05 shtator 2017
11:13

Kriza parlamentare ka vënë në pah shumë gjëra që do të duhej të ndryshoheshin rreth kuvendit. Këtu do t’i shqyrtoj disa prej tyre. Gjithashtu, do të bëj thirrje tek partitë që të zgjedhin një kryekuvendar konsensual, gjë që mund të jetë hapi i parë jo vetëm në krijimin e institucioneve të reja, por edhe drejt përmirësimit të kuvendit dhe demokracisë.
Pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 në Kosovë, kuvendi i ri nuk qe në gjendje ta konstituojë vetveten. Kjo sepse PAN, subjekti që doli i pari (ka fituar shumësi/pluralitet), nuk e kishte shumicën e mjaftueshme (mazhoritetin/madhorinë) për ta zgjedhur Kryetarin e kuvendit. Ndërkohë, kushtetuta ia garanton subjektit që ka parësi në vota propozimin e kryetarit të kuvendit. Problemi lind nga fakti që nuk parashihet asnjë veprim me ligj në rastin kur subjekti i parë nuk ka mjaft vota për ta votuar kryekuvendarin që e propozon. Rrjedhimisht patëm bllokadë, që nënkupton se as nuk mund të shteroheshin afatet ligjore të formimit të qeverisë së re.
Kryekuvendari konsensual
Si hap i duhur për të dalë nga ky ngërç, duhet të jetë zgjedhja e një kryekuvendari konsensual. Ka disa mënyra për ta bërë këtë. Mënyra më e mirë do të ishte që tri subjektet kryesore të pajtohen për një kandidat. Ky person do të dilte nga një grup (për shembull 3 personësh) që do të propozohej nga subjekti i parë (PAN). Pra, me këtë veprim do të respektohej ligji/kushtetuta që thotë se i takon subjektit që del i pari ta propozojë kryekuvendarin, dhe në të njëjtën kohë do të dilte nga kriza kuvendi dhe vendi. Përgjegjësinë për këtë zgjidhje e kanë, sidomos, dy subjektet e para, PAN dhe LVV, por përgjegjësia u takon edhe subjekteve të tjera.
Një arsye urgjente pse ky konsultim do të duhej të ndodhte mes partive është afrimi i zgjedhjeve komunale. Do të ishte e logjikshme që të shterohen afatet ligjore të formimit të institucioneve para zgjedhjeve komunale. Kështu, në rast se duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare atëherë ato do të mund të ndodhnin në të njëjtën ditë me zgjedhjet komunale. Kjo jo vetëm që është logjikë e shëndoshë, por edhe do ta kursente buxhetin publik. Në të njëjtën kohë do t’i ndihmonte edhe demokracisë, sepse mbajtja e tri palë zgjedhjeve në një afat të shkurtë do të rezultonte me rritje të apatisë zgjedhore.
Republika parlamentare
Ka edhe disa arsye tjera pse do të duhej të zgjidhej një kryekuvendar me pajtim. Së pari, Kosova është republikë parlamentare, dhe kjo gjë përmendet shpesh nga parti të ndryshme. Rrjedhimisht posti i kryekuvendarit duhet të jetë post që zgjedhet me konsensus. Nuk është e mjaftueshme që një subjekt që del i pari në zgjedhje por që nuk ka shumicën ta marrë atë post. Duhet të ketë një konsultim me subjektet tjera, edhe pse e drejta e propozimit i takon atij subjekti.
Pra, mund të ndodhë që kryekuvendari t’i takojë një subjekti që nuk ka mjaft vota për ta formuar qeverinë. Por a është kjo patjetër diçka e keqe? Në një republike parlamentare, ndoshta do të ishte më mirë që kryetari i kuvendit të jetë i opozitës. Tekefundit, detyra e kuvendit është ta kontrollojë qeverinë, dhe një modalitet i tillë do të mund ta forconte rolin kontrollues të parlamentit.
Komisionet
Një zgjidhje e tillë do të kishte pasoja rrjedhëse edhe për postet e kryetarëve të komisioneve parlamentare. Edhe këto do të duhej të zgjedheshin me konsensus. Ky pra do të ishte atkosi i zgjedhjes konsensuale të kryekuvendarit.
Këtu mund të shkohet edhe më tutje. Meqenëse jo gjithmonë dihet se kryekuvendari i takon subjektit që është në qeveri – sepse subjekti nga i cili del ai mund të mos i ketë votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë – mund të arrihet një marrëveshje që e ndan numrin e kryetarëve të komisioneve në bazë të asaj se a i takon kryekuvendari subjektit që është në qeveri apo jo. Nëse kryekuvendari i takon subjektit që e formon qeverinë, atëhere shumica e kryetarëve të komisioneve mund t’u takojnë subjekteve opozitare; nëse jo, më shumë kryekomisionarë i takojnë koalicionit qeveritar.
Pasojat për demokracinë
Kosova zyrtarisht ka demokraci përfaqësuese, që i jep rol të rëndësishëm kuvendit. Kjo përkthehet në sundimin e shumicës në kuvend. Deri më tash në Kosovë është praktikuar demokracia mazhoritare, pra ku ka dominuar partia që ka një pluralitet ose mazhoritet në kuvend. Ka ndodhur që, për shkak të vendeve të rezervuara të pakicave, të sundojë një parti/koalicion që nuk e ka shumicën e vendeve të lira në kuvend, dhe as shumicën e votave të qytetarëve.
