Rënia e bastioneve

31 korrik 2017 13:37

Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 konfirmuan dobësimin e bastioneve të partive politike. Ky dobësim kishte filluar më herët, sidomos në bastionet e LDK-së e AAK-së,  mirëpo këto zgjedhje treguan edhe dobësimin e bastionit të PDK-së. Ky zhvillim përbën një emancipim të votuesve që i ndihmon zhvillimit të demokracisë.

Bastionet

Një tipar i politikës në Kosovë, që nga paslufta, kanë qenë bastionet. Disa parti dihet që i kanë bastionet e tyre. Për shembull AAK, ka si bastion rrafshin e Dukagjinit, LDK e ka Llapin e Istogun, kurse PDK Drenicën. Në përiudhën e menjëhershme të pasluftës lidhjet mes partive dhe bastioneve ishin të forta. Për shembull, LDK kishte si bastion edhe Suharekën. Mirëpo, me kalimin e kohës lidhjet me bastionet u dobësuan. Fillimisht, bastionet ishin zona pothuajse moniste, me prezencë simbolike të pluralizmit. Ndërkohë partitë alternative u forcuan në bastione. Për shembull, Llapi, edhe pse është bastion i LDK-së, ai i jep vota edhe PDK-së. Tashmë, PDK merr thuajse po aq vota sa LDK në Llap. Dhe, AAK i ndan votat e Dukagjinit me LDK-në. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhe të vitit 2017 (Deçan 39.97%, Istog 37.22%, Drenas 40.85% dhe Skenderaj 38.42%) tregon se po dobësohet rëndësia e bastioneve.

Drenica si kala e PDK-së

Bastioni më i fortë nga të gjithë ka qenë Drenica, si zonë e PDK-së. Aty partitë tjera kanë pasë vetëm prezencë simbolike. Në shumë aspekte Drenica ka qenë bastion i fundit i monizmit në Kosovë. Dominimi i PDK-së ka qenë pothuajse total, si në Drenas ashtu edhe në Skenderaj.

Procesi i pluralizimit

Procesi i pluralizimit të Drenicës filloi në zgjedhjet e kaluara të rregullta lokale, kur Iniciativa Qytetare për Drenasin mori një numër të konsiderueshëm të votave. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 2016 u konfirmua kry proces, kur PDK dhe kandidati i saj z. Lladrovci u detyruan të shkojnë në ballotazh me kandidatin e NISMËS z. Xhemajlaj. Kjo u bë e mundur për shkak të përçarjeve të PDK-së. Fillimisht, vetë NISMA u formua për shkak të përçarjes në PDK. Pastaj, në zgjedhjet e vitit 2016, pati tre kandidatë të pavarur që vinin nga PDK. Dy nga ta u tërhoqën nga gara, mirëpo njëri jo. Kështu z. Drenori mori mjaft vota sa për ta dëmtuar PDK-në dhe për të siguruar ballotazhin. Në zgjedhjet parlamentare 2017, z. Drenori kandidoi me LVV, duke e dëmtuar kështu koalicionin PAN. Kalaja u muar nga brenda.

Monizmi ka bërë që të injorohen interesat e qytetarëve në Drenicë. PDK duke ditur që ka vota të garantuara në atë rajon, nuk ka investuar në përmirësimin e jetesës për banorët. Zgjedhjet në Drenas ishin një këmbanë për PDK-në që më në fund të bëjë politikë me përgjegjëse, por si duket PDK nuk e morri porosinë.

­­­­Thyerja e bastionit të fundit

Drenica është aq bastion i fortë për PDK-në sa që fati i PDK-së në zgjedhje mund të parashikohet nga dalja në zgjedhje në komunat e Drenasit dhe Skenderajit. Aty pjesëmarrja në zgjedhje gjithmonë ka qenë shumë e lartë, mbi normalen e komunave tjera. Mirëpo, më 2017 dalja në zgjedhje në Drenicë u normalizua në krahasim me zonat tjera. Dalja ishte në Drenas 40.85% dhe Skenderaj 38.42%. Për herë të parë pjesëmarrja në Drenicë ishtë nën nivelin e Kosovës (41.3%). Rënia vërehet dukshëm nëse e krahasojmë daljen me zgjedhjet e vitit 2014. Në atë vit dalja ishte në Drenas 51,57%, Skenderaj 49.9% kurse në tërë Kosovën 42.63%.

