OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Nga humbja në rikthim: përgjigje ekonomike ndaj pandemisë (pjesa II)

31 dhjetor 2020 17:14

Në vija të trasha, qeveritë evropiane po e ndihmojnë sektorin shëndetësor (duke i konsideruar investimet në shëndetësi si pjesë e reformave afatgjate që megjithatë mbesin edhe pas pandemisë); po i ndihmojnë drejtpërdrejt individët, të cilët kanë humbur vendet e punës apo kanë rënie në të ardhurat e tyre; po i ndihmojnë firmat të cilat ishin të detyruara të mbyllen ose të ulin prodhimin e tyre, dhe po ndihmojnë edhe bankat në mënyrë që ato pastaj të kreditojnë pjesën tjetër të ekonomisë. Në vija të trasha, përtej diskutimeve të shterura të deritanishme në diskursin publik rreth e kundër “pakos së rimëkëmbjes ekonomike”, Kosova duhet të targetojë drejtpërsëdrejti të katër efektet makroekonomike të nxitura nga përhapja e pandemisë.

Fillimisht, për të rikthyer konsumin e investimet, Kosova duhet, së paku për një periudhë afatshkurtër (le të themi 3-6 muajt e ardhshëm), të reduktojë TVSH-në, së paku për 3-5 pikë të përqindjes. Një masë e tillë do të reduktojë të hyrat buxhetore, por të njëjtat mund të mbulohen me kredimarrje nga jashtë. Ulja e TVSH-së, në anën tjetër, do të ulë çmimet e rrjedhimisht do të inkurajojë individët të shpenzojnë më shumë. Ulje të TVSh-së janë duke implementuar edhe ekonomitë më të mëdha Evropiane. Ulje prej 3 pikë përqindjeje, ndër të tjerash, ka implementuar Gjermania nga korriku i vitit 2020.

Rritja e konsumit dhe investimeve private do të nxitet ekskluzivisht nga siguria që qytetarëve tanë duhet garantuar. Sjelljet bazike ekonomike si shpenzimi i parasë, janë në varësi të ngushtë me sigurinë e projektuar në të ardhmen. Nëse projektimi për të ardhmen është i zymtë, rimëkëmbja e mbështetur në konsum e investim është e pamundur. Madje, në një zymtësi të projektuar, as ulja e TVSH-së nuk do të prodhojë ndonjë efekt, meqë blerësit do të vazhdojnë të kursejnë edhe më shumë. E në një siguri më të lartë, edhe masat e tërheqjes së parave të Trustit kanë kuptim më shumë, meqë të njëjtat kthehen në investim dhe konsum. Dhe kjo zymtësi apo siguri, në anën tjetër, varet drejtpërsëdrejti nga mënyra e menaxhimit të pandemisë si dhe nga projektimi i sigurisë politike në vend – kjo e fundit me shumë mangësi.

Për të përmirësuar ofertën agregate, Kosova duhet të hartojë politika sektoriale, pra specifike për sektorët e goditur, në vend të politikave me stimuj gjeneralë. Pra, për ta thënë më thjeshtë, ulja e produktivitetit në – le të themi ndërtimtari e hotelieri – e rritja e produktivitetit në – le të themi industri të ushqimit e barnave – do të duhej të nënkuptonte se pakoja stimuluese s’duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Sepse, për vetë natyrën e funksionimit gjatë krizave, jo të gjithë sektorët kanë pësuar rënie në këtë kohë. Përkundrazi, disa sektorë kanë pësuar rritje si rezultat i ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve. Për më tepër, për pjesën më të madhe të pandemisë, pothuajse gjatë gjithë pandemisë, bizneset  – për shembull – të ushqimit (marketet) apo dhe barnatoret, nuk e kanë ndërprerë punën asnjëherë; e konsumatorët nuk e kanë ulur kërkesën (madje e kanë rritur atë) gjatë gjithë vitit 2020. Gastronomia, turizmi, e ndërtimtaria në anën tjetër, kanë qenë të goditura nga mbyllja, kufizimi në lëvizje e nga gjithë menaxhimi pandemik përherë. Një politikë qeveritare që targeton njëjtë një market ushqimor me një agjencion turistik, ka humbur në shenjë rrënjësisht.

Targetimi i politikave stimuluese natyrshëm se krijon burokraci dhe kërkon plan të detajuar. Krijon edhe kohëzgjatje më shumë. Por në momentin që bëhet është esencial në mbijetesën e bizneseve që kanë nevojë.

Në rikthimin e remitencave e investimeve nga jashtë Kosova ka vetëm një alternativë. Të menaxhojë deri në fund mirë me pandeminë. Menaxhimi më i mirë i pandemisë, duke ulur numrin e të infektuarve, i hapë rrugë kthimit të anëtarëve të diasporës në vend. Kthimi i tyre do të shoqëroret me impuls shtesë financiar që, në rastin më të mirë, gjatë pranverës së vitit vijues do të kthente infuzionin e zakonshëm financiar që diaspora vazhdon të ushtrojë në vend. Ky infuzion, në formë të parasë së drejtpërdrejtë të shpenzuar në vend, do të shndërrohej në infuzion ekzistencial për shumë biznese.

