31 dhjetor 2020
17:12

Sipas studimit të fundit të Bankës Botërore (2020), COVID-19 ka shkaktuar recesionin më të madh global në disa dekadat e fundit. Kenneth Rogoff, profesor i Ekonomiksit në Universitetin e Harvardit, krizën e sivjetme ekonomike e cilëson si krizën më të madhe të 150 viteve të fundit. Ky recesion, sipas parashikimeve më optimiste do ta tkurrë ekonominë globale këtë vit për 5.2% - me Evropën, Azinë Qendrore e Amerikën Latine si më të goditurat. E në rast të vazhdimit të kufizimeve në lëvizje nëpër qendrat botërore gjatë dimrit të sivjetmë, ekonomia globale do të tkurret për 8% vetëm gjatë vitit 2020. Numrat tkurrës prej 5% e 8% janë alarmantë, duke marrë parasysh masat stimuluese fiskale që pothuajse secila qeveri botërore ka ndërmarrë. Pa këto masa stimuluese fiskale, tkurrja do të ishte dukshëm më e lartë.
Recesionet e tilla do të jenë dukshëm më të ndjeshme në vendet në zhvillim, sikurse Kosova; dhe atë në disa fusha. Në këtë shkrim do t’i përmbledhim katër fushat kryesore makroekonomike me ndikimin më të madh; përkatësisht në a) konsum e investime private; b) ofertë agregate; c) remitenca e investime të jashtme; dhe d) investime publike.
E para, konsumi privat dhe investimet kanë pësuar nga pasiguria e shkaktuar nga pandemia dhe nga kufizimi i lëvizjes. Njerëzit në kohë krize tkurrin shprehjen investuese. Njerëzit, në kohë krize, orientohen drejt kursimeve. Në këtë vijë, në këtë logjikë, janë rritur edhe depozitat e kosovarëve në bankat kosovare. Ato, për herë të parë në historinë moderne të Kosovës, kanë arritur shumën prej 4 miliardë eurove (figura 1).
Figura 1 – Depozitat në sistemin financiar të Kosovës 2019 dhe 2020 (në milionë Euro)
Burimi: Banka Qendrore e Kosovës (2020)
Rritja e depozitave në 4 miliardë euro është shenjë e qartë se sjellja investuese e shpenzuese e kosovarëve është në rënie; se qytetarët tanë, siç edhe pritet, në kohë të krizës e pasigurisë janë orientuar drejt kursimit. Rritja e kursimit për çdo fotografi ekonomike, e sidomos në recesion, është lajm i jo i mirë, meqë në thelb nënkupton uljen e konsumit dhe detyrimisht uljen e investimeve. Të dy këto ulje do të kenë ndikim multiplikues në tkurrjen ekonomike të vendit përgjatë vitit 2020 dhe më tej.
Përveç depozitave, si shenjë e uljes së investimeve, pandemia ka ndikuar në masë të madhe edhe aktivitetin kreditues të sektorit bankar. Kreditë e reja, siç mund të shihet edhe nga figura 2, kanë pësuar rënie drastike në periudhën Mars-Prill-Maj, për t’u ngritur prapë në periudhën pasuese Qershor-Korrik-Gusht si formë e pjesshme e kompensimit (gjithsesi jo të mjaftueshëm) të rënies drastike. Vetëm 50 milionë euro kredi të reja janë dhënë nga i gjithë sektori bankar në muajin prill të këtij viti; plot katërfish më pak se në muajin korrik apo shtator. Kjo e dhënë është plotësisht në linjë me uljen e konsumit dhe investimeve agregate në vend.
Figura 2 – Kreditë e reja 2019 dhe 2020 (në milionë Euro)
Ndikimi i dytë pandemik është në ofertën agregate. Efektet më të theksuara janë në sektorët me informalitet të lartë, përkatësisht në ndërtimtari dhe në aktivitetet shërbyese hotelierike – në gastronomi. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në kuartalin e dytë të vitit 2020, outputi në këto dy industri është tkurrur për 65%, përkatësisht 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Bizneset në këta dy sektorë do të vazhdojnë të goditen më fort për aq sa masat shtrënguese mbesin në fuqi. Shërbimet hotelierike goditen për shkak të kufizimeve në lëvizje; e ndërtimtaria për shkak të tkurrjes së sjelljes investuese.
Për bizneset e këtyre sektorëve, goditjet do të vazhdojnë deri në normalizimin e plotë të gjendjes pandemike. Natyrshëm, por fatkeqësisht, këto goditje do të nënkuptojnë rëndesa të theksuara në qarkullim të parasë, zvogëlim i dukshëm i kapaciteteve kredimarrëse, dhe mbi të gjitha, ulje drastike e të punësuarve në to. Për më tepër, punëtorët e këtyre sektorëve janë ose informal, ose pjesërisht informal – dhe humbjet në të hyrat për ta do të nënkuptojë shtytje më të theksuar drejt pragut të varfërisë. Mbyllja e bizneseve për periudha të dhëna do të nënkuptonte rritje drastike në numrat e papunësisë dhe, në periudhë afatmesme, rritje më të madhe të informalitetit.
