrovicë. Mirëqenia e të gjitha familjeve të punëtorëve që pritnin të kompensohen varet nga mundësia e AKP-së për të funksionuar në rregull.
Problemet e ardhshme
Vonesat e krijimit të institucioneve të reja mund të shkaktohen probleme të reja. Kësaj radhe, vonesat iu afruan mjaft zgjedhjeve lokale, të cilat pastaj mund të sjellin vonesa të reja për shkak të negociatave për koalicione paszgjedhore në nivel lokal që mund të ndërlidhen me nivelin nacional. Dhe me afrimin e fundvitit, afrohet nevoja e aprovimit të buxhetit te ri dhe përmes vonesave mund të rrezikohen pagat e shumë punonjësve publikë por edhe të atyre privatë që varen nga kontratat publike. Vonesat mund të rrezikojnë që të mos aprovohet buxheti i ri në kohë. Duke ditur që sektori publik është punëdhënësi kryesor në Kosovë, çfarëdo vonese në këtë aspekt ka pasoja direkte në mirëqenien e qytetarëve.
Problem tjetër mund të jetë pjesëmarrja e Presidentit Thaçi në bisedime me Serbinë pa mandat të qartë nga institucionet vendore. Duke ditur se presidenti i ka kompetencat shumë të kufizuara në Kosovë, çfarëdo bisedime pa mandatin e Kuvendit mund të sjellin kokëçarje të reja për vendin. Dhe një mandat i tillë nuk mund të jepet pa u themeluar institucionet e reja.
Urgjenca e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë vjen si nevojë për të evituar pasojat negative në mirëqenien e qytetarëve. Këtu përfshihen edhe gjendja financiare e tyre por edhe shërbimet publike të cilat kanë pësuar rënie të madhe në mungesë të kontrollit politik të duhur.
11 shtator 2017
11:14