Investimet publike në anën tjetër, kërkojnë ndryshim radikal në projeksionet financiare për vitin 2021. Fillimisht, investimet kapitale duhet të mbesin në nivel të njëjtë. Pakoja subvencionuese duhet të jetë me efeciente (duke e personalizuar atë për bizneset e prekura), e ndërrim rrënjësor duhet të kenë investimet në shëndetësi si përqindje e pjesëmarrjes në BPV-në e Kosovës. Sikurse shumë shtete të tjera në Evropë, investimet në shëndetësi – në spitale të reja e në pajisje moderne - duhet të shihen si investime afatgjate në një sektor ashtu kështu me nevojë për to. Projektligji i propozuar për vitin 2021, nuk paraqet ndonjë ndryshim substancial të shpenzimit publik në krahasim me vitet e kaluara. Kjo qëndron medoemos edhe nga fakti që buxheti për vitin 2021 trashëgon shumë obligime nga vitet paraprake, dhe nuk ka hapësirë të madhe për ndryshim e kreativitet. Për të hapur mundësitë investuese publike, Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në kredi të reja publike, sepse Kosova edhe ashtu ka borxh të ulët publik. Dhe këto fonde të reja t’i shpenzojë në mënyrë efektive në ekonomi. Përveç borxhit më të lartë publik, në këtë periudhë kohore është shumë e rëndësishme që të ketë edhe një zhvendosje në shpenzim brenda vendit. Pra, është shumë e rëndësishme që shpenzimet publike - por edhe ato private - të orientohen drejt produkteve dhe shërbimeve vendore.

Kriza e pandemisë – fatkeqësisht – nënkupton një cikël të rëndë ekonomik për vendin. Ky cikël në vete bartë të hyra më të ulëta për punëtorët, rënie në qarkullim në bizneset punëdhënëse më të mëdhaja në vend, ulje e konsiderueshme e kontributit të diasporës në vend; shoqëruar të gjitha këto me një rënie të investimeve publike e sjellje konservatore të qytetarëve drejt kursimit e jo konsumit dhe investimit në vend. Si kthim, Kosova do të ketë një tkurrje të mëtutjeshme të ekonomisë, deri në 8 apo 9 për qind për këtë vit; rritje të papunësisë dhe rritje të informalitetit në sektorët më informalë në vend. Është jo vetëm një vit i humbur për vendin, por edhe një periudhë rimëkëmbëse e vështirë, e dhimbshme dhe mbi të gjitha e kushtueshme për të gjithë.

Të hyrat buxhetore për vitin 2020 po realizohen më pak sesa parashikohej, ndërsa shpenzimet e parapara për këtë vit po ashtu po ngecin. Sektori financiar ka treguar një rritje solide të depozitave dhe të aktivitetit kreditor, sidomos në pjesën e fundit të vitit, gjithmonë si rezultat i shprehisë kursyese të qytetarëve karshi pasigurisë së krijuar nga kohëzgjatja dhe ndikimi i pandemisë. Remitencat, ndonëse në rritje, janë të pjesshme marrë parasysh mungesën e diasporës në vend.

Kosova duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë në 6 muajt e ardhshëm në rritjen e konsumit. Fillimisht duke ulur vlerën e TVSH-së për një periudhë të dhënë kohore, më pas duke krijuar siguri që nxit konsumin. Në drejtim të mbijetesës së bizneseve, pakoja ndihmuese duhet të jetë e personalizuar dhe me target specifik në sektorët e dëmtuar – jo në gjithë ekonominë. Një qasje e tillë do të rrisë mundësinë e ndihmave dhe do të rrisë efikasitetin e tyre. Investimet publike, ndërsa, përkundër rënies së të hyrave buxhetore e kufizimeve si rrjedhë e një fature të madhe të pagave – apo edhe – si rrjedhojë e obligimeve paraprake, duhet të mbështeten në borxh publik më të madh. Mbi të gjitha, e pazëvendësueshme mbetet qasja që Kosova ndjek ndaj menaxhimit të pandemisë. Me numra të lartë infektimesh vijnë masat shtesë kufizuese, të cilat, në kthim, jo vetëm që ndërpresin drejtpërsëdrejti rrjedhën e bizneseve por ato edhe rrisin pasigurinë e qytetarëve në vend – pasiguri e cila përfundimisht përkthehet në sjellje konservatore karshi kërkesës agregate.

 

 

 

 

 

 

OSF Alumni

31 dhjetor 2020
17:14

Alban Zogaj