Vëzhguesit do ta kenë vërejtur se koalicioni PAN nuk do të kalonte mirë në zgjedhje kur u pa gjatë raportimeve të daljes në zgjedhje gjatë ditës se pjesëmarrja ishte e ulët ne Drenicë. Kjo u reflektua në rezultat partiak ku PAN morri në Drenas 14,693 vota (77.15%), dhe në Skenderaj 15,775 vota (83.7%), pra në dy komunat bashkë 30,468. Në pamje të parë kjo përqindje mund të duket impresive, mirëpo në fakt nuk është ashtu kur kihet parasysh pjesëmarrja në zgjedhje. Nëse e shikojmë rezultatin e vitit 2014 shohim se vetëm PDK në Drenas ka marrë 19,116 vota (78.35%) dhe në Skenderaj 22,775 vota (90.77%), pra në të dy komunat bashkë 41,891 vota. Partnerët kryesorë të PDK-së në PAN kishin marrë këto vota: Drenas - Nisma 2,293, AAK 829 dhe Skenderaj - Nisma 606, AAK 172, pra komplet bashkë 3900 vota. Partnëret e koalicionit PAN në vitin 2015 kishin marrë 45,791 vota në Drenicë.

Nëse krahasohen rezultatet e viteve 2014 e 2017 shihet se PAN ka pasë rënie të votave nga 45,791 në 30,469. Rezultati i vitit 2017 është sa 66% e rezultatit të vitit 2014. Pra ka pasë një rënie për 34% të votave. Një e treta e votuesve të PAN kanë qëndruar në shtëpi (ose kanë votuar për parti tjera në përqindje më të vogël). Barrën më të madhe të kësaj humbje e bartë PDK.

Domethënia për PDK-në

PDK ka gëzuar një komoditet duke llogaritur në vota të sigurta në Drenicë. Në dy komunat (Drenas e Skenderaj) ka siguruar përafërsisht 50,000 vota në çdo zgjedhje. Kjo i ka ndihmuar shumë që të mbajë numrin konstant të votave në tërë Kosovën. Votat që i ka marrë PDK janë sjellë rreth shifrës 200,000, duke fluktuuar, dhe arritur maksimumin në rreth 224,000. Mbajtja e kësaj konstanteje i mundësoi PDK-së që të dal partia e parë, kur u nda LDD nga LDK. Dhe përmes kësaj PDK e ka mbajtë primatin në Kosovë.

Thyerja e bastionit të Drenicës nënkupton që PDK nuk e ka primatin e garantuar. Kjo do të thotë që PDK duhet të përpiqet për vota edhe në bastionin e saj. Zgjedhjet 2017 treguan se si parti PDK nuk është më e para dhe kjo është pasojë kryesisht e dobësimit në bastion. Në zgjedhjet e ardhshme lokale PDK nuk mund të shkojë me komoditet as në Drenicë as në rajonet tjera.

Domethënia për politikën kosovare

Ndërrimi i kryetarit të PDK-së për herë të parë si duket nuk ka kaluar pa pasoja. Është pra hera e parë që PDK ka kryetar të ri, dhe përveç asaj ka kryetar që nuk vie nga bastioni i Drenicës. Prandaj votat e Drenicës nuk i ka të garantuara en bloc.

Zgjedhjet 2017 treguan se LDK gjithashtu ka rënie dhe LVV ka ngritje të përkrahjes. Kjo do të reflektohet edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore. Vështirë është të thuhet saktë se çfarë janë përqindjet e përkrahjes për secilën parti, dhe sigurisht se përkrahja e votuesve fluktuon.

Sidoqoftë, gara politike do të jetë më serioze pas përmbytjes së rezultatit në nivel të Kosovës dhe pas dobësimit të bastioneve partiake.

31 korrik 2017
13:37

Seb Bytyçi