Ndikimi i tretë, por jo më pak i rëndësishëm, është ai në remitenca dhe investime të jashtme. Çdo krizë globale, me theks të veçantë në vendet ku diaspora e Kosovës qëndron – Gjermani, Zvicër e Skandinavi – do të përkthehet me rënie të kontributit të diasporës dhe në rënie të investimeve nga jashtë. Ndonëse dërgesat si remitenca edhe kane shënuar rritje – gjithmonë si kompensim i krizës në vend – mungesa e vizitës së diasporës në Kosovë do të ndjehet dukshëm në qëndrueshmërinë e bizneseve kosovare gjatë fundit të vitit 2020 dhe fillimit të vitit 2021. Pothuajse çdo vit, infuzioni financiar i vizitave të mërgimtarëve gjatë verës në Kosovë, ka qenë ekzistencial për mbarëvajtjen e shumë bizneseve në vend gjatë vjeshtës e dimrit këndej. Ky infuzion, këtë vit, mungon. I njëjti fat mund t’i presë dhe investimet nga jashtë, së paku për vitin 2020 dhe fillimvitin e ardhshëm. Sipas të dhënave të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, deri në shtator të vitit 2020 kishte rreth 65% më pak udhëtarë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Figura 5 – Remitencat për vitin 2020 (në mil. Euro) në krahasim me vitin 2019
Burimi: Banka Qendrore e Kosovës (2020)
Ndikimi i katërt – dhe më i pashmangshmi – do të jetë në rënien e pritshme të investimeve publike. Buxheti i kufizuar i Kosovës, i shoqëruar (sipas të gjitha gjasave) me rënie të konsiderueshme të të hyrave, do të shërbejë detyrimisht si burim i subvencionimit direkt të ndërmarrjeve e punëtorëve të Kosovës, gjithmonë si masë mbijetese në kohë krize. Këto subvencionime, shoqëruar bashkë me një faturë të tejmadhe të pagave publike dhe me rënie të të hyrave, lënë pak hapësirë për investime kapitale në vend. Mungesa e investimeve kapitale publike, në kthim do të nënkuptojë shtyrjen e projekteve të parapara dhe vonesat në pagesat ndaj bizneseve vendore – sërish në fushën e ndërtimtarisë/infrastrukturës. Si rezultat, kjo shtyrje nënkupton ndryshim në sjelljen e bizneseve që varen ekskluzivisht nga paraja publike. Vlen të theksohet se i gjithë procesi i subvencionimit publik ishte tejet jo-efecient. Pavarësisht që vendimi për “Pakon Emergjente” ishte marrë qysh në fillim të muajit prill, distribuimi i plotë i fondeve nga kjo pako ende nuk është bërë. Kjo kryesisht për shkak të procedurave burokratike dhe kufizimeve buxhetore që kërkojnë rishikim të buxhetit. Me Ligjin për Buxhetin e vitit 2020, nuk ishin të parapara shpenzime të tilla, andaj në mungesë të fondeve të mjaftueshme emergjente duhej rishikuar buxheti dhe duheshin bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat vonuan të gjithë procesin, shto këtu edhe vonesën në votimin e ligjit për pakon e rimëkëmbjes ekonomike.
Të katër efektet së bashku japin përfundimisht një tkurrje ekonomike, që në substancë nënkupton më pak investime, më pak kredi, më pak para nga jashtë e më pak ndikim nga investimet publike. Në thelb, të katër efektet nënkuptojnë humbje. Dhe pranimi i humbjes, se e njëjta do të ndodhë, është hapi i parë që shoqëria jonë duhet të bëjë. Pra, si në çdo fatkeqësi tjetër – individuale e shoqërore – pandemia është humbje. Jo gjithçka do të rikuperohet, jo gjithçka do të kompensohet, jo gjithçka, së paku menjëherë – do të kthehet në pikën zero. Përkundrazi, shumë biznese do të mbyllen, e të tjerat nuk do të rikuperohen në tregjet që i kanë pasur dikur. Bazuar në parashikimet e deritanishme nga shumë institucione, por bazuar edhe në rrjedhën aktuale të pandemisë, recesioni i vitit 2020 në Kosovë pritet të jetë rreth 8%, kurse rimëkëmbja ekonomike do të jetë e vështirë dhe e gjatë. Pra, kosovarët, Kosova, shoqëria jonë, ka humbur një të dhjetën e ekonomisë së vet gjatë këtij viti. Kjo humbje nuk kthehet. Por ajo fillimisht mund të zbutet, e më pas edhe të ndërpritet në thellim. Nën supozimin e kthimit në normalitet në pranverën e vitit të ardhshëm, rritja ekonomike e vitit 2021 pritet të jetë rreth 3%, dhe më pas të përshpejtohet në rreth 5% në vitin 2022 (BB, 2020). Pra, do të duhen dy-tre vitet e ardhshme, për të kompensuar humbjen e sivjetme.
31 dhjetor 2020
17:12