Zgjedhje me pajtim e kryekuvendarit dhe kryekomisionerëve në kuvend, do të kishte efektin e promovimit të demokracisë konsensuale. Gjithashtu, do të promovohej edhe demokracia deliberative/shoshitëse. Pra efekti do të ishte zgjerues për llojet e demokracisë që i përdorim. Demokracia përfaqësuese e përkthyer në sundim të shumicës nuk është e mjaftueshme sidomos për një vend në tranzicion.
Llojet e ulëseve
Kur diskutojmë për demokracinë duhet të flasim edhe për llojet e ulëseve. Mund të kemi deri në tri lloje të ulëseve sipas mënyrës së zgjedhjes: përfaqësimit proporcional, me delegim nga poshtë, me metodën “i pari kalon”, pra mazhoritar ose edhe metoda tjera që e korrektojnë këtë si vota alternative. Kjo gjë do të forconte llojet e ndryshme të demokracisë duke përmirësuar përfaqësimin e qytetarëve.
Numri tek a çift
Nëse arrihet një marrëveshje pajtuese për kryekuvendarin e kryekomisionerët atëherë kjo do të mund të formalizohej me reformën kushtetuese në të ardhmen. Ka edhe gjëra tjera që duhet të shqyrtohen se a është mirë të ndryshohen a jo. Një nga to është numri i deputetëve në kuvend a duhet të jetë çift apo tek. Numri ekzistues 120 është çift, dhe me provizionet e tashme kushtetuese mund të çojë në krizë. Mund të ndodhë që dy blloqe të fitojnë numër të barabartë te ulëseve dhe kushtetuta nuk e parasheh se kush ka të drejtën e propozimit të kryekuvendarit në këtë rast. Një zgjidhje mund të jetë përcaktimi i një numri tek për numërin e ulëseve në kuvend, gjë që do të rezultonte në njërin bllok ta kishte shumicën. Sidoqoftë, kjo çështje do të ishte me pak rëndësi nëse promovohen demokracia pajtuese e shoshitëse.
Vendet e ndara për diasporë
Një tjetër çështje që duhet të rrihet është ndarja e vendeve të garantuara për diasporën. Kjo gjë do të ishte e duhur, nëse kemi parasysh se ne kemi një diasporë mjaft të madhe, rreth gjysmë milioni. Shumë shtete e praktikojnë ndarjen e ulëseve në kuvend për diasporën, si për shembull Maqedonia. Mërgata është një grup adekuat për të pasur ulëse të ndara, sepse plotëson dy kritere kryesore. Së pari është grup me nevoja dhe probleme të veçanta, që dallojnë nga ato të votuesve tjerë. Dhe së dyti, është e shpërndarë gjeografikisht. Pra ndarja e ulëseve do të garantonte se brengat e mërgatës përfaqësohen në kuvend.
Sa i përket mënyrës së ndarjes, kjo mund të bëhet në dy mënyra. Përmes ndarjes së një numri të vendeve ekzistuese. Ose, përmes shtimit të ulëseve të kuvendit. Nëse kihet parasysh numri i madh i diasporës do të mund të arsyetohej shtimi i një numri mjaft të madh të ulëseve në kuvend. Ky numër i ulëseve mund të shkojë deri rreth në 20. Por numri mund të jetë edhe më i vogël. Gjithashtu mund të jetë numër tek, për të zgjidhur çështjen që e përmenda më lart.
Ndërtesa
Për fund, duhet ta përmendim edhe një çështje për të cilën nuk duhet reformë kushtetuese. E kam fjalën për ndërtesën e kuvendit. Më konkretisht nevojën për ta ndryshuar atë për të reflektuar faktin se vendi është republikë parlamentare. Tash për tash, ndërtesa e qeverisë qëndron mbi ndërtesën e kuvendit si një mal kërcënues. Do të ishte e logjikshme që ndërtesa e qeverisë të jepej në përdorim të kuvendit. Edhe ashtu kuvendi ka nevojë për më shumë hapësirë për zyra. Ndërsa qeveria do të mund të zhvendosej të ndërtesa e Rilindjes. Kjo do të krijonte edhe hapësirën ndarëse fizike të nevojshme për të forcuar pavarësinë e kuvendit. Kjo nuk do të thotë që të gjithë zyrtarët e ministrive do të duhej të largoheshin nga ndërtesa aktuale, disa prej tyre mund të qëndrojnë aty.
Organizimi i ulëseve
Gjithashtu, ndërtesa e kuvendit duhet të ndryshohet nga brenda, në mënyrën e organizimit të ulëseve. Sipas një studimi kuvendet që organizohen në formë rrethi ose në formë U janë më demokratike, kurse ato që kanë formën e klasës shkollore nuk janë demokratike. Tash kuvendi jonë më shumë i ngjason klasës shkollore (me një lakim të lehtë në formë gjysëmhëne), ku qeveritarët ulën përballë si mësues që moralizojnë mbi nxënësit. Një ndryshim fizik me organizim në formë që i ngjason rrethit do të ishte në përputhje me përpjekjet për të ndërtuar një demokraci më të shëndoshë.
05 shtator 2017
11:13